Shërbimet izraelite të inteligjencës kanë paralajmëruar se Irani po planifikon të organizojë një atentat kundër presidentit të përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, në një kohë kur zyrtarë sirianë dhe izraelitë po përgatiten të rifillojnë bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA në Paris, të martën, me synimin për të arritur një marrëveshje sigurie.
Sipas vlerësimeve të ushtrisë izraelite, al-Sharaa po përballet me kërcënime serioze jo vetëm nga Irani, por edhe nga aktorë të tjerë armiqësorë. Burime ushtarake izraelite, të cituara nga mediat e vendit, thonë se Teherani e sheh al-Sharaa-n si një pengesë për ndikimin e tij në rajon, për shkak të prirjes së tij për të larguar Sirinë nga orbitat tradicionale aleate.
Autoritetet siriane nuk kanë reaguar publikisht ndaj vlerësimit të inteligjencës izraelite për këtë komplot të pretenduar iranian, të bërë publik të hënën. Megjithatë, Ministria e Brendshme e Sirisë ka mohuar fundjavën e kaluar zërat për një tentativë atentati ndaj al-Sharaa-s, duke i quajtur këto pretendime “plotësisht të rreme” dhe duke paralajmëruar kundër dokumenteve të falsifikuara që i atribuohen burimeve zyrtare.
Al-Sharaa ka qenë më parë objektiv i disa tentativave për vrasje që nga rrëzimi i Bashar al-Assad-it, diktatorit shumëvjeçar të Sirisë, përmes një ofensive të befasishme ushtarake që solli kolapsin e regjimit në Damask.
Në nëntor të vitit 2025, autoritetet siriane kishin parandaluar dy komplotë të ndara nga grupi terrorist Shteti Islamik, të cilat kishin si objektiv al-Sharaa-n.
Për më tepër, edhe i dërguari amerikan, Tom Barrack, ka paralajmëruar se jetën e presidentit të përkohshëm sirian e kërcënon gjithnjë e më shumë afërsia e tij me Perëndimin.
Ndërkohë, për të dhënë një mesazh të qartë se është në jetë dhe në kontroll, al-Sharaa u shfaq publikisht mbrëmjen e së hënës në qendër të Damaskut, duke bërë blerje në lagjen Mazzeh dhe duke përdorur kartëmonedhat e reja siriane – një sinjal simbolik për popullin dhe kundërshtarët e tij.
Lini një Përgjigje