Kur nazistët rrëmbyen admiralin Miklós Horthy...
Ajo që ndodhi në Venezuelë ka një precedent historik jo shumë nderues: në tetor të vitit 1944, nazistët arrestuan regjentin e Hungarisë, admiralin Miklós Horthy, menjëherë pas armëpushimit që ai kishte nënshkruar me Bashkimin Sovjetik.
Me një operacion blic të urdhëruar nga Hitleri, Horthy u neutralizua për t’i rikthyer Hungarisë nënshtrimin ndaj Boshtit dhe për ta detyruar të vijonte luftën. Edhe pse Horthy u kërkoi të tijve të mos rezistonin, pati një shkëmbim të shkurtër zjarri. Pak viktima, një regjent i arrestuar dhe një shtet i përkulur.
Por ndryshe nga Hungaria e atëhershme, në Venezuelë, qeveria chaviste ka mbetur në këmbë, e udhëhequr aktualisht nga zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez. Një detaj që nuk duhet nënvlerësuar. Ashtu si në rastet e sulmeve ndaj objekteve bërthamore iraniane, Presidenti Trump shpalli menjëherë fitoren, duke deklaruar se Rodríguez do të bashkëpunojë me SHBA-në për shfrytëzimin e burimeve të vendit nga korporatat amerikane. Për Trump-in, e ardhmja e Venezuelës është e qartë: “Do ta qeverisim ne.”
Kjo perspektivë duket se nuk ka qenë aspak në linjë me pritshmëritë e senatorit Marco Rubio, nismëtari dhe promotori i ashpër i kësaj ndërhyrjeje. Veçanërisht pas “dushit të ftohtë” që Presidenti Trump i dha Maria Corina Machado-s, figura e preferuar e opozitës dhe e neokonservatorëve amerikanë për të udhëhequr vendin. Trump e trajtoi Machado-n si një tjetër Guaidó: “Nuk ka asnjë mbështetje dhe nuk gëzon respekt në vendin e saj.” Kjo, pavarësisht se Rubio e kishte propozuar Machado-n për çmimin Nobel për Paqe dhe kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me rrethin e saj politik.
Edhe “Washington Post”, i cili prej kohësh kishte promovuar ndërhyrjen amerikane, e kritikoi hapur Presidentin për përjashtimin e Machado-s nga skenari i pas-Maduro-s.
Nga ana e saj, Delcy Rodríguez, duke dënuar fuqishëm agresionin amerikan dhe imperializmin e ri, bëri thirrje për lirimin e presidentit të rrëmbyer, por u shpreh e gatshme për të vendosur “marrëdhënie respektuese” me SHBA-në, në kuadër të ligjit dhe kushtetutës venezuelane.
Duhet theksuar se para ndërhyrjes, edhe vetë Maduro ishte shprehur i gatshëm të hapte vendin ndaj investimeve amerikane. Mundësia e një marrëveshjeje nuk është e mbyllur, por është e qartë se SHBA kërkon ta kushtëzojë këtë hapje me largimin përfundimtar të Maduro-s.
Megjithatë, qartazi, edhe pas rrëmbimit të tij, SHBA nuk është afër të ketë qasje reale apo të qëndrueshme mbi rezervat e Venezuelës. Çdo përshkallëzim i situatës – qoftë përmes një ndërhyrjeje ushtarake apo përmes një ndërrimi regjimi – mund të prodhojë destabilitet të plotë, duke e larguar dhe jo afruar mundësinë për kontrollin e burimeve të vendit.
Gjithçka duket si një kapitull i ri i “doktrinës Monroe 2.0”, të cilën Trump e ka përqafuar haptazi. Rrëmbimi spektakolar i Maduro-s ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për të gjitha vendet e Amerikës Latine që nuk janë të përkulura ndaj Uashingtonit – me emra të përveçëm: Kuba dhe Kolumbia.
Një ndërhyrje e ngjashme në Kolumbi do të zhyste të gjithë kontinentin në kaos. Kjo është arsyeja pse SHBA mund të presë zgjedhjet e majit 2026, ku presidenti aktual i Kolumbisë, Gustavo Petro, shihet si jo shumë favorit.
Sa i përket Kubës, historia është më komplekse. Edhe pse regjimi i Díaz-Canel është dobësuar ndjeshëm, kthimi i Kubës në një fitore për Marco Rubio mbetet një ëndërr e largët, që nuk dihet nëse do të bëhet ndonjëherë realitet. Madje, në horizont është rikthyer edhe Groenlanda, që sërish ka hyrë në objektivin e Trump-it.
Operacioni i Venezuelës besohet se është mundësuar nga infiltrimi i CIA-s, ndonëse një ndërhyrje e tillë është e pamundur pa tradhti nga brenda ose një shkallë e lartë e papërgatitjes nga ana e forcave venezuelane, të cilat prej muajsh ishin në gatishmëri.
Burime ushtarake të cituara nga media italiane “Strana” pohojnë se askush nuk tentoi të rrëzonte helikopterët amerikanë që fluturonin mbi Caracas, ndonëse sistemet ajrore venezuelane konsiderohen ndër më të sofistikuarat në rajon. Nuk ka asnjë shenjë që SHBA i ka çaktivizuar këto sisteme, një veprim që do të kërkonte një sulm të gjerë raketor, gjë që nuk ndodhi.
Një tjetër analizë sugjeron se suksesi ushtarak në Venezuelë mund të përforcojë qëndrimin e ashpër të Trump ndaj Ukrainës, megjithëse presidenti aktual nuk dëshiron të rrezikojë një përballje të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe kërkon që lufta të përfundojë përpara zgjedhjeve për Kongresin, për të favorizuar republikanët.
Në Moskë qarkullojnë spekulime se operacioni në Venezuelë mund të ketë qenë pjesë e një “marrëveshjeje të heshtur” mes Rusisë dhe SHBA, ku amerikanët i bëjnë presion Zelenskyt, jo Kremlinit. Por këto janë vetëm teori të pakonfirmuara, me përjashtim të një videoje të vjetër ku Zhirinovsky deklaronte: “Trump do të marrë Venezuelën, dhe ne do të marrim Ukrainën”.
Fakt është që SHBA nuk e ka marrë Venezuelën, por e ka rrëmbyer liderin e saj, Nicolás Maduro. Fati i tij mund të jetë ndonjë formë internimi, në Rusi apo Kinë, pas një gjykimi të paracaktuar në SHBA. Edhe nëse ky ishte një skenar i koordinuar mes palëve, mbetet për t’u parë nëse mund të funksionojë, apo do të zhysë Venezuelën në një krizë të re.
Mjafton të kujtojmë marrëveshjen e dështuar mes Biden dhe Putin për një sulm “blic” në Ukrainë që do të shmangte një luftë të gjatë, por që përfundoi në katastrofën që po shohim sot.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, telefonoi menjëherë Delcy Rodríguez-in për të dënuar ndërhyrjen dhe për të kërkuar de-përshkallëzim. Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, Rodríguez ishte në Moskë për të nënshkruar marrëveshjen e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Viti i ri ka nisur me pasiguri dhe hije konflikti. Në Ukrainë, emërimi i Kyrylo Budanov si shef i stafit të Zelensky-t u pa si sinjal për një zgjidhje të mundshme të konfliktit. Më pas erdhi Venezuelë. Dhe i vetmi mesazh i Maduro-s pas rrëmbimit: “Gëzuar Vitin e Ri.” /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje