Çështja penale kundër liderit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, ka mbetur pezull për më shumë se gjashtë vite, pa ndonjë përparim real.
Tani që ai është arrestuar dhe është paraqitur për herë të parë në një gjykatë federale në Manhattan, procesi gjyqësor mund të zgjasë edhe më gjatë, duke kaluar nëpër një sërë betejash të ndërlikuara juridike dhe politike.
Rasti kundër Maduro-s është veçanërisht kompleks: përfshin ish-udhëheqjen e tij në një shtet sovran, akuzat për komplot ndërkombëtar në trafikun e kokainës dhe terrorizëm, dhe pasojat që ka kjo çështje për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.
Në këtë kontekst, ekip mbrojtës i Maduro-s pritet të përdorë disa strategji për të bllokuar gjykimin, duke e sfiduar çështjen në disa drejtime.
Gjatë seancës së së hënës, Maduro u deklarua i pafajshëm për akuzat për: komplot për narkoterrorizëm, konspiracion për importim të kokainës, posedim të armëve të rënda dhe pajisjeve shpërthyese, dhe komplot për posedim të këtyre armëve.
“Jo se nuk do të negociojë, por më parë do të shtypë disa butona të sistemit ligjor”, tha prokurori federal Dick Gregorie nga Miami, i cili ka ndjekur zhvillimet rreth procesit ndaj Maduro-s.
Gregorie ka përvojë direkte me raste të ngjashme: ai ka qenë një nga prokurorët që çoi në gjyq Manuel Noriega-n – liderin ushtarak të Panamasë – pothuajse 40 vite më parë, duke e bërë atë një nga të paktët prokurorë amerikanë që ka gjykuar me sukses një të arratisur të huaj që pretendonte statusin e kreut të shtetit.
Rasti i Noriega-s ka shumë paralele me atë të Maduro-s, sidomos për shkak të rrallësisë së ndërhyrjeve ushtarake amerikane që përfundojnë me rrëmbimin e një lideri të huaj politik.
Avokatët e Maduro-s dhe të bashkëshortes së tij, Cilia Flores, e cila gjithashtu është deklaruar e pafajshme për akuza të ngjashme, pritet të argumentojnë se kapja e tyre ishte e paligjshme, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare. Vetë Maduro, në sallën e gjyqit, u shpreh se ishte “rrëmbyer” nga ushtria amerikane.
Pritet gjithashtu që mbrojtja të sfidojë provat e paraqitura nga Prokuroria, si dhe të kërkojë qasje në dokumente apo informacione që mund të jenë të klasifikuara si çështje të sigurisë kombëtare. Procesi i menaxhimit të informacionit të klasifikuar, që ndjek rregulla strikte në gjykatë, mund të zgjasë me muaj të tërë – edhe në rastet më të thjeshta.
Në disa raste, avokatët përpiqen të përdorin një taktikë të quajtur “graymail”: kërkojnë publikimin e informacionit sekret, me shpresën që qeveria amerikane të tërhiqet nga ndjekja penale për të mos rrezikuar ekspozimin e të dhënave sensitive.
Gjatë seancës së ardhshme, e caktuar për muajin mars, pritet të diskutohet për provat e mbledhura dhe hapat e ardhshëm drejt procesit gjyqësor.
Argumenti i imunitetit
Një tjetër strategji e mundshme e Maduro-s është pretendimi për imunitet si ish-president. Në sallën e gjyqit, ai deklaroi: “Unë jam ende presidenti i Venezuelës”, ndërsa bashkëshortja e tij u prezantua si “Zonja e Parë e Venezuelës”.
Ky pretendim risjell në vëmendje betejën ligjore për imunitet që pati Manuel Noriega në vitet ’90, ku u diskutua nëse ai kishte të drejtë të konsiderohej i mbrojtur si kreu i një shteti.
Sipas prokurorit Gregorie, “për të përfituar imunitet si kryetar shteti, duhet të jesh i njohur zyrtarisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit”. Me fjalë të tjera, vetëm njohja diplomatike zyrtare nga SHBA përcakton vlefshmërinë e këtij statusi. Juristët ndërkombëtarë ndajnë të njëjtin qëndrim.
Noriega humbi betejën për imunitet dhe u dënua në vitin 1991 me 40 vite burg për importim të kokainës.
Një rast i ngjashëm është ai i Norman Saunders, ish-kryeministër i Ishujve Turks dhe Caicos në vitet ’80, i cili pretendonte se ishte kryetar shteti. Por, sipas ligjit, kryetar shteti në atë kohë ishte Mbretëresha e Britanisë, pasi territoret ishin ende nën sovranitet britanik. / Marrë nga CNN
Lini një Përgjigje