Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi më 15 prill dy lista me kompani në Europë, për të cilat pretendon se prodhojnë dronë ose komponentë për Ukrainën. Një zyrtar i lartë i Kremlinit i përshkroi këto kompani si objektiva të mundshme për forcat ruse.
Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet ruse, lista e parë, me titull “Degë të kompanive ukrainase në Europë”, përfshin 11 ndërmarrje në qytete si Londra, Mynihu, Riga, Vilniusi dhe Praga.
Lista e dytë, “Ndërmarrje të huaja që prodhojnë komponentë”, përfshin 10 kompani të tjera, me seli ndër të tjera në Madrid, Venecia dhe Haifa.
Ministria ruse deklaroi se publikimi i këtyre listave synon të informojë qytetarët europianë për atë që e cilëson si burime të rrezikut ndaj sigurisë së tyre, duke përmendur praninë e kompanive që, sipas saj, prodhojnë dronë për Ukrainën në territorin europian.
Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, reagoi në rrjetin X duke e cilësuar publikimin si “listë objektivash të mundshëm për forcat e armatosura ruse”, duke shtuar se zhvillimet e ardhshme do të përcaktojnë nëse këto objektiva do të goditen.
"Dhe nëse këto sulme do të bëhen realitet varet nga ajo që do të pasojë. Flini mirë, partnerë evropianë!", shtoi ai.
Në të njëjtën kohë, raportime mediatike kanë vënë në dyshim saktësinë e disa të dhënave në lista, pasi një nga adresat e përfshira në Mynih rezulton të jetë ndërtesë banimi.
Publikimi i listave vjen një ditë pas takimit në Berlin mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz. Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë takimit u prezantuan disa modele dronësh të prodhuar në bashkëpunim mes kompanive ukrainase dhe gjermane.
Po atë ditë, Gjermania dhe Ukraina arritën një marrëveshje për një paketë mbrojtjeje me vlerë rreth 4 miliardë euro, që përfshin financimin e furnizimit me qindra raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
Lini një Përgjigje