Gjatë një konference për shtyp me homologun e tij nga Kirgistani, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov përdori një shprehje të vjetër sovjetike për të përshkruar situatën ndërkombëtare aktuale: “Mizat në njërën anë, qoftet në tjetrën.”
Kjo ishte një batutë që përdorej në mensat sovjetike, ku për shkak të mungesës së higjienës, kërkohej ndarja e ushqimit nga mizat. Pa dyshim, për Lavrovin dhe Kremlinin, “mizat” janë vendet perëndimore, të cilat Moska i sheh si shqetësim në skenën globale.
Lavrov deklaroi se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit ndodhen në një bllokadë të paprecedentë, duke akuzuar Perëndimin se po përpiqet të zhvillojë një “luftë strategjike” kundër Rusisë, duke përdorur Ukrainën si një “mur sulmi” me një regjim që ai e quajti “nazist.”
Sipas tij, Perëndimi nuk ka arritur kurrë ta mposhtë Rusinë dhe nuk do ta arrijë as tani, madje, shton ai, “në Perëndim po fillon të kuptohet kjo.”
Duke komentuar një editorial të përbashkët të nënshkruar së fundmi nga Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, në të cilin Rusia përkufizohet si "kërcënimi kryesor" dhe nevojën që Evropa të "armatoset" , ministri i jashtëm me përvojë deklaroi se " këta njerëz padyshim që e kanë humbur mendjen dhe po përpiqen hapur të kthehen në kohët kur Franca dhe Gjermania donin të pushtonin të gjithë Evropën , kryesisht Perandorinë Cariste dhe Bashkimin Sovjetik".
Ndërkohë që Lavrov nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në bisedimet e fundit të paqes në Stamboll, ai vazhdon të jetë zëri më përfaqësues i qëndrimeve të Kremlinit. Ai tha se Rusia është e hapur për një zgjidhje të ndershme të krizës ukrainase, por nuk është e gatshme të përfshihet në “kurthet” që, sipas tij, i imponohen nga disa liderë evropianë.
Edhe zëdhënësi i presidentit Putin ka theksuar se Rusia nuk mund të detyrohet të negociojë përmes presionit apo sanksioneve, por vetëm përmes logjikës dhe argumenteve.
Nga Lindja e Mesme, pas tensioneve mes Iranit dhe Izraelit, Moska duket se ka dalë pa dëme serioze. Aleati iranian, megjithëse i goditur, mbetet në këmbë, një sinjal që Rusia nuk e ka braktisur.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet me SHBA-në duken më të balancuara. Drejtori i shërbimeve sekrete ruse, Sergei Naryshkin, tregoi se kishte pasur një telefonatë të gjatë dhe të përzemërt me shefin e CIA-s, John Ratcliffe, ku të dy ranë dakord të komunikojnë sa herë që lind nevoja.
Këshilltari kryesor i Kremlinit, Yuri Ushakov, shtoi se një takim mes Putin dhe Trump mund të ndodhë “në çdo moment,” edhe pse nuk është ende i planifikuar.
Sa për sanksionet amerikane të paralajmëruara, Moska i sheh si një shfaqje politike për të ruajtur marrëdhëniet me Evropën dhe jo si kërcënim real. Sipas analizës së Telegraph, ofensiva e verës në Ukrainë duket në ngërç, por Rusia vazhdon të bombardojë qytete, më shumë për të treguar forcë në arenën ndërkombëtare sesa për të thyer kundërshtarin.
Në këtë kontekst, Rusia duket se është fokusuar vetëm te Shtetet e Bashkuara, ku figura e Donald Trump përmendet shpesh me simpati në mediat dhe qarqet politike ruse. Pjesa tjetër e botës? Sipas Lavrov dhe analistëve rusë, “vetëm thonë marrëzira, ndërsa ne jemi të qetë.”/ Corriere della Sera
Lini një Përgjigje