
Në Serbi kanë nisur të hiqen barrikadat dhe të normalizohet trafiku, pasi mijëra protestues antiqeveritarë në orët e para të 30 qershorit bllokuan rrugët në disa qytete serbe dhe kërkuan lirimin e protestuesve të cilët u ndaluan nga policia.
Tubuesit po rrisnin presionin ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, vendosën barrikada metalike dhe kosha mbeturinash nëpër rrugët e Beogradit dhe bllokuan urën Gazela, që gjendet mbi lumin Sava.
Agjencitë e lajmeve raportuan se protestuesit në Novi Sad – ku nisi kjo valë protestash antiqeveritare tetë muaj më parë – rrethuan zyrat e Partisë Progresive Sebe (SNS) të Vuçiçit, duke goditur ndërtesën me vezë.
Në 30 pika në kryeqytetin serb u ngritën barrikada, ndërsa akte të tilla po kryheshin në të paktën 22 qytete të tjera serbe.
Protestat u intensifikuan pasi oficerët e policisë nisën të ndalonin pjesëmarrësit në tubimin masiv që u mbajt në Beograd më 28 qershor. Vuçiç deklaroi se policia do të arrestojë të tjerë protestues.
Studentët janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe heqjen e një kampi në qendër të qytetit, i cili është vendosur nga studentët tjerë, që e kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve dhe mbështesin presidentin Vuçiç.
Studentët i kanë bllokuar universitetet prej nëntorit të vitit 2024, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të këtij qyteti.
Lini një Përgjigje