Për momentin, gjithçka mbetet në nivelin e një “grumbullimi gjigant të të dhënave”, por për shumë amerikanë, ky është hapi i parë drejt një kontrolli të stilit kinez. Dhe alarmi është ndezur.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është i gatshëm për të vënë një sistem, i cili do të arkivojë çdo të dhënë e të gjithë shtetasve amerikanë.
Një gjë e tillë po kundërshtohet nga demokratët. Por ata, janë në pakicë në Kongres. Ndërkohë, disa gjykata kanë arritur të bllokojnë përkohësisht pjesë të këtyre vendimeve, por vendimi i fundit i Gjykatës Supreme sugjeron që edhe frenat ligjore do të jenë të kufizuara.
Ky sistem, mund të shihet si një “Vëllai i Madh”, siç e cilëson Corriere della Serra.
Sistemi, që synon të mbledhë të gjitha të dhënat e disponueshme në rrjetet publike dhe private, nga ato fiskale, shëndetësore dhe shkollore, deri te të dhënat bankare dhe të punësimit, po ngjason gjithnjë e më shumë me modelin famëkeq të Sistemit të Kreditit Social të Kinës. Atje, profili i çdo qytetari ndërtohet për t’u shpërblyer apo ndëshkuar, bazuar në “dobinë sociale”: a janë paguar taksat në kohë? Ka performancë të mirë në punë? A është i përkushtuar ndaj vijës politike të qeverisë?
Slogani i Trump për këtë iniciativë është i qartë: “Të thyejmë siloset e burokracisë së të dhënave.”
Sipas tij, bashkimi i të gjitha këtyre sistemeve do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit administrativ dhe në luftën kundër abuzimeve me fondet publike. Por për shumë amerikanë, kjo është një rrezik serioz për privatësinë dhe liritë personale.
Ky ndryshim vjen pas vendimit të mëparshëm për t’i dhënë akses Elon Musk-ut dhe kompanisë së tij “Doge” në të dhëna të ndjeshme si statusi tatimor i qytetarëve amerikanë. Edhe pas largimit të Musk nga bashkëpunimi me qeverinë, ndërhyrjet e autoriteteve federale nuk kanë ndalur. Departamenti i Bujqësisë, për shembull, ka kërkuar të dhëna personale (emër, vendbanim, datëlindje, status sigurimesh) për 42 milionë përfitues të kuponëve ushqimorë, me qëllimin për të identifikuar abuzimet dhe përfitimet e paligjshme nga emigrantët e paregullt.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë ka mohuar qëllimet autoritare, duke theksuar se qëllimi është të kursehen paratë e taksapaguesve dhe të kontrollohet më mirë emigracioni i paligjshëm, sidomos në shtete si Illinois, California dhe Washington, të cilat dyshohen se përdorin fondet federale për të mbështetur emigrantët.
Ironikisht, më të shqetësuarit nuk janë liberalët, por mbështetësit e Trumpit me prirje libertariane. Aktivistë të njohur si Hodgetwins, The Patriot Voice dhe Nick Fuentes po shprehen hapur për një “tradhti” të madhe. Ish-kongresmeni Justin Amash flet për një “shtet mbikëqyrës në ndërtim”. Ata që dikur ishin gati të digjeshin për Trumpin, tani e akuzojnë për shkelje të parimeve thelbësore të lirisë dhe privatësisë.
Për momentin, gjithçka mbetet në nivelin e një “grumbullimi gjigant të të dhënave”, por për shumë amerikanë, ky është hapi i parë drejt një kontrolli të stilit kinez. Dhe alarmi është ndezur.
Lini një Përgjigje