Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se testi real është nëse presioni ushtarak dhe negociatat bërthamore mund të sjellin një rezultat më të qëndrueshëm me Iranin
Izraeli nuk po merr mbështetjen nga SHBA për një luftë të zgjatur me Iranin që kishte kërkuar. Për këtë arsye, vendi po kalon në një strategji të re rajonale, një qasje që mbështetet në një kombinim të brishtë të presionit ushtarak, diplomacisë amerikane dhe, në fund, mundësisë për të vepruar i vetëm.
Në fillim të luftës me Iranin, rreth gjashtë javë më parë, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se qëllimi i Izraelit ishte të “eliminonte kërcënimin ekzistencial” që paraqet Irani, përfshirë parandalimin e sigurimit të armëve bërthamore dhe krijimin e kushteve për një kryengritje të popullit iranian kundër qeverisë së tij.
Megjithatë, Izraeli nuk arriti t’i realizojë këto objektiva dhe tani Netanyahu po i jep përparësi koordinimit me presidentin Donald Trump, edhe nëse kjo ka një kosto.
“Që nga zgjedhja e Trump, sa herë që mundemi, koordinohemi me amerikanët”, tha Yaakov Amidror, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare i Netanyahut, i cili vazhdon ta këshillojë atë. Në këtë kuadër ai shtoi “për shembull, tani, ndalimi i sulmeve ndaj Iranit ishte çmimi. Por për ne, të jemi me amerikanët dhe të paguajmë këtë çmim ishte më e rëndësishme sesa të vepronim vetëm.”
Kjo nënkupton se Izraeli po përpiqet të gjejë mënyra për të dobësuar Teheranin pa e acaruar më tej administratën amerikane, e cila tashmë është e pakënaqur me vazhdimin e sulmeve izraelite në Liban.
Qëllimi kryesor është që Uashingtoni të arrijë një marrëveshje me Iranin që adreson shqetësimet afatgjata për programet e tij bërthamore dhe raketore, pa i dhënë lehtësime të tilla sanksionesh që, sipas zyrtarëve izraelitë, do të forconin udhëheqjen e vijës së ashpër në Teheran.
Netanyahu ka rënë dakord gjithashtu të reduktojë operacionet izraelite në Liban me kërkesë të Trump, i cili e bëri këtë të ditur për NBC. Kjo ndodhi pasi Izraeli goditi 100 objektiva në Bejrut, në Luginën Bekaa dhe në jug të Libanit në më pak se 10 minuta, duke vrarë më shumë se 300 persona në një nga bombardimet më vdekjeprurëse në historinë e Libanit.
“Fola me Bibin dhe ai do ta ulë intensitetin. Mendoj se duhet të jemi pak më të përmbajtur,” tha Trump.
Netanyahu nuk e ka pranuar publikisht një angazhim të tillë, por ka udhëzuar ekipin e tij të nisë negociata me Libanin për çarmatosjen e Hezbollahut sa më shpejt të jetë e mundur. Konsultimet fillestare mes përfaqësuesve amerikanë, libanezë dhe izraelitë pritet të fillojnë në Uashington javën e ardhshme për të përcaktuar kornizën e bisedimeve.

Një pjesë e qasjes izraelite është vazhdimi i një niveli të caktuar sulmesh ndaj Libanit gjatë zhvillimit të diskutimeve.
Izraeli vazhdon të refuzojë një armëpushim me Libanin dhe operacionet vazhduan edhe të premten, me shkëmbime zjarri nga të dyja palët. Ushtria izraelite po vazhdon gjithashtu operacionet tokësore në jug të Libanit, përfshirë gjetjen dhe shkatërrimin e armëve.
Prej muajsh, Izraeli synon ta shtyjë Hezbollahun përtej lumit Litani, i cili kalon në jug të Libanit dhe konsiderohet prej kohësh si një vijë tampon de facto. Netanyahu ka premtuar se do të vazhdojë goditjet ndaj Hezbollahut derisa të rikthejë sigurinë për banorët izraelitë në veri të vendit.
Në mënyrë private, zyrtarët izraelitë i përshkruajnë objektivat më ngushtë: thellimin e një zone tampon në veri dhe krijimin e kushteve në terren që çdo negociatë e ardhshme të nisë nga një ekuilibër më i favorshëm.
“Po përpiqemi të krijojmë kushtet që Hezbollahu të çarmatoset”, tha një zyrtar ushtarak izraelit, duke shtuar se nëse përpjekjet ushtarake dobësojnë më tej aftësinë e grupit për të lëshuar raketa nga jugu i Libanit, “atëherë ideja e një marrëveshjeje funksionale në të ardhmen bëhet më realiste”.
Ndërkohë që Irani, Pakistani dhe vende të tjera thonë se Libani do të jetë pjesë e negociatave për armëpushim, Netanyahu këmbëngul se këto janë çështje të ndara dhe se Izraeli do të zhvillojë bisedime të veçanta me Libanin për çarmatosjen e Hezbollahut dhe rivendosjen e marrëdhënieve paqësore.
Edhe pse Netanyahu ka kufizuar disa opsione ushtarake për të ruajtur koordinimin me Uashingtonin, lufta mund të sjellë një përfitim strategjik afatgjatë: dëme të konsiderueshme ekonomike për Iranin.
Sipas një vlerësimi të inteligjencës rajonale të siguruar nga Politico, Irani përballet me kosto rindërtimi nga 7 deri në 44 miliardë dollarë, ku programi raketor përbën humbjet më të mëdha.
Duke qenë se buxheti vjetor ushtarak i Iranit është rreth 7.9 miliardë dollarë, edhe skenari më i ulët i kostove përbën pothuajse një vit të tërë shpenzimesh mbrojtjeje, ndërsa skenari më i lartë përbën më shumë se pesë vite e gjysmë shpenzimesh ushtarake.
Këto humbje rrisin edhe më shumë rëndësinë e fazës së ardhshme: diplomacinë e mundshme bërthamore mes SHBA dhe Iranit, për të cilën zyrtarët izraelitë druhen se mund të lehtësojë presionin ndaj Teheranit para se të ndihen plotësisht kostot e luftës.
Izraeli kërkon të sigurojë ndikim në këto negociata, edhe nëse nuk është pjesë direkte e tryezës në Islamabad, ku bisedimet pritet të nisin të shtunën.
Jacob Nagel, i cili drejtoi ekipin izraelit që punoi me administratën Obama gjatë marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, tha se “iranianët gjithmonë fitojnë” në negociata me vendet perëndimore për shkak të përvojës dhe njohurive të tyre të thella.
Ai shtoi se ekziston rreziku që SHBA të fokusohet vetëm në heqjen e uraniumit të pasuruar, duke lënë të paprekur infrastrukturën bërthamore.
“Iranianët mund ta japin këtë dhe të gjithë do të thonë: ‘Fitore’, por kjo nuk mjafton,” tha ai.
Për Izraelin, pyetja kryesore mbetet nëse kjo situatë do të prodhojë një rezultat thelbësisht të ndryshëm apo vetëm do të shtyjë konfliktin për më vonë.
Zyrtarët thonë se Izraeli dhe SHBA kanë vënë bast se këtë herë kombinimi i presionit ushtarak dhe diplomacisë do të japë rezultat më të qëndrueshëm. Nëse jo, Izraeli mund të përballet me një kërcënim të vazhdueshëm dhe me kosto në rritje.
Një ish-zyrtar i lartë izraelit theksoi se Izraeli nuk mund të ndjekë një strategji të vazhdueshme goditjesh ndaj Iranit si në fronte të tjera, për shkak të kostos së lartë dhe përfitimeve në rënie.
Megjithëse Izraeli ka treguar se mund të veprojë i vetëm, zhvillimet e gjashtë javëve të fundit kanë dëshmuar se bashkëpunimi me SHBA është shumë më efektiv.
“Gjithçka është më mirë me Shtetet e Bashkuara,” tha një ish-zyrtar tjetër, duke përmendur bazat ushtarake, bombarduesit e rëndë, furnizimin ajror dhe inteligjencën.
Nëse Izraeli do të largohet nga kjo qasje e koordinuar do të varet nga zhvillimi i negociatave dhe reagimi i SHBA në javët e ardhshme, përfundoi Amidror. /Përshtatur nga Politico/
Lini një Përgjigje