
Sot zhvillohen në Pakistan negociatat e shumëpritura mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të stabilizuar situatën në rajon.
Delegacioni amerikan kryesohet nga zëvendëspresidenti JD Vance, i shoqëruar nga i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Në prag të takimit, presidenti Donald Trump uroi ekipin negociator, ndërsa shprehu qëndrimin e tij lidhur me çështjet kyçe në tryezë.
Teksa ka folur për mediat në Uashington, Trump ritheksoi kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për vendosjen e taksave në Ngushticën e Hormuzit, duke e konsideruar atë si territor ndërkombëtar.
Ai deklaroi se kjo nyje strategjike për transportin global të naftës do të rihapet “shumë shpejt”, pavarësisht nëse do të ketë apo jo bashkëpunim nga ana e Iranit.
“Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të jemi në gjendje ta rihapim shumë shpejt”, u shpreh Trump, duke shtuar se edhe vende të tjera janë të gatshme të kontribuojnë.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë. Çdo bllokim i saj reflektohet menjëherë në rritjen e çmimeve të naftës dhe në pasigurinë e furnizimeve ndërkombëtare.
Në Islamabad ka mbërritur edhe delegacioni iranian, i përbërë nga 71 anëtarë, përfshirë zyrtarë të lartë politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.
Ekipi drejtohet nga kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf dhe përfshin, ndër të tjerë, ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi dhe guvernatorin e Bankës Qendrore Abdolnaser Hemmati.
Teherani ka vendosur dy kushte kryesore për vijimin e negociatave: ndalimin e sulmeve izraelite në Liban dhe zhbllokimin e aseteve të tij financiare.
Trump ka paralajmëruar se në rast dështimi të bisedimeve, SHBA-të mund të ndërmarrin veprime të forta ushtarake kundër Iranit.
Negociatat, të ndërmjetësuara nga Pakistani, zhvillohen në një klimë të tensionuar dhe synojnë konsolidimin e një armëpushimi të brishtë pas javësh përplasjeje, që kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë.
Lini një Përgjigje