Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se u befasua nga reagimi i presidentit francez Emmanuel Macron lidhur me komentet e saj pas vrasjes së Quentin Deranque në Lion, duke theksuar se qëndrimi i saj nuk kishte në shënjestër Francën.
“Sinqerisht, më ka habitur shumë kjo deklaratë e Macron, nuk e prisja”, u shpreh Meloni gjatë një interviste. Ajo sqaroi se reflektimi i saj nuk lidhej në mënyrë specifike me Francën, por me një prirje më të gjerë që, sipas saj, po thellon polarizimin politik në demokracitë e mëdha perëndimore.
“Shoh një klimë që nuk më pëlqen. E shoh në Itali, e shoh në Francë, e shoh në Shtetet e Bashkuara”, tha kryeministrja. Ajo kujtoi se kishte reaguar edhe në raste të tjera, si ai i vrasjes së Charlie Kirk, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në çështje të brendshme të vendeve të tjera, por për një reflektim që, sipas saj, klasat drejtuese duhet ta bëjnë për të shmangur rikthimin në periudha tensioni politik.
Meloni përmendi edhe përvojën historike të Italisë me terrorizmin, duke shtuar se edhe Franca e njeh këtë kapitull, pasi për disa dekada u ka dhënë azil politik ish-anëtarëve të Brigadave të Kuqe. “Nuk e kam përjetuar si ndërhyrje”, përfundoi ajo.
Meloni komentoi edhe pjesëmarrjen në takimin e “Board of Peace” për Gazën, të zhvilluar në Uashington. Ajo tha se ministri i Jashtëm Antonio Tajani e kishte informuar për një mbledhje me përmbajtje konkrete, ku morën pjesë shumica e vendeve evropiane dhe aktorë të përfshirë në rajon.
Sipas saj, një kontribut i bashkuar i komunitetit ndërkombëtar është thelbësor për një çështje kaq delikate si Lindja e Mesme, veçanërisht për vendet mesdhetare. “Për këtë arsye e konsiderova thelbësore që Italia të ishte e pranishme”, deklaroi Meloni.
Lini një Përgjigje