Juristi Kreshnik Spahiu deklaron se Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Bordin e Paqes, duke e konsideruar këtë si një qëndrim të qartë politik përballë presionit europian.
Në emisionin “Frontline” në Report Tv, Spahiu tha se ekzistojnë disa elementë që, sipas tij, nuk janë bërë plotësisht të dukshëm në debatin publik.
“Janë katër momente që janë disi të padukshme dhe që nuk janë analizuar sa duhet. Së pari, Uashingtoni ka vlerësuar shumë faktin që Shqipëria dhe Kosova kanë përballuar dhe kanë rezistuar ndaj një presioni të jashtëzakonshëm europian kundër pjesëmarrjes së tyre në Bordin e Paqes dhe në Uashington. Ka pasur një qëndrim të qartë nga disa vende të Bashkimit Europian që e kanë bojkotuar këtë nismë dhe kanë kërkuar që edhe Shqipëria, edhe Kosova të ndiqnin të njëjtën linjë. Por Tirana dhe Prishtina zgjodhën të jenë të pranishme në një moment të rëndësishëm politik, pavarësisht se konsiderohen pjesë e hapësirës europiane”, u shpreh Spahiu.
Sipas tij, pas vizitës së kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Uashington, ka nisur një lobim për një vizitë të mundshme të presidentit amerikan në rajon.
“E dyta, ka një lobim të fortë që, pas vizitës së Osmanit dhe Ramës në Uashington, presidenti Donald Trump të vizitojë Tiranën dhe Prishtinën. Po lobohet shumë fuqishëm në këtë drejtim dhe ekzistojnë gjasa reale që në një të ardhme të afërt të kemi një vizitë të presidentit Trump në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo do të interpretohej si një vlerësim për faktin që shqiptarët konsiderohen ndër kombet më proamerikane në Europë”, deklaroi ai.
Spahiu foli edhe për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke e lidhur me zhvillimet diplomatike të fundit.
“Së treti, kemi të bëjmë me një lobim që lidhet me lirimin e liderëve të UÇK-së. Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Bordin e Paqes nuk ka qenë i rastësishëm. Ai ka qenë i përgatitur me këshilltarë amerikanë dhe ka synuar të shfrytëzojë një qasje të ndryshme nga ajo europiane ndaj kësaj çështjeje. Europa ka pasur një qasje më kritike dhe ka ndërhyrë në proceset që çuan në dënimin e liderëve të UÇK-së, ndërsa qasja amerikane, sipas meje, është më kritike ndaj këtij pozicionimi europian”, tha juristi.
Në fund, ai u ndal te kontributi i mundshëm i Shqipërisë në misionet ndërkombëtare, duke përmendur alternativat që, sipas tij, i janë paraqitur Tiranës.
“E katërta, Shqipëria ka qenë përballë një alternative: ose të kontribuonte financiarisht, ose të ofronte burime njerëzore. Pra, të zgjidhte mes pagesës dhe angazhimit me trupa. Unë mendoj se zgjedhja për të kontribuar me burime njerëzore është më e arsyeshme. Është e drejtë dhe e justifikuar që Shqipëria të marrë pjesë me trupa në Gaza, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare”, përfundoi Spahiu.
Lini një Përgjigje