Një sulm me armë zjarri në një shkollë katolike në Minneapolis, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagosën 17 të tjerë, po hetohet nga FBI si akt terrorizmi i brendshëm dhe krim urrejtjeje ndaj katolikëve.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se sulmi ishte “një akt dhune i motivuar nga urrejtja kundër katolikëve”. Dy viktimat, të moshës 8 dhe 10 vjeç, u qëlluan për vdekje të mërkurën në mëngjes, teksa merrnin pjesë në meshë në kishën “Annunciation”. Sulmuesi, i identifikuar si 23-vjeçari Robin Westman, vdiq në vend nga një vetëvrasje me armë.
Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, e përshkroi sulmin si “një akt të qëllimshëm dhune ndaj fëmijëve dhe besimtarëve”. Ai shtoi se “mizoria e të shtënave mbi një kishë të mbushur me fëmijë është e pakuptueshme”.
Papa Leoni XIV, i pari papë amerikan, shprehu dhimbjen e thellë për viktimat e mitura. Ndërkohë, guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha se presidenti Donald Trump kishte dërguar ngushëllime dhe se flamuri amerikan do të ulet në gjysmë shtize në nder të viktimave.
Sipas policisë, sulmuesi kishte përdorur tre armë, një pushkë, një shotgun dhe një pistoletë, duke qëlluar dhjetëra herë nga jashtë dritareve të kishës, ku ndodhej edhe shkolla me nxënës nga 5 deri në 14 vjeç. Një prej të mbijetuarve, 10 vjeç, rrëfeu për mediat lokale se shoku i tij e shpëtoi duke u shtrirë mbi të, por vetë mbeti i plagosur.
Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet e sakta të sulmit, ndërsa autoritetet konfirmuan se u gjet edhe një shënim i planifikuar nga autori për t’u publikuar online në momentin e të shtënave.
Ndërkohë Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar një shpallje presidenciale për të nderuar viktimat e të shtënave tragjike të ndodhura sot në një shkollë në Minneapolis.
Trump e përshkroi ngjarjen si një “akt të pakuptimtë dhune” dhe urdhëroi që flamujt në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara të ulen në gjysmë shtize.
Sipas shpalljes zyrtare, flamujt do të qëndrojnë në gjysmë shtize deri në perëndimin e diellit më 31 gusht 2025.
Lini një Përgjigje