Fjalimi më i fundit i Macron në Universitetin e Sorbonës, u raportua rrëmbimthi nga mediat kryesore. Megjithatë ai duhet lexuar me shumë kujdes. Duket sikur me këtë fjalim presidenti francez përforcoi programin e prezantuar më herët nga Mario Draghi në La Hulpe.
Por sa më shumë që establishmenti evropian përpiqet të rregullojë sistemin liberal të BE-së për ta nxitur atë të mbetet “konkurrues”, aq më shumë shtohen kontradiktat e tij. Ne biseduam për këtë çështje me Agustín Menendez, jurist dhe profesor i së drejtës publike krahasuese dhe filozofisë politike në Universitetin Komplutense në Madridit.
Macron tha së fundmi se “Evropa mund të vdesë, se ajo është e vdekshme”, dhe ne duhet të “reagojmë përmes fuqisë, zhvillimit dhe humanizmit”. Si po ecin këto tre burime të mëdha evropiane? A mund t'i përgjigjen ato krizës që po kalon BE?
Macron nuk bën dallim midis Bashkimit Evropian dhe Evropës. Kjo qasje mund të justifikohet në raste të caktuara, por nuk është e pranueshme kur synon të kesh një përshtypje të mirë dhe kur pretendon të flasësh për historinë e 25 shekujve të fundit.
Gjithsesi, mendoj se Macron vetëm sa ka rikujtuar dimensionin ekzistencial të krizës evropiane. Por fjalimit të tij i mungoi një analizë shumë më e qartë mbi atë që ka shkuar keq në 40 vitet e fundit të integrimit evropian. Sidomos 10 vitet e fundit, ku ai ka pasur një përgjegjësi të madhe. Macron tha shumë gjëra në Sorbonë, por nuk preku thelbin.
Që është sipas jush...
Sot BE-ja nuk është e aftë të veprojë në një mënyrë efektive pasi “kushtetuta e saj ekonomike” - që nuk është një kushtetutë e vërtetë politike, pasi përfshin edhe një strukturë institucionale dhe një sistem vendimmarrës - e bën të pamundur veprimin në nivel evropian dhe bllokon veprimet e shteteve anëtare.
Si ndodh ky bllokim?
Përmes favorizimit të një cikli të vazhdueshëm masash shtrënguese, të cilat i krijon një pakicë ultra të pasurish në dëm të zhvillimit të gjithë të tjerëve. Shihni rastin e Greqisë. Të dhënat makroekonomike “të shkëlqyera” të një vendi që është bërë më i varfëri nga 27 vendet anëtare, me përjashtim vetëm Bullgarisë, ku gjendja është akoma më katastrofike.
Në mes të muajit mars, Macron ishte i pari që foli për dërgimin e trupave në Ukrainë, duke i habitur të gjithë. Cili është roli i Francës në strukturën aktuale të pushtetit në Evropë?
Le t'i japim Çezarit atë që është e Çezarit. Macron ishte shumë i qartë në vizionin e tij. Duke e lënë të hapur derën për transformimin e luftës me prokurë që po zhvillohet në Ukrainë në një luftë frontale, edhe nëse kjo do të rriste rrezikun e luftës bërthamore, Macron prezantoi kandidaturën e Francës si vendi hegjemonist i një faze të re të integrimit evropian, e mundësuar kjo nga kriza ku ka hyrë Gjermania.
Gaboj apo po flasim për industrinë e luftës?
Pikërisht për të. Ajo lëvizje mund të shpjegohet si hapi i parë drejt rolit qendror të kompanive franceze në zhvillimin e një industrie armatimesh mbi-kombëtare. Kjo do të lejonte atë që në rrethana të tjera duket e pamundur: ri-industrializimin e Francës, e financuar me paratë e të gjithë evropianëve.
Një operacion që do t'i garantonte Francës udhëheqjen e lakmuar të BE-së...
Falë forcës së saj ushtarake, do të kishte rolin e Athinës së lashtë në Lidhjen Deliane (478-477 Para Erës Sonë). Por le të jemi të qartë mbi një gjë: vetëm një pakicë e francezëve do të përfitonte ekonomikisht.
Trupat “në tokën ukrainase” të premtuara nga Macron, mund të mos jenë më thjesht një kërcënim, por një operacion nga i cili nuk ka kthim pas. A do të rrëzohen shumë qeveri në atë moment?
Një burrë shteti i vërtetë i peshon gjithmonë 2 herë fjalët e tij. Dhe nëse duhet të flasë për armët bërthamore, duhet të matet të paktën 4 herë. A e bëri këtë Macron? Ndoshta jo, duke pasur parasysh antipatinë e tij ndaj diplomatëve.
Gjermania e di shumë mirë se lufta e ka zhytur ekonominë e saj në një krizë të paprecedentë. Aktualisht ka një zhvendosje të madhe të kompanive nga Gjermania në SHBA. Pse lidershipi gjerman e vuan në mënyrë pasive këtë proces? Çfarë mësimi duhet të nxjerrim prej tij?
Duhen nxënë 2 leksione. Së pari janë elitat gjermane që nxjerrin në pah një impuls më të qartë nihilist, siç e ka bërë të qartë edhe çështja e gazsjellësit “Nord Stream”. E dyta, që interesat evropiane nuk janë të njëjta me ato të SHBA-së. Macron ka parasysh këtë gjë në disa pasazhe të fjalimit të tij, por distanca midis tij dhe De Gaulle është shumë e madhe. Por ajo që duhet nuk është një antiamerikanizëm retorik dhe piktoresk.
Çfarë rrezikohet më shumë në Ukrainë? Mbijetesa e Rusisë? Apo ai i regjimit neoliberal evropian? Apo ndoshta ajo çfarë mbetet nga “Rendi i Ri Botëror” amerikan?
Në këtë kapitull të luftës së pjesshme globale që është lufta në Ukrainë, Rusia dhe ndoshta edhe SHBA kanë objektivat e tyre strategjike. Ndoshta rusët duan të shmangin shndërrimin në një fuqi të dorës së dytë, siç mund të ndodhë nëse vazhdon zgjerimi i NATO-s.
Por ne duhet të pyesim veten nëse lufta po e përshpejton rënien e Rusisë, duke filluar që nga rënia e saj demografike. Për SHBA-në është në rrezik roli i saj si një superfuqi. Ai kërcënohet nga rënia ekonomike dhe kulturore. Mjafton të mendoni për paaftësinë materiale të pabesueshme për të prodhuar municione të shkaktuar nga de-industrializimi. Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian nuk ka objektiva strategjikë, ai vetëm sa i nënshtrohet atyre amerikane.
Ka lindur ndërkohë një dyshim i fortë: Nëse Evropa duhet të hyjë apo jo në luftë për të garantuar mbijetesën e sistemit të saj ekonomiko-politik...
Gjenerali dhe me vonë presidenti i SHBA-së, Dwight Eisenhower, foli shumë vite më parë për kompleksin ushtarako-industrial amerikan si një kërcënim për demokracinë amerikane. Ajo që po shohim tani është lindja e kompleksit ushtarako-industrial mbi-kombëtar evropian. Një gjë është e qartë: Macron dhe Draghi nuk do të jenë ata që do të na zbulojnë rreziqet që lidhen me një zhvillim të tillë./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiaro”
Lini një Përgjigje