Turqia ka vendosur të mbështesë kandidaturën e kryeministrit holandez Mark Rutte si sekretar i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-s, njoftoi sot agjencia holandeze e lajmeve ANP, duke cituar diplomatë të NATO-s.
Nga ana tjetër, sipas Reuters, një zyrtar turk i paidentifikuar u tha aleatëve të NATO-s se Ankaraja do të mbështesë Rutte për postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës.
Turqia ishte një nga katër vendet që nuk e kishte shprehur ende mbështetjen e tyre për Rutte si pasardhës të Jens Stoltenberg. Aleatët e tjerë, përfshirë SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë njoftuar tashmë mbështetjen e tyre për Rutte.
Edhe Kryeministri Edi Rama ka thënë se kandidatura e mundshme e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte, për postin e kreut të NATO-s do të ishte një lajm i mirë aleancën.
Rama tha se Rutte në krye të NATO-s do të ishte një politikan i zoti dhe një udhëheqës i vërtetë që di si të merret me situatat e vështira, i aftë në bërjen e kompromiseve, edhe duke krijuar koalicione të pamundura.
"Mark Rutte që largohet nga posti i kryeministrit në Holandë dhe që lë bosh ulësen e tij në Këshillin Europian, nuk është lajm i mirë për Këshillin dhe Europën. Por Mark Rutte që shkon në NATO është lajm i mirë për NATO-n. Është 100% kandidati ynë dhe jam i sigurt se me Mark Rutten në drejtim, NATO do të ketë një politikan të zotë dhe një udhëheqës të vërtetë që di si të merret me situatat e vështira, që është dëshmuar shumë i aftë në bërjen e kompromiseve, edhe duke krijuar koalicione të pamundura. Ai është gjithashtu një person që mund të jetë zëri i Europës në SHBA dhe njëkohësisht zëri i SHBA-së në Europë.
Mark Rutte është njeriu i duhur për t’i folur çdo preisdenti amerikan. Më besoni, e di mirë këtë gjë", tha Rama.
Lini një Përgjigje