Zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë të mbrojtjes shqetësohen se pasojat e konfliktit me Teheranin po i japin Kinës avantazh strategjik…
Konflikti gjithnjë e më i ndërlikuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po nxjerr në pah dobësi ushtarake dhe strategjike amerikane dhe po i ofron mësime të rëndësishme rivalit të saj më të madh.
Kina po vëzhgon ndërsa SHBA-ja nuk po arrin të çajë bllokadën iraniane dhe po konsumon fuqi të konsiderueshme zjarri; administrata Trump po has vështirësi për t’u shkëputur nga një luftë e papëlqyer; çmimet globale të gazit po rriten; dhe dokumentet strategjike të Pentagonit tregojnë se frenimi i Pekinit nuk është më prioriteti kryesor.
Ndërsa Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe lideri kinez Xi Jinping përgatiten të takohen javën e ardhshme në një samit me peshë të lartë politike, SHBA-ja gjendet përballë një armëpushimi të pasigurt. Dhe me aleatë të zhgënjyer që refuzojnë të ndihmojnë, si edhe me një luftë që po krijon probleme politike për Trumpin në vend, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë të mbrojtjes amerikane druhen se Kina po hyn në takim me avantazh.
“Kinezët do të kishin plotësisht të drejtë të thoshin: ‘çfarë ju ka mbetur për të ndërtuar efektin frenues?’”, tha një ish-zyrtar i mbrojtjes, duke shtuar “që një marrëveshje e madhe të funksionojë, duhet të kesh forcën për ta mbështetur. Nuk mund të bësh bllof për këtë çështje”.
Takimi mes dy liderëve zhvillohet dy muaj pasi Trump shtyu mbledhjen fillestare në Pekin, duke thënë se duhej të përqendrohej te lufta, atëherë ende në fazat e para. Por fushata ushtarake amerikane duket se është zhvendosur nga një operacion për shkatërrimin e programeve bërthamore iraniane në një konflikt më të ndërlikuar dhe afatgjatë, të fokusuar te kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë.
“Ushtria kineze po i studion absolutisht me kujdes operacionet tona kundër Iranit për të identifikuar dobësi që mund t’i shfrytëzojë në një konflikt me Shtetet e Bashkuara”, tha një zyrtar i mbrojtjes, i cili, si të tjerët të intervistuar, foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjeve të inteligjencës.
Sipas tij, Kina po vëzhgon mënyrën se si komandantët amerikanë planifikojnë operacionet dhe i zbatojnë ato, deri te ritmi i sulmeve raketore dhe mbledhja e informacionit të inteligjencës. Ambasada kineze, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, shkruan Politico.
Pekini, i cili ka zgjeruar me shpejtësi arsenalin e raketave me rreze të gjatë veprimi dhe dronëve, pothuajse me siguri ka vënë re vështirësitë e SHBA-së për të rihapur ngushticën ose për të ndalur sulmet iraniane ndaj anijeve të marinës amerikane dhe aleatëve në rajon.
Zhvendosja e anijeve, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe trupave nga Paqësori drejt Lindjes së Mesme është gjithashtu një tregues se arsenali amerikan nuk është i pakufizuar. Pentagoni “vazhdon të tregojë performancë të fortë taktike”, tha një zyrtar i mbrojtjes.
“Por pa politikë dhe strategji të qartë, po vuajmë në nivelin operacional të luftës. Pyetja që duhet të marrin përgjigje është nëse kjo është specifike për administratën aktuale apo një problem më i gjerë i mënyrës amerikane të luftës”, shtoi zyrtari.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë këmbëngulur publikisht se asetet e zhvendosura, përfshirë një grup goditës me aeroplanmbajtëse dhe disa anije të marinës me 2500 marinsa, nuk kanë ulur gatishmërinë amerikane në Paqësor.
“Nuk shoh ndonjë kosto reale që po i imponohet aftësisë sonë për të frenuar Kinën”, u tha ligjvënësve muajin e kaluar admirali Samuel Paparo, i cili drejton komandën ushtarake amerikane për Paqësorin.
Paparo ka deklaruar se përvoja operacionale dhe luftarake që po fitojnë ekuipazhet amerikane do të jetë shumë e vlefshme, sidomos krahasuar me forcat kineze që kanë më pak eksperiencë në mbrojtje reale në kushte lufte.
Megjithëse forcat kineze janë shumë më të avancuara se ato iraniane, Teherani ka treguar aftësi të veçantë në përdorimin e dronëve të lirë vetëshkatërrues për sulme në shkallë të gjerë dhe për të mbingarkuar disa sisteme të mbrojtjes ajrore.
Stoku i raketave kineze ka gjasa të jetë shumë më i madh se ai i Iranit, ndaj “ata mund t’i trajtojnë disa nga raketat e tyre në të njëjtën mënyrë si Irani ka trajtuar dronët”, tha Becca Wasser, eksperte e strategjisë së mbrojtjes dhe ish-anëtare e Komisionit Kombëtar të Strategjisë së Mbrojtjes në SHBA.
“Ata nuk kanë nevojë të përdorin dronë për të hutuar radarët e mbrojtjes ajrore dhe për të mbingarkuar sistemet në të njëjtën mënyrë,” tha ajo, ndërsa shtoi “nuk do të kishte ndonjë kursim të arsenalit, të paktën në fazat e para të një lufte të mundshme me SHBA-në.”
Megjithatë, edhe Pekini ka problemet e veta. Kina nuk ka zhvilluar luftë që prej pushtimit të Vietnamit në vitin 1979 dhe aktualisht ndodhet në mes të një spastrimi të gjerë ushtarak që çoi këtë javë në dënimin me vdekje të dy ish-ministrave të mbrojtjes, Li Shangfu dhe Wei Fenghe. Sipas një bilanci të përpiluar nga qendra analitike Center for Strategic and International Studies, më shumë se 100 oficerë të lartë ushtarakë janë shkarkuar që nga viti 2022.
Por ashtu si SHBA-ja ka monitoruar zhvillimin ushtarak të Kinës, edhe Qeveria kineze ka studiuar prej dekadash trupat amerikane. Kjo daton të paktën që nga Operacioni “Desert Storm”, kur Pekini pa për herë të parë përdorimin amerikan të armëve me goditje precize.
Kina nisi ndërtimin e aeroplanmbajtëseve të saj të para pas krizës financiare globale të vitit 2008 dhe investoi fuqishëm në raketa me rreze të gjatë për të mbajtur larg ushtrinë amerikane. “Ata e dinë si projektojmë fuqinë. Ata e dinë varësinë tonë nga avionët furnizues, bazat ushtarake, mënyrën si kryejmë sulmet ajrore, sulmet jo-kinetike, përdorimin e luftës elektronike dhe luftës kibernetike. I studiojnë të gjitha me shumë kujdes. Kjo është një mundësi për ta që të mësojnë nga mënyra amerikane e luftës”, tha një ish-zyrtar tjetër i mbrojtjes.
Kina po vëzhgon gjithashtu me çfarë shpejtësie SHBA-ja po konsumon raketat e saj më të avancuara, nga Tomahawkët te sistemet Patriot. “Ata e dinë se çdo raketë e përdorur në Iran është një raketë që nuk mund të përdoret për të frenuar në Indo-Paqësor”, tha ish-zyrtari. /Përshtati Pamfleti/
Jo vetëm kaq! Kina tani është liderja absolute e botës dhe nuk do të heqë dorë nga ky titull. Arsyeja? Gjatë viteve, SHBA-të i kanë provuar botës se kanë krijuar lidhjen e tyre vetëm me gënjeshtra. Iraku, Afganistani, Palestina, Libia, Kuba dhe shumë të tjera! Sot SHBA-të = lobi hebraik në Uashington. Kjo bindje e përgjithshme e ka vendosur SHBA-në në ligën e "vendeve pa besim". Keqardhje.