Eksperti bërthamor Avner Cohen komentoi situatën pas luftës mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit. Gjatë një interviste për La Repubblica eksperti tha se kjo luftë nuk solli asgjë, duke theksuar se Irani ndodhet pak a shumë në të njetën situatë ku ishte para luftës.
“Për momentin nuk jemi në një pikë të mirë. Kjo luftë nuk solli asgjë: nuk pati asnjë përmirësim as nga këndvështrimi i Izraelit dhe as nga ai i mospërhapjes së armëve bërthamore. Irani ndodhet pak a shumë në të njëjtën situatë ku ishte para luftës. Gjithsesi, ekziston një negociatë në vazhdim, edhe pse aktualisht e bllokuar, dhe gjithçka do të varet nga rezultati i saj.”
Sipas tij, në skenarin më të mirë, Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë një marrëveshje të ngjashme me JCPOA-n, marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të nënshkruar gjatë administratës Obama dhe nga e cila Donald Trump u tërhoq në vitin 2018.
“Nuk besoj se do të ketë përmirësime të mëdha, përveç rastit kur SHBA arrin të nxjerrë uraniumin jashtë Iranit. Por aktualisht nuk mendoj se Irani është i gatshëm të pranojë një gjë të tillë,” tha ai.
Cohen vlerëson se përfshirja e Rusisë apo Kinës në një proces të tillë është pak e mundshme.
“Nëse Rusia do të pranonte të përfshihej, do ta bënte vetëm për të promovuar interesat ruso-iraniane, jo ato të SHBA-së dhe Izraelit. E njëjta gjë vlen edhe për Kinën. Prandaj nuk besoj se është një hipotezë reale.”
Eksperti shtoi se kërcënimi bërthamor iranian mbetet në të njëjtin nivel si në qershor të vitit 2025.
“Nëse Irani ka arritur të rikuperojë uraniumin e pasuruar në 60%, që u varros gjatë bombardimeve të vitit 2025, atëherë mund të prodhojë diçka të ngjashme me një bombë në një kohë të shkurtër, ndoshta brenda javësh. Do të bëhej fjalë për një pajisje shumë rudimentare. Por pyetja mbetet e njëjtë si në qershor 2025: a duan vërtet ta bëjnë këtë? Lufta nuk ndryshoi shumë gjëra.”
I pyetur nëse lufta ishte një dështim, Cohen tha:
“Nga këndvështrimi i Izraelit ishte një bast: shpresa ishte rrëzimi i regjimit iranian. Dhe kjo nuk ndodhi. Mund të thuhet se ekonomia iraniane është në krizë, por jo se regjimi po bie. Pra, basti nuk funksionoi.”
Ai shtoi se është ende herët për të kuptuar ndikimin politik që kjo situatë mund të ketë mbi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në vitin elektoral 2026.
“Netanyahu shpresonte të fitonte mbështetje nga kjo luftë dhe nuk e arriti. Përkundrazi, aktualisht del më i dobët, sepse Irani nuk është mposhtur", tha ai.
Shënim: Avner Cohen, profesor në Middlebury Institute of International Studies në Monterey të Kalifornisë, është një emër i njohur në komunitetin ndërkombëtar të studiuesve të çështjeve bërthamore. Izraelito-amerikani është bërë i njohur për studimet mbi mospërhapjen e armëve bërthamore, por veçanërisht për analizat mbi programin bërthamor izraelit, të trajtuara në libra si “Izraeli dhe bomba” dhe “Sekreti më pak i fshehur në botë: Izraeli dhe basti bërthamor”.
Lini një Përgjigje