Aleksandros Giotopulos, kreu i organizatës terroriste famëkeqe greke “17 Nëntori”, është liruar nga burgu pas 24 vitesh vuajtje dënimi.
Sipas informacioneve nga mediat greke, Gjykata e Apelit vendosi pozitivisht për kërkesën e tij të pestë për lirim, e cila ishte dorëzuar më 23 tetor 2025.
Giotopulos ishte arrestuar në vitin 2002 dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm si drejtues politik i organizatës “17 Nëntori”, e cila konsiderohet një nga grupet terroriste më të rrezikshme në historinë moderne të Greqisë.
Organizata akuzohet për 23 vrasje të kryera në periudhën 1975–2002. Mes viktimave ishin diplomatë amerikanë dhe britanikë, politikanë, biznesmenë, efektivë policie, por edhe qytetarë të zakonshëm.
Gjykata e kishte shpallur Giotopulosin përgjegjës për nxitje morale të vrasjeve, grabitjeve dhe sulmeve me eksploziv, ndërsa autoritetet greke e konsideronin atë liderin dhe ideologun kryesor të organizatës.
Megjithatë, ai nuk e pranoi asnjëherë publikisht rolin drejtues në “17 Nëntori”, pavarësisht provave të paraqitura nga prokuroria dhe dëshmive të bashkëpandehurve.
Më 17 korrik 2002, Giotopulos u arrestua nga njësia antiterroriste greke në ishullin Lipsi. Hetimet ndaj tij u mbështetën në dëshmi, materiale të sekuestruara dhe prova të gjetura në banesat e përdorura nga organizata.
Pas arrestimit, ndaj tij u ngritën akuza për pjesëmarrje dhe drejtim të organizatës terroriste, si dhe për nxitje morale në të gjitha veprimet kriminale të grupit deri në korrik të vitit 2002.
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, Giotopulos kishte paraqitur më herët kërkesë për anulim në Gjykatën e Lartë, por ajo ishte rrëzuar nga Dhoma Penale.
Ndërkohë, në burgjet greke vazhdojnë të vuajnë dënimin figura të tjera të njohura të “17 Nëntorit”, mes tyre Dimitris Kufodinas dhe vëllezërit Savvas dhe Kristodhulos Ksiros.
Lini një Përgjigje