TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Shkurt 2024, 12:51

Kurti dhe Vuçiç në Mynih për Konferencën e Sigurisë, Borrell zhvillon takime të ndara

Shkruar nga Pamfleti

Kurti dhe Vuçiç në Mynih për Konferencën e

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai thekson se nuk është në agjendë një takim takim i përbashkët mes liderëve.

Kurti dhe Vuçiç janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve nga e mbarë bota që do marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih, i cili nis punimet më 16 shkurt.

“Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë diku tjetër”, tha Borrell në Munih.

Zyrtari i lartë evropian do të takohet me Kurtin të premten, ndërkaq një ditë më vonë do të zhvillojë takimin me Vuçiçin.

Pjesëmarrja e Kurtit dhe Vuçiçit në Munih po ndodh në moment kur janë shtuar tensionet mes dy shteteve, për shkak të vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb.

Bashkimi Evropian ka kërkuar që për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, Kosova dhe Serbia të diskutojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt dhe autoritetet kosovare thanë se ajo po zbatohet përmes një faze lehtësuese tranzitore, e cila do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar rregulloren e BQK-së, e cila parashikon që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa me para të gatshme dhe kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të saj. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se mospërmbushja e kërkesës amerikane, ka ndikuar në raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Serbia ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Lini një Përgjigje