TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Shkurt 2024, 10:59

Rusët po i rezistojnë gjithnjë e më shumë luftës së Putinit

Shkruar nga Vladimir Kara Murza

 

Rusët po i rezistojnë gjithnjë e më shumë luftës
Boris Nadezhdin /

Bori Nadezhdin, avokati rus kundër luftës në Ukrainë...

“Regjimi Special” i Kolonisë Ndëshkimore nr.7, Omsk, Russi - Nëse e dëgjoni propagandën e Vladimir Putinit, duket sikur gjërat nuk mund të shkojnë më mirë se kaq për të. Presidenti rus po e fiton luftën në Ukrainë, pozitat e tij në pushtet janë më të forta se kurrë më parë. Dhe më e rëndësishmja: populli rus është tërësisht i bashkuar në mbështetje të udhëheqësit  të tij dhe “operacionit special ushtarak”, siç i referohet media zyrtare luftës në Ukrainë. Çuditërisht, këto besohen edhe nga disa njerëz në Perëndim. Por veprimet flasin më shumë se sa fjalët. Narrativa propagandistike e Kremlinit u demaskua javën e kaluar kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ndaloi Boris Nadezhdin, kandidatin e vetëm kundër luftës që garon në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, që të marrë pjesë në votimet e marsit.

Preteksti formal ishte i zakonshmi që jepet në rrethana të tilla: “parregullsi teknike” në një përqindje të vogël të firmave të votuesve në mbështetje të kandidimit të tij (gabime në numrat e pasaportave, disa firma ishin të pa noterizuar etj).  

Por arsyeja e vërtetë u dha nga një burim i paidentifikuar i Kremlinit, i cili tha për Meduza (një media e pavarur online) se administrata e Putinit e kishte nënvlerësuar se sa rusë janë në fakt kundër luftës në Ukrainë, dhe se Nadezhdin do të merrte me siguri një rezultat 2-shifror. Kjo ishte realisht një “surprizë e pakëndshme”, e pranoi me sinqeritet burimi brenda kupolës drejtuese të regjimit.

Nga ana tjetër për shumë rusë, nisja e papritur e fushatës së Nadezhdin nuk ishte vetëm një surprizë e këndshme, por një nxitje morale shumë e nevojshme në një shoqëri të çorientuar, të demoralizuar dhe gjithnjë e më shumë të shtypur që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë të Putinit kundër Ukrainës gati 2 vite më parë.

Synimi i përpjekjeve të kombinuara të propagandës dhe i shtypjes (sot në Rusi ka qindra të burgosur politikë, me një numër në rritje të të arrestuarve vetëm pse kanë folur kundër luftës) ishte që rusët kundër luftës të ndjeheshin jo vetëm të frikësuar, por edhe të izoluar dhe të dhe përjashtuar nga bashkatdhetarët e tyre.

Dhe në tërësi këto përpjekje kanë funksionuar. Unë marr dhjetëra letra në postën time të burgut çdo javë nga e gjithë Rusia, dhe gjendja dominuese e tyre për situatën në vend ishte zymtësia dhe dëshpërimi. Le të sqarojmë diçka: Nadezhdin nuk është një udhëheqës i protestës kombëtare.

Ai nuk është Boris Nemtsov apo Alexei Navalny. Nadezhdin, një avokat dhe ish-deputet i parlamentit rus dhe i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është një kritik i kujdesshëm i regjimit të Putinit, i cili deri vonë ftohej rregullisht në emisionet televizive shtetërore.

Për me tepër ai qëndron gjithmonë brenda “vijave të kuqe” të vendosura nga Kremlini në lidhje me diskursin publik. Për shembull, ai i referohet luftës në Ukrainë si “operacion special ushtarak”. Por në manifestin e tij elektoral ai e quajti luftën një “gabim fatal” dhe e shndërroi ndërprerjen e saj të menjëhershme në premtimin e tij kryesor të fushatës që nisi.

Reagimi i publikut nuk ishte parashikuar nga askush, dhe as nga vetë Nadezhdin. Në qytete dhe qytezat anembanë Rusisë - pra jo vetëm metropolet e mëdha, por edhe qendrat e largëta provinciale si Novorossiysk dhe Gorno-Altaysk - njerëzit qëndruan në radhë të gjata në zyrat e fushatës së Nadezhdin për të nënshkruar peticionet e kërkuara për kandidimin etij.

Pritja ishte shpesh disa orë; dhe shumica e tyre ishin të rinj. Pikërisht për këto rradhë - në fakt demonstrata më e madhe kundër luftës në Rusi që nga fillimi i sulmit të Putinit ndaj Ukrainës - shumica e njerëzve më shkruanin përmes postës së burgut në janar.

Ndryshimi i gjendjes së tyre ishte sa i dukshëm aq edhe i papritur. “Ishte e pabesueshme të shihje se sa shumë njerëz mendojnë si ne”- më shkroi një e re, një nënë e divorcuar nga Siberia Lindore. “Për herë të parë në 2 vite, u ndjeva si në shtëpinë time, në vendin tim”- theksoi ajo.

Brenda 4 javësh, më shumë se 200.000 njerëz hodhën firmat e tyre, bashkëngjitur emrit të tyre, adresës së banimit dhe të dhënat e pasaportës në mbështetje të kandidimit të Nadezhdin (një akt shumë i guximshëm, duke pasur parasysh realitetet e Rusisë së Putinit). Ndërkohë dhjetëra mijëra njerëz kanë dërguar donacione për fushatën e time, në total më shumë se 100 milionë rubla (1 milionë e 91.000 dollarë). Një sondazh i kryer nga kompania private Russian Field, tregoi se Nadezhdin do të zinte vendin e dytë pas Putinit dhe shumë përpara kandidatëve pro-luftës nga partitë zyrtare “opozitare”.

Dhe kjo pavarësisht një bojkoti total të fushatës së tij elektorale nga televizioni shtetëror. Dhe akoma më domethënës është fakti që anketuesit shtetërorë e ndalën publikimin e rezultateve të sondazhit në lidhje me zgjedhjet presidenciale. Në përgjithësi, Kremlinit nuk i pëlqejnë surprizat.

Megjithatë kjo situatë duhet të ketë risjellë kujtime të pakëndshme nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusinë fqinje, ku diktatori Alexander Lukashenko u përball me protestat më të mëdha të sundimit të tij pas fushatës së papritur e të fortë të kandidates opozitare Svetlana Tikhanovskaya, e cila në fillim u shpërfill dhe u tall nga regjimi si një “shtëpiake” e vogël provinciale.

Megjithatë historia shpesh bën zgjedhje jo të zakonshme të agjentëve që sjellin ndryshimin. Sigurisht, rezultatet formale të zgjedhjeve ruse të marsit nuk janë në dyshim. Me përjashtimin e Nadezhdin, rusëve që e kundërshtojnë luftën u mbetet vetëm të grisin fletëvotimet e tyre ose të bojkotojnë krejtësisht procesin.

Ndërkohë, Kremlini zotëron më shumë se mjetet e mjaftueshme në kutinë e veglave të tij - nga presioni tradicional i punonjësve të shtetit deri tek votimi masiv dhe i pakontrolluar në internet - për të prodhuar numrat e kërkuar.

Numri zyrtar i votave pro Putin më 17 mars, ka të ngjarë të jetë më i larti në 24 vitet e tij në pushtet. Por ato do të jenë me siguri më larg realitetit se më parë. Mjaftoi një fushatë e vogël fillestare nga një kritik i kujdesshëm, për të demaskuar gënjeshtrën që fshihet pas pretendimeve të Kremlinit për një mbështetje publike të fortë për Putinin dhe për luftën e tij.

“Pak njerëz besuan se mund të ndodhte. Por tani qytetarët rusë mendojnë se ndryshimi në vendin tonë është në fakt i mundur”- deklaroi Nadezhdin para gazetarëve pas mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo nuk do të thotë se ndryshimi do të ndodhë nesër apo muajin tjetër. Por një shoqëri që ndihet më e fuqizuar dhe më e sigurt për veten e saj, kjo është një forcë që duhet marrë në konsideratë. Dhe ky është një lajm i keq për çdo diktator. /Përshtati Pamfleti nga “Washington Post”

Shënim:Vladimir Kara-Murza, është një politikan i opozitës ruse. Ai është burgosur që nga prilli i vitit 2022 për shkak se ka folur kundër luftës në Ukrainë.

rusët lufta putini nadezhdin

Lini një Përgjigje