
Shkalla e vrasjeve në Ekuador është ndër më të lartat në botë. Mafia meksikane, shqiptare dhe kolumbiane po lufton për kontrollin e operacioneve multimilionëshe të drogës atje...
Prej javësh Uashingtoni e ka kthyer luftën ndaj karteleve të drogës në Amerikën Latine si një ndër prioritetet më të larta, ndërsa administrata Trump akuzon Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro si të lidhur me këto kartele dhe kërkon rrëzimin e tij. Duke përqëndruar fregatat ushtarake, trupa dhe avionë në kufijtë e Venezuelës, Trump po i qëndron idesë për largimin me ccdo kusht të Maduros.
Por në mes të përpjekjeve të Uashingtonit për të rivendosur dominimin e tij ushtarak në Amerikën Latine dhe Karaibe, votuesit në Ekuador dhanë një votë të fortë "Jo" ndaj një propozimi të qeverisë për të lejuar bazat ushtarake amerikane atje.
Në një referendum kombëtar të 16 nëntorit me një pjesëmarrje prej 82%, më shumë se 9 milionë ekuadorianë hodhën poshtë një sërë masash të mbështetura nga Presidenti Daniel Noboa, përfshirë një që do t'i kishte lejuar Uashingtonit të rihapte bazat.
Duke përdorur metodën e vjetër të "karrotës dhe shkopit", qeveria amerikane ka qenë duke negociuar rihapjen e një Lokacioni Operativ të Përparuar në Bazën Ajrore Eloy Alfaro në qytetin bregdetar të Mantës. Ushtria amerikane përdori një bazë atje nga viti 1999 deri në vitin 2009, kur qeveria e Rafael Correa vendosi që marrëveshja të skadonte, pas presionit të gjerë popullor.
Presidenti Noboa e promovoi referendumin, duke argumentuar se prania ushtarake amerikane do të ndihmonte në luftën kundër trafikantëve të drogës dhe bandave të dhunshme.
Shkalla e vrasjeve në Ekuador është ndër më të lartat në botë. Mafia meksikane, shqiptare dhe kolumbiane po lufton për kontrollin e operacioneve multimilionëshe të drogës atje.
Por për shumë ekuadorianë, apeli i Noboas për kthimin e ushtrisë amerikane, është konsideruar si një cënim ndaj sovranitetit të vendit.
Pavarësisht pengesës në Ekuador, Uashingtoni vazhdon të zgjerojë vendosjen e tij ushtarake në rajon. Qeveria amerikane thotë se përforcimi i saj ushtarak është një operacion "kundër narkoterrorizmit", duke akuzuar Maduron se drejton një kartel që dërgon drogë në SHBA dhe kërcënon sigurinë kombëtare.
Uashingtoni vazhdon ta përdorë këtë justifikim për përforcimin e forcave të tij ushtarake dhe për hedhjen në erë të anijeve në brigjet e Venezuelës dhe në Paqësor, të cilat pretendon se transportojnë drogë, pavarësisht faktit të njohur gjerësisht se Venezuela nuk është burim i kokainës. Pjesa më e madhe e prodhimit global të kokainës është e përqendruar në Kolumbi, Peru dhe Bolivi.
Për vite me radhë, SHBA e kanë pasur qeverinë e Maduros në shënjestër. Me një ndryshim në qeveri në Venezuelë, Uashingtoni synon gjithashtu t'i japë një goditje të madhe Kubës, e cila merr mbështetje politike dhe naftë nga Karakasi. Që nga viti 1959, përmbysja e revolucionit socialist të Kubës ka qenë një qëllim qendror i të gjitha administratave amerikane, demokrate dhe republikane njësoj.
Ekuadori është një qendër e rëndësishme për dërgesat e kokainës në Evropë, Azi dhe Paqësor. Këto janë destinacione më fitimprurëse për trafikantët e drogës sesa SHBA-të. Një kilogram kokainë thuhet se shitet në Kolumbi për 2,000 dollarë, në Shtetet e Bashkuara çmimi mesatar është 28,000 dollarë, ndërsa i njëjti kilogram (2.2 paund) shitet për 40,000 dollarë në Evropë.
'Narkobananet' e Ekuadorit
Tonelata kokainë transportohen brenda miliona arkave me banane që dërgohen çdo ditë nga porti i Guayaquil-it në Ekuador. Praktika është aq e përhapur sa njihet zakonisht si "narkobanane". Trafikimi i drogës arriti në biznesin familjar të Presidentit Noboa në mars, kur doli një raport që pretendonte se 700 kilogramë kokainë u gjetën në kontejnerë që i përkisnin kompanisë Noboa Trading midis viteve 2020 dhe 2022. Sipas raporteve të Komisionit Evropian, 57% e kontejnerëve me banane nga Guayaquil mbërrijnë në Antëerp të ngarkuar me kokainë.
Rreth 90% e kokainës që shkon në SHBA kalon kufirin SHBA-Meksikë pasi transportohet përmes një korridori nga Amerika Qendrore në Meksikë. Për të shkuar në Karaibe, trafikantët kolumbianë të drogës kalojnë tranzit nëpër territorin e Venezuelës.
Vendosja e SHBA-së kërcënon rajonin
Punëtorët në SHBA dhe në të gjithë hemisferën po e ndjekin me shqetësim në rritje shtimin masiv të aseteve ushtarake të SHBA-së në rajon. Dhe ata vënë në pikëpyetje sulmet ushtarake të Uashingtonit.
Që nga 24 nëntori, ushtria amerikane ka shkatërruar të paktën 21 anije, duke vrarë 83 persona, të cilët sipas saj janë të përfshirë në trafikun e drogës. Qeveria amerikane nuk ka paraqitur prova se këto anije transportonin drogë, dhe as nuk u kanë siguruar njerëzve në bordin e tyre një proces të rregullt ligjor. Shtëpia e Bardhë i ka mbrojtur veprimet, duke thënë se operacionet e rregullta të ndalimit janë joefektive.
Tani ka rreth 15,000 personel ushtarak amerikan në rajon, përfshirë mijëra marinsat dhe grupin luftarak të transportuesit USS Gerald Ford në kufinjtë e Venezuelës, si dhe avionë luftarakë F-35 të vendosur në bazat e sapohapura amerikane në Porto Riko.
Qeveria e Trinidadit dhe Tobagos e ka mbështetur me entuziazëm vendosjen e Uashingtonit. Njësia e 22-të Ekspedicionare Detare dhe helikopterët kryen ushtrime të përbashkëta me ushtrinë atje nga 16 deri më 21 nëntor. Trinidadi dhe Venezuela ndahen nga një gji i vogël vetëm 7 milje i gjerë në pikën e tij më të ngushtë. Sulmet ajrore të SHBA-së kundër anijeve të dyshuara për drogë kanë ngjallur frikë në komunitetet e peshkimit atje. Shumë prej tyre po qëndrojnë më afër bregut, nga frika se mund të bëhen shënjestër.
Gjatë nëntë viteve që baza amerikane operoi në Manta, personeli ushtarak dhe i rojes bregdetare u akuzua për keqtrajtim të vendasve dhe fundosje ose dëmtim të 14 anijeve peshkimi që dyshohet se ishin të përfshira në trafik droge.
Një peshkatar u vra së bashku me ekuipazhin e tij prej 18 personash kur forcat amerikane ia fundosën varkën në vitin 2002. Një i afërm i tij i tha France 24: “nuk ishin kafshët që dolën për peshkim. Ishin prindërit, djemtë, burrat, xhaxhallarët, që shkuan të kërkonin bukë për fëmijët e tyre.” / Përshtatur nga The Militant/
Lini një Përgjigje