TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Korrik 2025, 08:24

Kievi sërish në shënjestër të Rusisë, dy të vrarë dhe 13 të plagosur

Shkruar nga Pamfleti

Kievi sërish në shënjestër të Rusisë, dy të

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi është goditur përsëri gjatë natës nga një sulm masiv me dronë rusë, njoftojnë autoritetet lokale. Dy persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa zjarre të shumta janë përhapur nëpër qytet.

Sipas autoriteteve, mbetjet e një droni ranë mbi çatinë e një ndërtese banimi në lagjen qendrore Shevchenkivskiy. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shpërthime në qiellin e natës, ndërsa njësitë e mbrojtjes ajrore përpiqen të zmbrapsin sulmin.

Ushtria ukrainase ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e një sulmi me raketë balistike.

Mbrëmjen e së martës, Ukraina raportoi sulmin ajror më të madh të Rusisë deri më sot, ku 728 dronë dhe 13 raketa lundruese ose balistike goditën qytete të ndryshme në disa valë.

Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, administrata ushtarake e Kiev-it tha se qyteti ishte në shënjestër në gjashtë rajone të ndryshme.

“Ndërtesa banimi, automjete, depo, zyra dhe godina të tjera jo-rezidenciale janë në flakë, Fatkeqësisht, kemi dy të vdekur. Këta njerëz u vranë nga rusët. Është një humbje e tmerrshme”, shkroi në Telegram kreu i administratës, Tymur Tkachenko.

Banorët e qytetit janë këshilluar të qëndrojnë në strehimore derisa të mbarojë alarmi ajror dhe pas kthimit në banesat e tyre, të mbajnë dritaret mbyllur për shkak të sasisë së madhe të tymit në qytet.

Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan për rrezik të sulmeve me dronë edhe në rajone të tjera të vendit, por ende nuk ka informacion të qartë për viktima jashtë kryeqytetit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar ende mbi këto sulme të fundit.

Lini një Përgjigje