Katër vite pas nisjes së pushtimit të plotë rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022, Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se vendi i tij mbetet i vendosur të angazhohet maksimalisht për arritjen e paqes.
Në prag të aktiviteteve përkujtimore që po zhvillohen në Ukrainë, Zelensky theksoi se, sipas tij, Rusia nuk ka arritur qëllimet e shpallura në fillim të luftës, pavarësisht përballjeve të ashpra dhe luftimeve të zgjatura përgjatë katër viteve.
Në një intervistë për CNN nga Kievi, Zelensky u ndal edhe te roli i Shteteve të Bashkuara, duke shprehur bindjen se presidenti amerikan dhe ekipi i tij janë të interesuar për t’i dhënë fund konfliktit.
I pyetur se çfarë pret nga fjalimi i Presidentit Donald Trump për Gjendjen e Kombit, Zelensky u shpreh: “Dua që ai të qëndrojë në anën tonë”.
Presidenti ukrainas foli gjithashtu për komunikimin me Uashingtonin, duke e cilësuar pozitiv bashkëpunimin mes ekipeve negociuese të dy vendeve. “Ne kemi komunikime të mira midis grupit tonë dhe grupit amerikan”, tha ai, duke shtuar se beson që administrata amerikane synon realisht përfundimin e luftës.
Lufta në Ukrainë vijon të mbetet një nga konfliktet më të mëdha në Evropë në dekadat e fundit, ndërsa përpjekjet diplomatike për zgjidhje mbeten në fokus të bashkësisë ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje