Pamjet e verifikuara me trupa jashtë Qendrës Forenzike zbulojnë jo vetëm koston njerëzore, por edhe strategjinë e pushtetit: izolim total, brutalitet selektiv dhe një “luftë nervash” me Perëndimin...
Pamjet e verifikuara nga Kahrizaku; radhë trupash jashtë Qendrës Forenzike pranë Teheranit dhe familjarë që kërkojnë të afërmit, nuk janë thjesht një episod tronditës i një proteste që doli jashtë kontrollit; ato janë një “dëshmi shtetërore” e krizës së legjitimitetit.
Kur një regjim i mbyllur lejon (ose nuk arrin dot të ndalojë) qarkullimin e pamjeve të tilla, kemi dy mundësi: ose aparati i frikës është çarë, ose frika po përdoret si instrument i ftohtë politik.
Raportimet europiane flasin qartë për verifikim të videos dhe për një sinjal alarmi mbi shkallën e represionit.
Në planin e brendshëm, Kahrizaku është më shumë se morg: është simbol.
Irani e mban mend Kahrizakun si një emër të lidhur me abuzime të rënda ndaj të ndaluarve pas trazirave të 2009-ës, të pranuara pjesërisht edhe nga burime ndërkombëtare në atë kohë. Rikthimi i këtij toponimi në qendër të ciklit të ri të dhunës i jep protestave një kornizë historike: mesazhi i shoqërisë është: “kjo është e njëjta makineri”, ndërsa mesazhi i shtetit është “kjo makineri ende funksionon”.
Por ajo që e bën këtë valë më të rrezikshme për Teheranin nuk është vetëm zemërimi social. Është fakti që protesta po “mbledh” brenda vetes tre kriza njëherësh: ekonomike (rrënim i besimit te monedha dhe mirëqenia), politike (thyerje e frikës) dhe teknologjike (lufta për komunikimin).
Mbyllja e internetit dhe kalimi drejt një izolimi digital të stilit “intranet kombëtar” synon t’i kthejë protestat në ishuj të shkëputur. Por raportimet tregojnë se po shfaqet një ekosistem “kontrabande teknologjike”; nga proxy-t e Telegram te shfrytëzimi i terminaleve satelitore, që e mban gjallë qarkullimin e informacionit dhe, bashkë me të, moralin e rezistencës. Ky është një duel i ri: jo vetëm në sheshe kundër policisë, por edhe në rrjete kundër shtetit.
Pikërisht këtu lind rreziku i madh i përshkallëzimit: kur një regjim e sheh veten të rrezikuar, ai zakonisht ngushton “dritaren e kompromisit” dhe rrit koston e mospajtimit.
Shifrat e viktimave janë të debatueshme dhe të vështira për t’u verifikuar për shkak të ndërprerjeve të komunikimit; megjithatë, edhe vlerësimet më konservatore nga burime ndërkombëtare flasin për qindra të vrarë, ndërsa tani po dalin edhe deklarime zyrtare iraniane për rreth 2,000 të vrarë, të shoqëruara me narrativën standarde “terroristë” dhe “armiq të jashtëm”.
Kjo është thelbësore: pranimi i një numri kaq të lartë (edhe i paketuar propagandistikisht) e shtyn konfliktin në një nivel ku kthimi “si më parë” bëhet politikisht i pamundur.
Ndërkohë, regjimi po përpiqet ta neutralizojë krizën me dy mjete të vjetra: mobilizim të kontrolluar pro-qeveritar dhe delegjitimim të protestës si projekt i importuar. Tubimet e organizuara nga shteti synojnë t’i tregojnë elitës së brendshme se “qendra mban”, dhe jashtë vendit se “shteti është i fortë”. Por në praktikë, këto tubime janë më shumë instrument disiplinimi për aparatin sesa shenjë force shoqërore. Në momentin kur propaganda detyrohet të flasë me megafon, ajo zakonisht po kompenson një boshllëk besimi.
Në planin ndërkombëtar, dosja po kthehet shpejt në një test të ri nervash mes Teheranit dhe Perëndimit. Kërcënimet dhe sinjalet nga SHBA për “opsione” (duke lëvizur mes presionit dhe idesë së negociatave) krijojnë një dinamikë të rrezikshme: Teherani mund ta përdorë frikën nga ndërhyrja e jashtme për të justifikuar dhunën, ndërsa Uashingtoni mund ta përdorë dhunën për të rritur presionin.
Kjo spirale, historikisht, rrallë prodhon demokratizim të shpejtë; më shpesh prodhon militarizim të brendshëm, polarizim dhe një regjim që e zhvendos betejën në terrene të tjera (operacione asimetrike, sulme kibernetike, presion ndaj diasporës).
Këtu hyn edhe dimensioni shqiptar, i cili nuk është periferik. Shqipëria ka qenë tashmë në një përplasje të hapur me Teheranin pas sulmit kibernetik të vitit 2022, që çoi në prishjen e marrëdhënieve diplomatike dhe mobilizimin e mbështetjes perëndimore për një aleat të NATO-s.
Ky precedent tregon se Irani e konsideron hapësirën shqiptare si pjesë të “hartës së kundërpërgjigjeve”, veçanërisht për shkak të pranisë së opozitës iraniane në territorin shqiptar, çka e rrit profilin e rrezikut për incidente hibride.
Nëse represioni në Iran thellohet dhe regjimi kërkon të eksportojë krizën, Ballkani dhe veçanërisht Shqipëria, mund të shfaqen si skena presioni kibernetik, dezinformimi dhe lojërash të shërbimeve. Pra, ajo që duket si dramë e brendshme iraniane, ka potencial të prekë drejtpërdrejt sigurinë tonë kombëtare: nga mbrojtja e infrastrukturës digjitale te koordinimi me NATO-n për kundërmasa.
Në fund, “çështja Kahrizak” është lakmusi: nëse pamjet e morgut kthehen në katalizator që bashkon frikën me zemërimin, regjimi do të zgjedhë ose një represion edhe më total (me izolim të gjatë digital dhe kontroll brutal), ose një manovër të fortë politike për të blerë kohë. Por çdo ditë që trupa grumbullohen dhe interneti fiket, Teherani po e pranon, në mënyrën më cinike, se kontrata sociale është thyer. Dhe kur një regjim e zëvendëson kontratën sociale me morgun, ai nuk po qeveris më: thjeshtë po mbijeton!/Pamfleti
Lini një Përgjigje