Muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse sulmi mbresëlënës i Izraelit kundër Hezbollahut gjatë muajit të kaluar, që tani për tani ka shkaktuar një kundërsulm me raketa balistike nga Irani ndaj Izraelit, do të përjetësojë dhe përshkallëzojë ciklin e pamëshirshëm të dhunës në Lindjen e Mesme, apo do të shënojë një pikë kthese pozitive kundër agresionit të mbështetur nga Irani.

Vrasja nga Izrali e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, e mundësuar nga një shërbim sekret shumë efektiv, si dhe nga një ngarkesë vdekjeprurëse prej rreth 80 bombash që depërtuan në bunkerin e tij në Bejrut, ka përshkallëzuar një kurs përplasjeje midis dy vizioneve shumë të ndryshme mbi të ardhmen e Lindjes së Mesme.
Njëri drejtohet nga Irani dhe përfaqësuesit e tij, përfshirë Hezbollahun në Liban, Huthit në Jemen dhe Hamasin në Gaza. Ky vizion, karakterizohet nga vazhdimi i konfliktit të dhunshëm, dhe synimi i tij është shkatërrimi i Izraelit dhe triumfi i një forme radikale, ekstremiste dhe revolucionare të Islamit.
Ndërsa vizioni i dytë, po merr më në fund iniciativën për të kundërshtuar dhe frenuar ambiciet e Iranit. Ai po përpiqet të degradojë potencialin ushtarak të përfaqësuesve të tij, dhe të hedhë bazat për shfaqjen e mundshme të një Lindje të Mesme dinamike, paqësore dhe modernizuese.
Kursi i dytë parashikon, një rajon më të integruar me kalimin e kohës, me marrëveshje të reja ekonomike dhe në fushën e sigurisë, të cilat do të bazohen tek Marrëveshja e Abrahamit. Më e rëndësishmja, ajo do të përfshinte normalizimin e raporteve izraelito-saudite, si dhe një rrugëtim të sigurt drejt krijimit të shtetit të pavarur të Palestinës.
Vizioni i dytë, mund të duket si një ëndërr e pamundur, duke pasur parasysh kërcënimet reale e të menjëhershme të një lufte në një shkallë akoma më të gjerë. Të hënën, Izraeli njoftoi fillimin e një operacioni tokësor “të kufizuar” në Liban. Ndërsa të martën, Irani lëshoi drejt Izraelit 180 raketa, ku shumica u neutralizuan nga sistemi i mbrojtjes.
Mund të ketë më shumë përshkallëzim te situatës në ditët dhe javët e ardhshme. Por është e rëndësishme të mos e harrojmë këtë potencial historik, teksa Izraeli, Irani, përfaqësuesit e Iranit dhe aktorë të tjerë rajonalë dhe të jashtëm, po mendojnë se cilat do të jenë lëvizjet e tyre të ardhshme.
Është e rëndësishme të kujtojmë se Evropa e ndërtoi rrugën e saj më pozitive, vetëm pas shekujsh të tërë konfliktesh të egra, dhe mbi rrënojat e dy luftërave botërore. Me luftën e vazhdueshme të Rusisë kundër lirisë dhe pavarësisë së Ukrainës, nuk ka mbaruar ende historia e integrimit paqësor të Evropës.
Përkundrazi, ajo ka përparuar shumë përtej pritshmërive të epokës së Luftës së Ftohtë.
Evropa Perëndimore ishte në gjendje ta frenonte ushtarakisht Moskën dhe ta zgjeronte bashkësinë e saj të paqes dhe zhvillimit, vetëm përmes një qasjeje të durueshme dhe të qëndrueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për të frenuar dhe kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.
U deshën më shumë se 40 vite përpjekje për të arritur fitoren e Luftës së Ftohtë. Qasja e sotme e ndaj Iranit, duhet të frymëzohet nga ai model, duke kundërshtuar, penguar dhe izoluar Teheranin në një mënyrë të tillë, që me kalimin e kohës, populli iranian të kërkojë ndryshim përballë joshjes në rritje nga sukseset ekonomike, shoqërore dhe politike të Lindjes së Mesme.
Do të ishte sigurisht e parakohshme, që vdekja e Nasrallahut të shpallet si një pikë kthese drejt kësaj të ardhmeje. Megjithatë, do të ishte një qasje dritëshkurtër që ky moment që të mos shihet si një mundësi për t’u shfrytëzuar në luftën kundër ambicieve rajonale të Iranit dhe përfaqësuesve të tij.
Ajo që i shton rreziqet, është konteksti global i zgjerimit të kauzës së përbashkët të Iranit me Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut. Së bashku, këto vende po përpiqen të shkatërrojnë rendin global, të ndërtuar me aq mund nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj pas Luftës së Dytë Botërore.
Dërgesat e reja të Iranit për Rusinë në raketa balistike me rreze të shkurtër dhe dronë, për luftën e Moskës kundër Kievit, tregojnë më së miri rreziqet globale nga kjo situatë. Por me gjithë përshkallëzimin aktual, disa faktorë japin një lloj shprese afatgjatë.
Së pari, është rëndësia e madhe vdekjes së Nasrallahut, e cila do të pengojë përdorimin prej dekadash nga Irani të milicive të tilla aleate kundër armiqve të tij. Pas vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani nga trupat speciale të SHBA-së në vitin 2020, Nasrallah ishte i dyti për nga rëndësia në të ashtuquajturin “Bosht të Rezistencës”, vetëm pas Udhëheqësit të Lasrtë të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Në gati 4 dekada, që kur Izraeli po luftonte ndaj Hezbollahut me një sukses të kufizuar, ndërsa ai vazhdoi që ta ndërtonte arsenalin e tij si të ishte “maja e shtizës” së Iranit në rajon, vdekja e tij shënon mundësinë më të mirë për të ndryshuar gjërat në Iran.
Së dyti është brishtësia ekonomike e Iranit dhe instinkti i tij për vetë-ruajtje. Jonathan Panikoff i “Atlantic Council”, shpjegon se Irani është i përçarë nga brenda për shkak të vështirësisë për t’iu kundërpërgjigjur Izraelit. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, dhe grupe të tjera radikale, ka të ngjarë të kërkojnë një përgjigje më agresive për të rivendosur parandalimin dhe për të mbështetur Hezbollahun.
Ato janë me siguri fraksionet, të cilat nxitën edhe sulmin e të martës me raketa balistike ndaj Izraelit. Megjithatë, presidenti reformist i Iranit, Masoud Pezeshkian, që mori detyrën në korrik, i ka cilësuar një “kurth” veprimet përshkallëzuese të Izraelit për ta tërhequr Teheranin në një luftë më të gjerë, të cilën ai nuk mund ta fitojë.
Prandaj shmangia e konfliktit të drejtpërdrejtë me Izraelin, është thelbësore për dëshirën e Iranit për të riparuar ekonominë e tij të sëmurë, si dhe për të lehtësuar sanksionet perëndimore kundër tij. Izraeli e ka vendosur Iranin në një pozicion nuk mund të fitojë dot.
Nëse nuk arrin që të përshkallëzojë veprimet e tij dhe të godasë Izraelin, ai e humbet besueshmërinë ndaj përfaqësuesve të tij, të cilët besojnë se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ndihmuar. Megjithatë, përshkallëzimi mund të sjellë sulme hakmarrëse nga Izraeli ndaj vetë Iranit, duke përfshirë edhe objektet e tij bërthamore.
Sulmi i martës, duket si një lloj kompromisi. Ai ngjan si një sulm i madh për të qetësuar radikalët dhe për të blerë kohë për udhëheqjen e Iranit, por pa shkuar aq larg sa të shkaktojë një luftë më të gjerë me Izraelin apo me keq akoma me Shtetet e Bashkuara.
E treta dhe më e rëndësishmja:veprimet e fundit të Izraelit, kanë dëshmuar sërish aftësinë e madhe të shërbimeve të tij sekrete, dhe e kanë forcuar aftësinë e tij për të frenuar armiqtë. Që të dyja ishin vënë në pikëpyetje serioze pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi 1.200 të vdekur në Izrael, dhe shkaktoi më pas një konflikt, që deri tani i ka marrë jetën rreth 40.000 njerëzve në Gaza.
Ishte cilësia e jashtëzakonshme e shërbimit sekret izraelite, ajo që ka lejuar edhe ndryshimin të madh të kursit të Izraelit me Hezbollahun. Dhe ishin të dhënat e sakta, ato që i dhanë mundësi Izraelin të vriste në fund të korrikut Fuad Shukr, një nga ushtarakët më të rëndësishëm të Nasrallahut, dhe të sabotonte muajin e kaluar mijëra radiomarrëse.
Po ashtu, ishte e nevojshme të përcaktohej vendndodhja e saktë e Nasrallah, dhe të dhënat do të vlenin dhe për planifikimin e operacioneve të tij tokësore në Liban. Ndërkaq vendet që nënshkruan Marrëveshjen e Abrahamit me Izraelin, shpresojnë ende të rinisin kursin e normalizimit të marrëdhënieve , i cili do të jetë vendimtar nëse Izraeli do të arrijë të kthejë valën, në atë që është bërë kërcënimi më ekzistencial për shtetin hebre që nga Lufta e Yom Kipurit e vitit 1973.
Askush nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet me Izraelin, dhe as nuk është tërhequr nga marrëveshjet. Dhe ndërsa shumë vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë synuar të ulin tensionet me Iranin, ato e bëjnë këtë duke qenë vigjilente mbi kërcënimin e vazhdueshëm që përfaqëson Irani, dhe me besimin e palëkundur se në një periudhë afatgjatë, Izraeli do të integrohet më shumë në Lindjen e Mesme, pak e shumë siç dëshiron Irani për veten.
Ajo mbi të cilën nuk bien ende dakord, është mënyra për ta arritur këtë. Dhe ato e kanë kundërshtuar fort qasjen e Izraelit ndaj Gazës por edhe më gjerë. Pra jemi ende larg synimit për të ndërtuar një rend të ri në Lindjen e Mesme. Megjithatë, është ky vizion që duhet të frymëzojë përgjigjet ndaj krizës aktuale, duke i kthyer kërcënimet e shumta në një mundësi historike që nuk duhet humbur.
Shënim: Frederick Kempe, president dhe drejtues ekzekutiv i “Atlantic Council”.
Lini një Përgjigje