Shpresa e vetme, është që edhe italianët të zemërohen pak më tepër, sepse herët a vonë do të mbarojnë edhe kursimet private të prindërve. Në atë moment, ata mund t’i kërkojnë llogari një klasë politike, e cila 40 vitet e fundit ka bërë shumë pak për të mbrojtur klasën e mesme...

“Sipas të dhënave të ISTAT të këtij viti, 5.7 milionë italianë jetojnë në varfëri absolute. Këta janë njerëz që mezi arrijnë të paguajnë qiratë, faturat e përmuajshme dhe për të ngrënë. 1 në 10 italianë nuk mund ta dërgojë fëmijën e tij në ekskursion me shkollën, pasi edhe shuma 40 euro është një shpenzim i lartë për t’u përballuar.
Ka të rritur që nuk kanë mundësi të shohin një film në kinema. Për disa familje, argëtimi i vetëm është porositja e nga një racioni picë të shtunën në mbrëmje, dhe ngrënia e tyre në shtëpi. Deri kur do të na duket normale kjo situatë?”. Gazetari Riccardo Staglianò - që prej gati 20 vitesh shkruan artikuj dhe investigime për rubrikën e të premtes në gazetën La Repubblica - e nisi pikërisht nga kjo pyetje shkrimin e librit të tij më të fundit.
“Të pasurit fituan” (botuar nga Einaudi), shpjegon se si lufta e klasave, ka sjellë triumfin e super të pasurve, kjo edhe falë një të majte e cila e ka humbur plotësisht aftësinë për të përfaqësuar elektoratin e saj tradicional. Megjithatë ky rezultat nuk është përfundimtar, dhe shenjat e një reagimi janë tashmë të dukshme. Kursi mund të ndryshojë për shumicën e italianëve.
Le ta nisim këtë bisedë me të dhënat e cituara në kopertinën e librit. Pagat në Itali janë ulur gjatë 30 viteve të fundit, i vetmi vend në Evropë. E megjithatë askush nuk rebelohet. Pse?
Duket sikur ka ndodhur një dorëzim, pasi italianët janë shumë të zënë me mbijetesën e përditshme. Në libër, sociologu Antonio Schizzerotto, jep një këndvështrim shumë interesant për të kuptuar konceptin:nëse e gjen veten në radhë para mensës së Caritas-it duke pritur për një vakt ushqimor, atëherë nuk mendosh të nisësh një revolucion. Pasi synimi juaj është të arrini të mbijetoni deri në fund të ditës, pastaj në fund të javës dhe të muajit.
Andrea Morniroli i kooperativës “Dedalus” - një organizatë napolitane e jashtëzakonshme që ndihmon njerëzit në vështirësi - priste protesta të mëdha në rrugët e Napolit pas anulimit nga qeveria të ndihmës sociale, të njohur si “të ardhurat nga shtetësia”. Megjithatë, nuk ndodhi asgjë, pavarësisht pakënaqësisë së madhe që shkaktoi vendimi. Nga ana tjetër, u vu re një ndryshim tjetër:familjet u kërkonin fëmijëve të tyre, madje edhe të miturve, që të kërkonin një punë. Kjo është një dëshmi tjetër, që ndihmon për të kuptuar konceptin: qëllimi kryesor është të mbijetosh.
A është vota për Giorgia Melonin simptomë e këtij zemërimi të shprehur dobët?
Pjesërisht po. A nuk ka një paradoks të madh në këtë histori? Disa vite më parë në SHBA, njerëzit e shteteve qendrore të SHBA-së, dhe që ndiheshin të lënë pas dore nga qeveria, që e kishin humbur punën, ishin penalizuar nga globalizmi, votuan për një miliarder, edhe pse ai kishte një CV që tregonte se nuk kishte asnjë lidhje apo interes për mirëqenien e punëtorëve.
Madje në të kaluarën, Trump e kishte shfrytëzuar fuqinë punëtore. Megjithatë njerëzit e harruan atë fakt dhe e zgjodhën president. Gjatë fushatës elektorale, ai u shpreh i gatshëm t’i mbronte këta njerëz, që ishin viktimë e pasojave të globalizimit. Kur mori drejtimin e qeverisë veproi ndryshe, megjithatë premtimet patën sërish efektin e tyre.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Melonin. Narrativa e saj fituese, u bazua tek ajo e një konkurrenteje që e niste garën në dizavantazh, duke qenë e rritur në një lagje jo të pasur, dhe që e vetme dhe falë vullnetit të saj arriti të bëhej gruaja më e pushtetshme në Itali. Problemi është se e majta e ka humbur tërësisht aftësinë për të përfaqësuar elektoratin e saj tradicional, pra klasën punëtore.
Si ndodhi kjo?
Në libër unë jap shumë shembuj se si e majta gaboi gjithçka, duke u shndërruar në një lloj kopje qesharake të djathtës, madje edhe tek politikat fiskale. Fjala “taksë” është bërë toksike. Kushdo që e thotë i humb zgjedhjet. Është e vërtetë që Italia ka një barrë tatimore dukshëm të lartë në krahasim me pjesën tjetër të botës.
Por kjo vetëm sepse ato nuk i paguajnë një grupim njerëzish. Ne jemi vendi i një evazioni fiskal të shfrenuar. Të thuash në mënyrë abstrakte që “taksat nuk do të rriten”, nuk është ndonjë meritë. Sepse duhen para për ta mbajtur një sistem të mirëqënies sociale, për t’i ndihmuar njerëzit në vështirësi. Dhe këto para vijnë nga taksat. Për të mos i detyruar të varfrit të paguajnë taksa, të pasurit duhet të paguajnë më shumë taksa.
Si arritëm në këtë pikë? Si u varfëruan të varfrit dhe u pasuruan të pasurit?
Nëpërmjet një serie të gjatë veprimesh, që nisën që në vitet 1980, falë çiftit të çuditshëm të përfaqësuar nga Margaret Thatcher në Britaninë e Madhe dhe Ronald Reagan në Shtetet e Bashkuara. Që nga ajo kohë, neo-liberalizmi është bërë ideologjia ekonomike mbizotëruese. Shtyllat e saj ishin të thjeshta:taksa më të ulëta dhe shtypje e sindikatave, pasi ato e pengojnë sipërmarrjen e lirë. Është një politikë fiskale, nga e cila kanë përfituar të pasurit në kurriz të të varfërve. Sepse nëse mbledh më pak para në taksa, atëherë ke më pak para për të paguar shërbimet sociale, spitalet, shkollat.
Çfarë shteti është sot Italia?
Italia është një vend me një borxh publik të jashtëzakonshëm dhe me kursime të mëdha private. Brezat e mëparshëm, që ishin ekonomikisht shumë më mirë se ata aktualë, grumbullonin para për t’i lënë mënjanë. Por prindërit e mi, janë ndoshta brezi i fundit që kanë kursime private.
Ata ndihmuan fëmijët e tyre të rritur, madje edhe ata mbi të 40-at, duke i harxhuar gati të gjitha kursimet.
Pastaj ka një tjetër fakt strukturor: ne jemi një vend me shumë pronarë pasurish të paluajtshme. Shumica e italianëve zotërojnë një shtëpi, ndoshta edhe të trashëguar nga prindërit apo gjyshërit e tyre. Ky është një lloj shpëtimi për ta, duke shmangur skenarin e të mbeturit të pastrehë. Po ashtu, jemi bërë edhe vendi i bujtinave.
A është i qëndrueshëm ky model? Që në vitin 2020, ju paralajmëruat mbi rreziqet e turizmit të tepërt. A është Airbnb shpëtimi apo rrënimi ynë?
Ashtu si shumë forma të tjera të rrjeteve të sigurisë sociale, Airbnb e ka amortizuar disi efektin e pagave të ulëta të kategorie punëtorësh, veçanërisht të rinjve, të cilët e sigurojnë jetesën duke marrë me qira shtëpitë e prindërve ose gjyshërve të tyre. Unë kam respekt maksimal për këtë aktivitet të zëvendësimit të të ardhurave, por nuk besoj se kjo mund të jetë strategjia e zhvillimit të një vendi. Sektori i turizmit ka marzhe të ulëta fitimi, dhe njerëzit që punojnë në këtë fushë fitojnë pak. Ne duhet të rimendojmë politikat industriale. Kemi nevojë për industri që krijojnë vende pune dhe që janë të mirë-paguara.
“Të pasurit fituan”: A janë të destinuara gjërat të mbeten kështu?
Jo, libri bart shpresën se gjërat mund të ndryshojnë. Në botë mund të shihen re shenja të vogla revolte, të cilat mund ta përmbysin këtë gjendje. Padyshim, unë shpresoj për një revolucion pa gjak. Do të doja që njerëzit ta kuptojnë se si janë gënjyer vitet e fundit, madje edhe nga një e majtë që ka humbur shumë nga vetja e saj.
Shpresa e vetme, është që edhe italianët të zemërohen pak më tepër, sepse herët a vonë do të mbarojnë edhe kursimet private të prindërve. Në atë moment, ata mund t’i kërkojnë llogarinjë klasë politike, e cila 40 vitet e fundit ka bërë shumë pak për të mbrojtur klasën e mesme./ Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje