
Me gjithë shkëlqimin e tij në zbatimin e operacioneve të shkëlqyera dhe fitoreve taktike kundër forcave më superiore në numra, Tel Avivi nuk duket se ka ende një strategji të qartë se si ta thyejë fuqinë iraniane...
Gjatë 3 javëve të fundit, Izraeli na ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të operacioneve ushtarake të suksesshme të udhëhequra nga shërbimet sekrete. Përmes sabotimit të radiomarrëseve, sulmeve ajrore të sakta dhe bombardimit të bunkerit ku fshihej Hassan Nasrallah, që të gjitha në kohën e duhur, izraelitët e kanë asgjësuar thuajse të gjithë strukturës komanduese të Hezbollahut, organizatës më të madhe dhe më të fuqishme terroriste në rajon.
Një sukses kaq i madh, dhe në një kohë kaq të shkurtër, është absolutisht befasues dhe i paprecedentë. Ai pason fushatën e Gazës, që nisi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve terroriste barbare të Hamasit më 7 tetor 2023, operacionet kryesore të së cilës në përgjithësi kanë përfunduar. Edhe kjo fushatë ka qenë një sukses ushtarak, në kuptimin që Izraeli e ka arritur objektivin e tij të menjëhershëm për ta dëmtuar rëndë Hamasin, shkatërruar tunelet e tij dhe rivendosur kontrollin e tij mbi Gazën.
Po ashtu, me ndihmën e aleatëve, Izraeli ka kryer pothuajse me përsosmëri jo një por dy operacione të mbrojtjes ajrore dhe raketore përballë sulmeve të mëdha raketore të nisura nga Irani, së pari në prill, dhe së dyti të martën e javës së kaluar. Pra duket sikur Izraeli nuk mund të mposhtet, dhe se çdo përpjekje për ta shkatërruar atë do të dështojë.
Por realiteti mund të jetë disi më ndryshe. Pavarësisht këtyre sukseseve, vazhdojnë të ekzistojnë dilemat strategjike dhe pozicioni i pasigurt i Izraelit, dhe kjo për disa arsye. Ne duhet të vlerësojmë përmasat e plota të problemit që ka sot Tel Avivi. Siç është shprehur vetë kryeministri Benjamin Netanyahu, Izraeli po zhvillon një “luftë me shtatë fronte”.
Në jug, në Gaza, është Hamasi dhe më tej në Jemen, janë rebelët Huthi. Në veri, në Liban është Hezbollahu. Siria, që kufizohet me Izraelin përgjatë Lartësive të Golanit, është fronti i katërt dhe de fakto një vasale e Iranit. Presidenti Assad ia detyron mbijetesën e tij në pushtet Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane (IRGC), që financon, pajis dhe drejton një rrjet të tërë milicish xhihadiste të lidhura me Iranin në Siri, që supozohet se numërojnë 60.000-100.000 luftëtarë.
Kjo forcë përbën një kërcënim të vazhdueshëm kundër Izraelit, ndaj në atë rajon ka përleshje të vazhdueshme dhe sulme ajrore. Tre “frontet” e fundit me të cilat përballet Izraeli janë Bregu Perëndimor (një zonë tepër sfiduese për të shmangur depërtimin e terroristeve), Forcat e Mobilizimit Popullor të mbështetura nga Irani (PMF) që kontrollojnë Irakun dhe vetë Irani. Sukseset e Izraelit kanë qenë të mëdha, por ato duhen parë në kontekstin e “Unazës së Zjarrtë” iraniane që e rrethon, burimet e përbashkëta të së cilës janë ende të mëdha.
Së dyti, Hezbollahu është në rënie, por jo tërësisht jashtë loje. Tani ka filluar emërimi i udhëheqësve dhe komandantëve të rinj. Ai do të vuajë për disa kohë në aspektin organizativ, por askush nuk është i pazëvendësueshëm. Forca e tij luftarake - afro 50.000 terroristë - nuk është angazhuar ende në një shkallë të gjerë dhe mbetet në gatishmëri.
Ai përfiton edhe nga një infrastrukturë e fuqishme mbështetëse e drejtuar nga IRGC dhe burime njerëzore shtesë në Siri. Pozicionet dhe infrastruktura ushtarake të vendosura në vijën e parë, janë shkatërruar nga Forcat Ajrore izraelite. Por pjesa më e madhe e arsenalit të tij, sidomos e 30.000 mijë raketave më saktësi të madhe dhe me rreze të gjatë veprimi, janë ndoshta ende të përdorshme.
Kërcënimi nga raketat e mëdha që mund të çajnë Kupolën e Hekurt, ka qenë gjithmonë kërcënimi më i madh për Izraelin nga veriu, dhe ngjarjet e fundit nuk e kanë ndryshuar këtë. Në këto rrethana, dhe në dalim nga Gaza, situata në Liban do të jetë shumë më e vështirë për të prodhuar një përfundim të kënaqshëm ushtarak për Izraelin.
Së treti, pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të Forcave Ajrore të SHBA-së, Izraeli nuk ka opsione vendimtare sulmi kundër programit bërthamor të Iranit. Shkatërrimi i këtyre objekteve kërkimore bërthamore super të fortifikuara dhe të ndërtuara në thellësi të maleve, kërkon përdorimin e bombave të mëdha 15-tonëshe GBU-57/B, të cilat i ka vetëm SHBA-ja dhe që mund të lëshohen vetëm nga avionët e saj bombardues B-2.
Izraeli mund të ndërmarrë vetë një operacion më të vogël, por përballja me mbrojtjen ajrore iraniane në distanca disa mijëra kilometra përmban shumë rreziqe. Por edhe nëse është i suksesshëm, një operacion i tillë ka të ngjarë të dëmtojë vetëm pjesërisht programin bërthamor të Iranit, me kjo me koston e nxitjes së një lufte në shkallë rajonale.
Së katërti, fuqia e SHBA-së në rajon është në rënie, fakt që vetëm sa e dobëson pozicionin e Izraelit në planin afatgjatë. Në nivelin makro, kjo është një prirje afatgjatë e lidhur me riorganizimin më të gjerë gjeostrategjik të balancës globale të fuqisë, që po e detyron SHBA-në të përqendrojë më shumë nga burimet e saj në kundërvënien ndaj Kinës në Paqësorin Perëndimor.
Kjo sjell tërheqjen e një pjesë të burimeve nga Evropa dhe Lindja e Mesme. Zhvendosja e vëmendjes më në Lindje, është pjesë e një cikli historik të angazhimit të madh dhe të kushtueshëm të SHBA-së në rajon, i cili tani po mbyllet pikërisht në kohën kur revolucioni energjetik i Amerikës, e ka zhdukur nevojën e drejtpërdrejtë për naftën e Gjirit Persik.
Problemi i pestë i rëndësishëm, ka të bëjë me krizën e afërt që e pret ekonominë izraelite. Shkalla e madhe e sfidës ushtarake është mirëmbajtja e ushtrisë - që mbështetet shumë tek qindra mijëra rezervistë - të mobilizuar me shpejtësi dhe për një kohë të gjatë. Përveç kësaj, është një numër i madh njerëzish të zhvendosur brenda vendit, ku rreth 70.000 janë vetëm nga veriu, si pasojë e sulmeve raketore të Hezbollahut.
Ekonomia izraelite, nuk është e strukturuar për këtë lloj skenari. Lufta po sjell mungesa të fuqisë punëtore në industri, e cila po kalon në një aktivitet ekonomik më të ngadaltë, dhe madje me një rritje të numrit të falimentimeve. Për më tepër, po shtohet kostoja e vetë luftës. Pastaj nuk duhen harruar edhe efektet e dëmshme në klimën e investimeve apo sektorë si turizmi.
Për të gjitha këto arsye, ekonomia izraelite po tkurret me shpejtësi. Rritja është ende pozitive këtë vit, me mbi 2 për qind, por ka rënë më shumë se 4 për qind në krahasim me tendencën e para sulmeve të 7 tetorit 2023. Sigurisht, Izraeli ka ende shumë hapësirë ekonomike për ta lejuar atë të zhvillojë luftën siç e sheh të arsyeshme nga pikëpamja ushtarake.
Dhe kur flitet për luftërat e mbijetesës, shembulli aktual i Ukrainës tregon se sa shkatërrim ekonomik mund të durohet kur rreziku është ekzistencial. Megjithatë faktori ekonomik, sidomos në një demokraci të përparuar si Izraeli, do të hyjë në lojë gjithnjë e më shumë në nivelin politik, dhe do të kufizojë opsionet e Izraelit për një periudhë afatgjatë.
Si përfundim, Izraeli po fiton betejat, por jo ende luftën. Të gjitha sukseset e tij kundër perandorisë së errët të Iranit duhet të vlerësohen, por duhet pasur parasysh edhe tabloja më e madhe. Me gjithë shkëlqimin e tij në zbatimin e operacioneve të shkëlqyera dhe fitoreve taktike kundër forcave më superiore në numra, Tel Avivi nuk duket se ka ende një strategji të qartë se si ta thyejë fuqinë iraniane./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”
Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjitë me qendër në Londër.
Lini një Përgjigje