Autoritetet shëndetësore italiane kanë aktivizuar strukturat laboratorike dhe rrjetin infektivologjik pas rasteve të lidhura me Hantavirusin, megjithëse ekspertët theksojnë se situata mbetet nën kontroll dhe nuk ka arsye për panik.
Në rajonin e Lombardisë janë vënë në gatishmëri laboratorët e spitaleve “Sacco” në Milano dhe “San Matteo” në Pavia, ndërsa janë njoftuar edhe repartet e urgjencës në rast të zhvillimeve të reja.
Andrea Gori, profesor i Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Milanos dhe drejtues i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në spitalin “Fatebenefratelli Sacco”, deklaroi për ANSA se sistemi italian i kontrollit është i përgatitur dhe i koordinuar.
Sipas tij, një nga elementët që kërkon vëmendje është periudha e gjatë e inkubacionit të virusit. Ndryshe nga Covid-19, simptomat e Hantavirusit mund të shfaqen edhe deri në gjashtë javë pas infektimit.
Ndërkohë, mediat italiane raportuan se një 25-vjeçar nga Kalabria, i cili kishte udhëtuar me të njëjtin avion ku ndodhej për pak minuta një grua nga Afrika e Jugut që më pas humbi jetën nga virusi, ka shfaqur simptoma të dyshuara.
I riu ndodhej tashmë në karantinë dhe fillimisht u raportua se do të transferohej në spitalin “Spallanzani” në Romë për ekzaminime të mëtejshme.
Megjithatë, presidenti i rajonit Lazio, Francesco Rocca, sqaroi më vonë se kishte pasur një keqkuptim në komunikimin mes mjekëve dhe se në spital do të dërgohen vetëm mostrat biologjike të pacientit për analiza laboratorike.
Autoritetet italiane vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ekspertët theksojnë se për momentin niveli i rrezikut mbetet i ulët.
Lini një Përgjigje