
Kriza politike brenda qeverisë britanike është thelluar pas një serie dorëheqjesh që kanë shtuar presionin ndaj kryeministrit Keir Starmer.
Ministri i Shëndetësisë, Zubir Ahmed, u bë zyrtari më i fundit që dha dorëheqjen, duke deklaruar se publiku britanik “e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme besimin te Starmer si kryeministër”.
Në letrën e tij të publikuar në platformën X, Ahmed kritikoi drejtimin e qeverisë, duke theksuar se arritjet e kabinetit po “zbehen dhe minohen nga mungesa e një lidershipi të udhëhequr nga vlerat”.
Dorëheqja e tij erdhi vetëm disa orë pasi tre ministre të tjera njoftuan largimin nga qeveria. E para ishte ministrja për Komunitetet, Miatta Fahnbulleh, e cila në letrën drejtuar Starmer shkroi se Britania ka nevojë për ndryshim, por “publiku nuk beson se ju mund ta udhëhiqni këtë ndryshim dhe as unë”.
Më pas, Jess Phillips dha dorëheqjen nga posti i ministres për Mbrojtjen dhe Sigurinë Sociale, duke deklaruar se “veprimet kanë më shumë rëndësi se fjalët”.
Pak më vonë, edhe Alex Davies-Jones njoftoi largimin nga qeveria, duke i kërkuar kryeministrit britanik të “veprojë në interes të vendit dhe të përcaktojë një afat për largimin”.
Sipas mediave britanike, më shumë se 80 deputetë të Partisë Laburiste i kanë kërkuar tashmë Starmer të japë dorëheqjen menjëherë ose të shpallë një kalendar për tërheqjen e tij nga drejtimi i partisë dhe qeverisë.
Megjithatë, raportimet tregojnë se mbi 100 deputetë laburistë kanë firmosur një deklaratë në mbështetje të kryeministrit, duke argumentuar se “ky nuk është momenti për një garë për lidershipin”.
Nga ana e tij, Starmer deklaroi gjatë një mbledhjeje të kabinetit se do të “vazhdojë të qeverisë” dhe këmbënguli se nuk është hapur asnjë garë për drejtimin e Partisë Laburiste.
Sipas mediave britanike, zhvillimet e fundit konsiderohen si sfida më e madhe politike për Starmer që prej marrjes së detyrës si kryeministër.
Lini një Përgjigje