“Nuk pajtohem me kritikat e Merz ndaj kulturës ‘MAGA’. Këto janë vlerësime politike; çdo lider shpreh qëndrimet që i konsideron të përshtatshme, por nuk është çështje që i takon Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi komentet e kancelarit gjerman.
Nga Etiopia, ku po zhvillohet Konferenca Itali–Afrikë, Meloni theksoi se duhet bërë më shumë për të forcuar marrëdhëniet mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo shtoi se “Europa duhet të merret më shumë me veten”, veçanërisht në fushën e sigurisë.
“Duhet të vlerësojmë më shumë atë që na bashkon. Kjo është thelbësore, sidomos për vendet europiane dhe për Italinë”, u shpreh ajo, duke iu referuar partneritetit transatlantik.
Meloni theksoi gjithashtu se Europa duhet të punojë për t’u rikthyer si një aktor i vërtetë gjeopolitik në skenën ndërkombëtare.
Sa i përket Bordit të Paqes, kryeministrja italiane njoftoi se Italia do të marrë pjesë si vend vëzhgues.
Lini një Përgjigje