
“Së pari, është shumë shqetësues zemërimi i njerëzve me ndërprerjet e shpeshta të energjisë… Së dyti kur rritet kursi i këmbimit të monedhës tonë, të gjithë rrisin çmimet duke përmendur si justifikimin kursin e këmbimit. Por tani askush nuk do të ulë çmimet...”.
Ditët e fundit, parlamenti i regjimit iranian (Mexhlis) ka shfaqur frikë dhe shqetësim për pakënaqësitë e forta midis punëtorëve dhe segmenteve të privuara të shoqërisë, dhe potencialin që kriza e jetesës së përditshme, së bashku me mungesën e ujit dhe energjisë elektrike, të shndërrohen në kërcënime të sigurisë për regjimin klerikal.
Më 23 prill, deputeti Mohammad Jamalian raportoi: “Një çështje tjetër e rëndësishme është problemi serioz i furnizimit me ujë. Po flas për një çështje, e cila më shumë se kurrë kërkon një mirëkuptim kombëtar, konsensus menaxherial dhe veprim praktik. Uji është një element jetik, dhe nëse vonojmë marrjen e masave, do të shndërrohet në një krizë sociale, ekonomike dhe të sigurisë...”.
Ndërkohë më 21 prill, në një artikull të titulluar “Teherani në prag të thatësirës së rëndë”, portali shtetëror i lajmeve, Mashregh News, iu referua krizës së ujit dhe rrëshqitjes së tokës si sfida sigurie, duke theksuar: “Provinca e Teheranit, me një popullsi prej mbi 20 milionë banorësh,
po përballet me një nga krizat e saj më të rënda të burimeve ujore. Sfidat e njëpasnjëshme e dobësimit të sigurisë nëntokësore, e ka kthyer atë në një rrezik për sigurinë kombëtare”.
Por sfidat dhe “kriza e sigurisë” nuk kufizohen tek problemet e furnizimit me ujë dhe rrëshqitjet e tokës. Të mërkurën e 23 prillit, Ezzatollah Habibzadeh, një deputet tjetër i parlamentit të regjimit, vuri në dukje inflacionin e shfrenuar dhe tha: “Sot, ne përballemi me sfida të mëdha. Inflacioni dhe çmimet e larta i kanë lodhur njerëzit. Çmimet rriten çdo ditë, por të ardhurat mbeten në vend.
Taksat e padrejta po i falimentojnë tregtarët dhe prodhuesit. Papunësia e të rinjve, është bërë një problem kombëtar. Pasja e një shtëpie, është bërë një ëndërr për shumë të rinj. Qiratë e larta e kanë rënduar jetën e shumë familjeve…Njerëzit nuk mund dëgjojnë më premtime të përsëritura por të pa mbajtura”.
Zyrtarët e regjimit dhe mediat e lidhura me shtetin, shprehin gjithashtu frikën mbi rrezikun e protestave, kryengritjeve popullore dhe “krizave të sigurisë” për regjimin, duke cituar statistika mbi varfërinë dhe inflacionin.
Më 19 prill, gazeta shtetërore Ebtekar shkruante: “Varfëria po rritet me një ritëm eksponencial, pasi artikujt ushqimorë përbëjnë 35 për qind të shportës së shpenzimeve të familjeve, dhe çdo rritje çmimi shtyn miliona njerëz nën këtë prag. Inflacioni i shfrenuar i ushqimeve vazhdon, ndërsa rritja e pagave nuk arrin as gjysmën e normës së inflacionit. Kjo pabarazi po thellohet gjithnjë e më shumë...”.
Më 24 prill, faqja e internetit Bahar News, publikoi një raport tronditës mbi normën e inflacionit: “Norma e saj arriti nivelin më të lartë në 2 vitet e fundit… Ekonomia e Iranit përjetoi edhe një herë një rritje të paprecedentë të indeksit të inflacionit. Vala e rritjes së çmimeve, këtë herë jo vetëm tek mallrat e konsumit të përditshëm, por edhe në transport, kujdes shëndetësor, madje edhe në fruta dhe arra, ka ndikuar në jetën e miliona iranianëve”.
Një tjetër deputet i parlamentit të regjimit, Mojtaba Zolnouri, teksa shprehu shqetësimin për shpërthimin e zemërimit publik dhe krizën e sigurisë për regjimin, nënvizoi padurimin dhe zhgënjimin e njerëzve: “Së pari, është shumë shqetësues zemërimi i njerëzve me ndërprerjet e shpeshta të energjisë… Së dyti kur rritet kursi i këmbimit të monedhës tonë, të gjithë rrisin çmimet duke përmendur si justifikimin kursin e këmbimit. Por tani askush nuk do të ulë çmimet...”.
Këta shembuj, vetëm një pjesë e vogël e krizave që kaplojnë regjimin, janë shenja të qarta se këto kriza i kanë tronditur themelet e regjimit dhe janë shndërruar në një problem “sigurie”
për të. Përleshjet e brendshme që shpërthejnë herë pas here në parlamentin e regjimit lidhur me thellimin e krizës të jetesës dhe asaj ekonomike, reflektojnë shqetësimin e tyre për pasojat e sigurisë të këtyre krizave dhe rrezikun e protestave të afërta që kërcënojnë “sigurinë” dhe ekzistencën e vetë regjimit./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje