Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se disa vende kanë ofruar mbështetje për bllokadën detare të vendosur ndaj porteve iraniane, por theksoi se Uashingtoni nuk ka nevojë për ndihmë të jashtme.
“Ne nuk kemi nevojë për vende të tjera, sinqerisht, por ato kanë ofruar shërbimet e tyre”, u shpreh Trump para gazetarëve, duke shtuar se detajet mbi këto oferta mund të bëhen publike së shpejti.
Deklaratat e tij vijnë pak orë pasi SHBA vendosën zyrtarisht bllokadën detare ndaj Iranit dhe pas dështimit të negociatave të fundjavës në Pakistan për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Trump konfirmoi se administrata e tij ka marrë një kontakt nga pala iraniane, duke theksuar se Teherani “dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje”. Megjithatë, ai nënvizoi se pengesa kryesore mbetet programi bërthamor i Iranit.
“Ne ramë dakord për shumë gjëra, por ata nuk ranë dakord për këtë. Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, deklaroi ai, duke shtuar se nëse kjo pikë nuk pranohet, atëherë “nuk do të ketë marrëveshje”.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu pasoja në rast se nuk arrihet një marrëveshje deri në përfundim të armëpushimit dyjavor të shpallur më herët. “Nuk do të jetë e këndshme për ta”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në deklaratat e mëparshme, Trump kishte paralajmëruar edhe masa më të ashpra, përfshirë goditje ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit, ndërsa kishte theksuar se rezultati i negociatave nuk është vendimtar për qëndrimin amerikan.
Një tjetër prioritet i shpallur nga presidenti është rikuperimi i uraniumit të pasuruar që ndodhet në Iran. “Do ta marrim mbrapsht. Ose do ta marrim prej tyre, ose do ta marrim vetë”, u shpreh ai.
Trump argumentoi se bllokada detare synon të ndalojë atë që ai e cilësoi si “shantazh” nga ana e Iranit ndaj komunitetit ndërkombëtar. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk varen nga Ngushtica e Hormuzit për furnizimin me energji, duke theksuar se vendi ka burime të bollshme nafte dhe gazi.
Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se shumë vende po i drejtohen SHBA për furnizime me energji, ndërsa shprehu bindjen se situata mund të zgjidhet përpara përfundimit të afatit aktual.
Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një rritje të tensioneve, ndërsa mbetet e paqartë nëse përpjekjet diplomatike do të çojnë në një marrëveshje apo në një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Hahaha….MASHTRUES!!! Paska mjaft burime nafte dhe gazi eahh… Hahaha…1 galon shitet nga 4:50 deri ne 10 dollar(ne California).