Vendet anëtare të NATO-s kanë njoftuar se nuk do të përfshihen në planin e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur një bllokadë në Ngushticën e Hormuzit, duke propozuar ndërhyrje vetëm pas përfundimit të luftimeve. Ky qëndrim pritet të rrisë tensionet brenda aleancës.
Presidenti Trump ka deklaruar se ushtria amerikane do të bashkëpunojë me vende të tjera për të bllokuar qarkullimin detar në ngushticë, pasi bisedimet mes SHBA dhe Iranit gjatë fundjavës nuk arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit.
Më pas, ushtria amerikane sqaroi se bllokada, e cila pritej të hynte në fuqi në orën 17:00 sipas kohës së Greqisë, do të zbatohet vetëm për anijet që shkojnë drejt ose vijnë nga portet iraniane.
Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani ka kufizuar në masë të madhe kalimin në Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet, përveç atyre të tijat. Teherani synon të konsolidojë kontrollin mbi këtë rrugë strategjike dhe të vendosë tarifa për anijet që e përdorin.
Në një postim në rrjetin “Truth Social”, Trump deklaroi se bllokada do të nisë së shpejti dhe se edhe vende të tjera do t’i bashkohen.
Megjithatë, aleatë të rëndësishëm të NATO-s, përfshirë Britaninë dhe Francën, theksuan se nuk do të përfshihen në konflikt përmes bllokadës. Ata nënvizojnë se po punojnë për një nismë që synon rihapjen e rrugës detare, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë.
Ky refuzim përbën një tjetër pikë përplasjeje me Trump, i cili më herët ka kërcënuar me tërheqjen e SHBA nga NATO dhe po shqyrton reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Evropë, pas refuzimit të disa vendeve për të lejuar përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për operacione kundër Iranit.
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi për BBC se Londra nuk mbështet bllokadën. Ai theksoi se, pavarësisht presionit të konsiderueshëm, vendi i tij nuk do të përfshihet në luftë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka informuar qeveritë evropiane se SHBA kërkojnë angazhime konkrete për sigurinë e Ngushticës së Hormuzit. Ai ka theksuar se NATO mund të ndërhyjë vetëm nëse të 32 vendet anëtare bien dakord për një mision të përbashkët.
Disa vende evropiane janë shprehur të gatshme të kontribuojnë, por vetëm pas një armëpushimi të qëndrueshëm dhe një marrëveshjeje me Iranin që garanton sigurinë e anijeve të tyre.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar se Franca, së bashku me Britaninë dhe vende të tjera, do të organizojë një konferencë për krijimin e një misioni shumëkombësh me qëllim rikthimin e lirisë së navigimit në zonë. Ai theksoi se ky mision do të jetë strikt mbrojtës dhe do të vendoset vetëm kur kushtet ta lejojnë.
Sipas planit, anijet ushtarake do të shoqërojnë cisternat për të garantuar kalimin e sigurt, pa u përfshirë në luftime. Një burim diplomatik francez bëri të ditur se një takim me pjesëmarrjen e rreth 30 vendeve mund të zhvillohet së shpejti në Paris ose Londër për të koordinuar detajet.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse SHBA do ta mbështesin këtë nismë, pasi administrata Trump e sheh tashmë Ngushticën e Hormuzit si një mjet presioni strategjik në konfliktin me Iranin.
Lini një Përgjigje