TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Prill 2026, 18:40

Si funksionon bllokada detare e SHBA në Hormuz dhe çfarë përfshin ajo?

Shkruar nga Pamfleti
Si funksionon bllokada detare e SHBA në Hormuz dhe çfarë
Ngushtica e Hormuzit

Bllokada detare e vendosur nga Marina e Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit ka hyrë në fuqi nga ora 16:00 sipas kohës së Shqipërisë. Autoritetet amerikane dhe britanike konfirmojnë se janë vendosur kufizime të gjera për aksesin detar, që prekin drejtpërdrejt portet dhe ujërat bregdetare të Iranit.

Agjencia britanike për sigurinë detare, UKMTO, njofton se masat ndikojnë të gjitha anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane. Anijeve neutrale që ndodhen aktualisht në këto porte u është dhënë një periudhë e kufizuar për t’u larguar.

Sipas UKMTO, kufizimet përfshijnë të gjithë vijën bregdetare të Iranit, duke përfshirë portet dhe infrastrukturën energjetike në Gjirin Persik, Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik në lindje të Ngushticës së Hormuzit. Në një deklaratë zyrtare thuhet se nga ora 14:00 UTC (16:00 sipas kohës lokale) e datës 13 prill 2026, janë në fuqi kufizime për aksesin detar në portet dhe zonat bregdetare iraniane.

Tranziti përmes Ngushticës së Hormuzit drejt ose nga destinacione jo-iraniane nuk do të pengohet”, thekson UKMTO, por paralajmëron se anijet mund të përballen me prani ushtarake, komunikime të detyruara apo procedura kontrolli gjatë kalimit.

Agjencia shton se “anijeve neutrale që ndodhen aktualisht në portet iraniane u është dhënë një periudhë e kufizuar tolerance për t’u larguar”.

Komanda Qendrore e SHBA (Centcom) deklaron se çdo anije që hyn ose del nga zona e bllokuar pa autorizim do t’i nënshtrohet ndalimit, devijimit ose konfiskimit. Masat zbatohen pa dallim për anije të çdo flamuri që operojnë në portet, terminalet e naftës dhe infrastrukturën bregdetare iraniane.

UKMTO thekson se kufizimet vlejnë “pa dallim për anije të çdo flamuri” dhe prekin të gjithë aktivitetin detar në vijën bregdetare iraniane. Ndërkohë, anijeve në rajon u kërkohet të ruajnë vigjilencë të lartë, të sigurojnë gatishmëri maksimale dhe të jenë të kujdesshme në komunikime.

Centcom u bën thirrje marinarëve të ndjekin njoftimet zyrtare “Notice to Marine” dhe të mbajnë kontakt me forcat detare amerikane përmes kanalit 16 gjatë operimeve në Gjirin e Omanit dhe pranë Ngushticës së Hormuzit.

Pas hyrjes në fuqi të bllokadës, presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar paralajmërime të drejtpërdrejta ndaj Iranit. Në një postim në rrjetet sociale, ai deklaron se çdo anije iraniane që afrohet pranë zonës së bllokadës “do të neutralizohet menjëherë”, duke përdorur të njëjtin sistem që, sipas tij, përdoret kundër trafikantëve të drogës në det.

“Marina e Iranit ndodhet në fund të detit, plotësisht e shkatërruar – 158 anije. Ajo që nuk kemi goditur janë disa nga anijet e tyre të vogla, ato që quajnë ‘anije sulmi të shpejtë’, sepse nuk i kemi konsideruar si kërcënim të madh. Nëse ndonjë nga këto anije afrohet pranë bllokadës sonë, do të eliminohet menjëherë, duke përdorur të njëjtin sistem që përdorim kundër trafikantëve të drogës në det. Është i shpejtë dhe i ashpër. 98,2% e drogës që hyn në SHBA përmes detit është ndaluar”, shkruan Trump.

Zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit rrisin ndjeshëm tensionet në rajon dhe shtojnë pasigurinë për sigurinë e transportit detar, në një moment kur kjo rrugë mbetet një nga më të rëndësishmet për furnizimin global me energji.

hormuz shba

Lini një Përgjigje