Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian paralajmëroi se paqja me SHBA-në varet nga fronti libanez.
Presidenti iranian Masoud Pesekian ka akuzuar Izraelin për shkelje të qartë të marrëveshjes së armëpushimit me SHBA, duke paralajmëruar se "duart tona do të mbeten në këmbëz".
Ai paralajmëroi se paqja me SHBA-në varet nga fronti libanez.
"Sulmi i ripërtërirë nga regjimi sionist kundër Libanit përbën një shkelje të qartë të marrëveshjes origjinale të armëpushimit. Ky është një shenjë e rrezikshme mashtrimi dhe mungese angazhimi për marrëveshje të mundshme. Vazhdimi i këtyre veprimeve do t'i bëjë negociatat të pakuptimta. Duart tona do të mbeten në këmbëz. Irani nuk do t'i braktisë kurrë vëllezërit dhe motrat e tij libanezë", shkroi ai në X.
Izraeli po zhvillon një fushatë të ashpër bombardimesh ndaj Libanit, ku vetëm gjatë orëve të fundit janë vrarë mbi 200 persona. Fushata ka shkaktuar reagime të ashpra si nga Irani, ashtu edhe nga disa vende europiane që kërkojnë armëpushim të menjëhershëm edhe në këtë vend.
Orët e fundit kanë qenë shkatërrimtare për Libanin, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë valën më të egër të bombardimeve, si në bastionin e Hezbollahut në Bejrut, ashtu edhe në jug të vendit. Shpërndarja e militantëve nëpër kryeqytet ka bërë që ushtria izraelite të zgjerojë hartën e goditjeve, duke goditur zona të dendura të banuara.
E mërkura shënoi ditën më të përgjakshme që nga nisja e fushatës, me mbi 200 të vdekur në një ditë. Masakra detyroi qeverinë të shpallë 9 prillin ditë zie kombëtare, ndërsa numri i të zhvendosurve ka kaluar shifrën alarmante prej 1.1 milion njerëzish.
Thirrjet për ndalimin e luftimeve janë shtuar nga Parisi në Ankara. Presidenti francez Emanuel Makron njoftoi se bisedoi në telefon me kreun e shtetit të Iranit, gjatë së cilës ata u pajtuan se duhet një armëpushim i menjëhershëm edhe për Libanin. Turqia e dënoi ashpër atë që e quajti “pushtim izraelit.”
Nga ana tjetër, Izraeli mbetet i palëkundur. Kryeministri Netanyahu ka deklaruar se lufta kundër Hezbollahut nuk do të ndalet dhe se ushtria nuk do të tërhiqet nga jugu i Libanit deri në krijimin e një zone të plotë sigurie. Analistët ndërkombëtarë mbeten skeptikë, duke vënë në dukje se strategjia e Netanyahut po e çon rajonin drejt një pasigurie, ku Hezbollahu nuk mund të çarmatoset thjesht me forcë ajrore.
Netanjahu gjuthashtu tha se pati dakordësi me Amerikën për armëpushimin, por se mbeten të gatshëm në çdo moment nëse është e nevojshme për ndërhyrje, siç tha ai, “me gishtin në këmbëz".
"Irani sot është një vend më i dobët se në çdo kohë më pare. Shteti i Izraelit ka arritur gjëra të jashtëzakonshme, gjëra që deri vonë dukeshin plotësisht të paarritshme. Irani është më i dobët se kurrë. Izraeli është më i fortë se kurrë. Ky është thelbi i fushatës deri më tani. Ne jemi të gatshëm të kthehemi në luftë në çdo kohë, nëse është e nevojshme, me gishtin në këmbëz". Armëpushimi i përkohshëm u ra dakord me Izraelin; amerikanët nuk na surprizuan në momentin e fundit. Ky nuk është fundi i luftës, por një hap në rrugën për të arritur të gjitha objektivat tona. Nëse nuk do të kishim nisur operacione kundër Iranit, ai do të kishte zotëruar prej kohësh armë bërthamore dhe mijëra raketa për të shkatërruar Izraelin dhe për të kërcënuar vetë ekzistencën tonë. Ne e kemi kthyer regjimin terrorist me vite prapa. Materiali i pasuruar do të largohet nga Irani, qoftë përmes një marrëveshjeje ose përmes rifillimit të luftimeve. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara bien dakord për këtë pikë", tha kryeministri izraelit.
Lini një Përgjigje