Një investigim i VSquare hedh akuza tronditëse ndaj Péter Szijjártó: informim i Moskës gjatë diskutimeve të ndjeshme të BE-së, ofertë për dërgim dokumentesh dhe një afërsi me Lavrovin që po e shtyn Hungarinë gjithnjë e më pranë statusit të “kalit të Trojës” të Kremlinit në Europë...
Një investigim i publikuar nga VSquare, dhe i ripasqyruar nga Daily News Hungary, ka hedhur në qarkullim një nga akuzat më të rënda që i janë bërë ndonjëherë diplomacisë hungareze brenda Bashkimit Europian. Në qendër të kësaj historie është ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, për të cilin pretendohet se ka zhvilluar telefonata të shumta me Sergei Lavrovin gjatë viteve 2023–2025, madje edhe në momente tepër të ndjeshme për vendimmarrjen europiane mbi Ukrainën dhe Moldavinë. Sipas artikullit, në një prej këtyre rasteve, ai dyshohet se e ka informuar palën ruse mbi ecurinë e diskutimeve të brendshme të BE-së.
Nëse kjo histori do të konfirmohej plotësisht, atëherë nuk do të kishim të bënim më vetëm me një Hungari që bën bllokadë politike në Bruksel, por me diçka shumë më serioze: me një anëtare të BE-së dhe NATO-s që dyshohet se po funksionon si kanal i dyfishtë komunikimi për interesat e Kremlinit në zemër të institucioneve perëndimore. Ky është thelbi i skandalit. Jo thjesht kontakti me Lavrovin, sepse kontaktet diplomatike ekzistojnë. Por natyra e dyshuar e këtyre kontakteve dhe koha kur ato pretendohet se kanë ndodhur.
Sipas VSquare, një nga episodet më problematike lidhet me mbledhjen e Këshillit Europian të 14 dhjetorit 2023, kur liderët e BE-së po diskutonin hapjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Në atë takim, Viktor Orbán po kërcënonte me veto, ndërsa gjatë një pushimi, Szijjártó dyshohet se doli nga salla për të telefonuar Lavrovin dhe për ta vënë në dijeni mbi ecurinë e negociatave dhe planin hungarez. Investigimi citon edhe një bisedë ku Lavrov shprehet i kënaqur me atë që dëgjon, madje komenton se ndonjëherë “shantazhi i drejtpërdrejtë” është zgjidhja më e mirë.
Edhe më shpërthyese është akuza tjetër: se Lavrov i ka kërkuar Szijjártós një dokument që lidhej me kompromisin për hapjen e negociatave me Ukrainën, dhe se ministri hungarez i është përgjigjur menjëherë se do t’ia dërgonte, përmes ambasadës hungareze në Moskë. Vetë VSquare pranon se nuk është e qartë saktësisht se cili ishte dokumenti, ndërsa një zyrtar i lartë i BE-së, i cituar nga investigimi, thotë se me “99 për qind siguri” bëhej fjalë për kuadrin negociues, i cili deri atëherë ishte tashmë publik. Pra, këtu ka një element shumë të rëndësishëm: akuza është politike dhe e rëndë, por vetë natyra e dokumentit lë vend edhe për debat mbi peshën reale të “sekretit” të pretenduar.
Megjithatë, problemi nuk mbaron te dokumenti. Problemi është sjellja. Sepse, sipas të njëjtit investigim, marrëdhënia mes Szijjártós dhe Lavrovit del përtej kornizës së zakonshme diplomatike. VSquare përdor gjuhë shumë të fortë dhe citon burime nga inteligjenca e diplomacia perëndimore, që e përshkruajnë këtë raport si të ngjashëm jo me atë të dy homologëve, por me një raport vartësie politike dhe informative. Kjo mbetet një akuzë e pa verifikuar në mënyrë të pavarur nga autoritetet zyrtare, por mjafton si tregues i nivelit të mosbesimit që ekziston tashmë ndaj Budapestit në qarqet europiane.
Historia bëhet edhe më e rëndë kur investigimi kalon në vitin 2024. Sipas VSquare, në ditën kur Orbán vizitoi Volodymyr Zelenskyn në Kiev, Szijjártó telefonoi sërish Lavrovin për ta informuar mbi atë që kishte ndodhur, dhe madje kërkoi të dinte nëse Vladimir Putin do ta priste Orbánin para samitit të NATO-s. Sipas raportit, qëllimi ishte që kryeministri hungarez t’i shpjegonte Putinit pasojat e takimit në Kiev, ndërsa kjo lëvizje u mbajt e fshehtë nga partnerët europianë dhe aleatët e NATO-s deri sa u zbulua në media. Nëse kjo është e saktë, atëherë kemi të bëjmë me një diplomaci paralele, të organizuar jo për interesin e unitetit europian, por për të ruajtur linjën e veçantë Budapest–Moskë.
Në thelb, ky skandal nuk shpërthen në boshllëk. Ai përputhet me gjithë profilin politik që qeveria e Viktor Orbánit ka ndërtuar ndër vite brenda BE-së. Hungaria ka qenë vazhdimisht zëri më i afërt me Rusinë në bllok, sidomos në dosjen e Ukrainës, në debatet për sanksionet, energjinë dhe zgjerimin. Kjo do të thotë se investigimi i VSquare nuk bie si meteor në qiell të pastër; ai ushqehet nga një klimë e mëparshme dyshimi, ku shumë partnerë europianë prej kohësh e shohin Budapestin jo si lojtar të vështirë, por si pengues sistematik të interesit të përbashkët europian.
Këtu qëndron edhe nervi më i fortë politik i kësaj historie. Nëse një ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të BE-së informon Moskën gjatë negociatave të ndjeshme të unionit, atëherë çështja nuk është më vetëm Orbán apo Szijjártó. Atëherë vihet në pikëpyetje vetë besueshmëria e mekanizmit europian të konsultimit, konfidencialitetit dhe solidaritetit. Me fjalë të tjera, nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, Hungaria nuk do të shihet më thjesht si “rebele” brenda BE-së. Do të shihet si rrjedhje e organizuar politike në favor të Rusisë.
Natyrisht, këtu duhet bërë një ndarje e domosdoshme mes faktit dhe interpretimit. Fakti është se Daily News Hungary ka ripublikuar një investigim të VSquare me akuza shumë të forta. Fakti është gjithashtu se VSquare thotë se këto pretendime bazohen në regjistrime telefonike të siguruara dhe të verifikuara nga një konsorcium mediash investigative. Por po aq fakt është se Ministria e Jashtme hungareze, sipas VSquare, nuk iu përgjigj kërkesës për koment mbi detajet, dhe se deri tani nuk kemi një verifikim publik të pavarur institucional ose gjyqësor mbi autenticitetin e plotë dhe implikimet ligjore të këtyre materialeve. Pra, politikisht skandali është i madh; juridikisht, ai mbetet ende në terren të hapur.
Por në politikë, sidomos në diplomacinë europiane, ndonjëherë dëmi më i madh nuk vjen nga verdikti formal. Vjen nga dyshimi. Dhe ky investigim e thellon pikërisht atë: dyshimin se Budapesti nuk po luan më me dy karrige, por me dy besnikëri. Një në Bruksel, për formalitet. Një në Moskë, për interes. Nëse kjo perceptohet si e vërtetë nga partnerët e Hungarisë, atëherë Orbán dhe njerëzit e tij do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të paraqiten si mbrojtës të sovranitetit kombëtar. Sepse do të duken jo si sovranistë, por si ndërmjetës të një influence të huaj brenda vetë Europës.
Dhe pikërisht këtu skandali bëhet më i madh se vetë Szijjártó. Ai prek modelin Orbán. Një model që publikisht shitet si mbrojtje e interesit hungarez, por që gjithnjë e më shpesh akuzohet se funksionon si mekanizëm bllokues në shërbim të një agjende që i shkon për shtat Kremlinit. Nëse del se ministri i Jashtëm i Hungarisë ka bërë realisht informatorin e Lavrovit gjatë mbledhjeve të BE-së, atëherë nuk kemi më vetëm një krizë reputacioni për qeverinë hungareze. Kemi një aktakuzë politike ndaj gjithë rolit që Orbani ka ndërtuar për veten brenda Europës./Pamfleti
Lini një Përgjigje