TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Gusht 2025, 22:10

Iluzioni për një Europë të fortë ka marrë fund, është thjesht spektatore

Shkruar nga Pamfleti
Iluzioni për një Europë të fortë ka marrë fund,
Liderët e BE

Europa ka qëndruar si spektatore, edhe kur ndodhnin ngjarje të mëdha, si bombardimet në objektet bërthamore në Iran apo lufta në Gaza.

“Për vite me radhë, Bashkimi Europian ka besuar se fakti që ka një treg me 450 milionë konsumatorë do t’i jepte edhe fuqi në politikën botërore dhe në tregtinë ndërkombëtare. Por ky vit ka treguar se kjo ide ishte thjesht një iluzion që tani është zhdukur.” Me këto fjalë, Mario Draghi hapi fjalimin e tij në takimin e përvitshëm të “Comunione e Liberazione”, ku u prit me shumë duartrokitje. 

Draghi u shpreh qartë se mënyra si ka funksionuar Europa deri tani nuk mjafton më, dhe se duhet të përballemi me realitetin e ri

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane dhe ish-kryeministri italian foli hapur dhe i analizoi pa zbukurime zhvillimet në botë.

“Na është dashur të pranojmë tarifat doganore nga SHBA-të, aleati dhe partneri ynë më i madh tregtar. Po ashtu, na kanë shtyrë të rrisim shpenzimet për ushtri, ndoshta ishte e nevojshme, por jo në mënyrën që i përshtatet interesave të Europës. Edhe pse BE ka dhënë më shumë ndihmë financiare për Ukrainën dhe ka interesin më të madh për një paqe të drejtë, nuk ka pasur rol të rëndësishëm në negociatat për paqe”, u shpreh ai.

Draghi shtoi se Europa ka qëndruar si spektatore, edhe kur ndodhnin ngjarje të mëdha, si bombardimet në objektet bërthamore në Iran apo lufta në Gaza.

“Këto ngjarje rrëzuan çdo iluzion se fuqia ekonomike mjafton për të pasur ndikim gjeopolitik”, tha ai sipas “Corriere Della Sera”. Por ai nuk është kundër Bashkimit Europian. Përkundrazi, theksoi: “Nuk mund të pretendojmë se do të ishim më mirë pa BE-në.”

Çfarë duhet të bëjë Europa tani?

Draghi tha se Europa duhet të ndryshojë dhe të përshtatet me sfidat e reja. Ai shprehet qartë për rrugën që duhet ndjekur.

“Organizimi ynë politik duhet t’i përshtatet kohës kur sfidat janë ekzistenciale. Të kthehemi pas te sovraniteti kombëtar do të thotë të bëhemi më të prekshëm nga fuqitë e mëdha”, theksoi Draghi.

Për të përballuar sfidat, sipas tij BE duhet të kalojë nga spektatore në aktore protagoniste, duke reformuar strukturën e saj politike për të qenë më efektive në objektivat strategjikë dhe ekonomikë.

Në aspektin ekonomik, Draghi riktheu vëmendjen te barrierat e brendshme: “Nëse do t’i reduktonim në nivelin e atyre në SHBA, produktiviteti në BE do të ishte 7% më i lartë pas shtatë vitesh. Aktualisht, kemi barriera që janë ekuivalente me një tarifë prej 64% për makineritë dhe 95% për metalet.”

Investime të përbashkëta dhe teknologji europiane

“Nuk ka vend që mund të zhvillojë teknologjitë kritike i vetëm. Vetëm projekte të financuara bashkërisht mund të garantojnë kapacitete për mbrojtjen, energjinë dhe teknologjitë transformuese”, tha Draghi, duke sugjeruar se zgjidhja është borxhi i përbashkët europian, si në rastin e pandemisë.

Në fund, Draghi u bëri thirrje liderëve aktualë: “Kthejeni skepticizmin në veprim. Bashkimi Europian është instrumenti ynë më i mirë për paqe, siguri, pavarësi. Është demokraci dhe është në duart tuaja, të qytetarëve europianë, për të vendosur se cilat janë prioritetet”.

Fjalimi i tij ishte një thirrje për vetëdijësim, reformim dhe vendosmëri, në një botë që siç shprehet ai: “nuk na sheh me simpati dhe nuk pret ritmet tona të ngadalta për të imponuar fuqinë e saj"./Corriere Della Sera

Lini një Përgjigje