Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka pësuar lëndime serioze dhe është shpërfytyruar në fytyrë pas sulmit ajror që goditi kompleksin e udhëheqjes në Teheran, sipas tre burimeve të afërta me rrethin e tij të cituara nga Reuters.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ai ka marrë gjithashtu dëmtime të rënda në njërën ose të dyja këmbët gjatë sulmit, i cili vrau babanë e tij, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe disa anëtarë të familjes, përfshirë bashkëshorten dhe të afërm të tjerë.
Mojtaba Khamenei, 56 vjeç, nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka publikuar pamje që nga sulmi ajror i ndërmarrë në ditët e para të luftës. Ai u emërua udhëheqës suprem disa ditë pas vdekjes së babait të tij, i cili kishte drejtuar Iranin që nga viti 1989.
Reuters thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur shkallën e lëndimeve të raportuara nga burimet. Autoritetet iraniane nuk kanë dhënë deklarata zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore. Megjithatë, një prezantues i televizionit shtetëror e përshkroi atë si “janbaz”, term që përdoret për persona të plagosur rëndë në luftë.
Raportime nga burime amerikane, përfshirë deklarata të Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe vlerësime të inteligjencës, përputhen pjesërisht me këto informacione, duke sugjeruar se Khamenei është plagosur rëndë dhe mund të ketë pësuar edhe humbje të një gjymtyre. CIA nuk ka komentuar.
Ekspertët vlerësojnë se, pavarësisht gjendjes së tij fizike, ai pritet të ndjekë linjën politike të ashpër të babait të tij, duke u mbështetur në lidhjet me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një nga institucionet më të fuqishme në Iran.
Lini një Përgjigje