Një ankesë shumë sekrete e një sinjalizuesi ka shkaktuar përplasje politike në Uashington, pasi lidhet me një bisedë të përgjuar nga shërbimet amerikane ku përmendej Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump.
Sipas zyrtarëve amerikanë të njohur me çështjen, ankesa bazohet në një komunikim të mbledhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) pranverën e kaluar, gjatë një bisede mes dy shtetasve të huaj. Nuk dihet origjina e tyre dhe as përmbajtja e saktë e diskutimit për Kushnerin. Zyrtarë të lartë të administratës Trump deklaruan se pretendimet janë të pavërteta, por nuk dhanë detaje, duke argumentuar se bëhet fjalë për metoda shumë të ndjeshme përgjimi.
Dokumenti qëndroi për tetë muaj në zyrën e Drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, përpara se t’i dërgohej Kongresit në një version të redaktuar rëndë. Demokratët kanë kërkuar hetim mbi arsyet e vonesës dhe kanë ngritur shqetësime për implikime në sigurinë kombëtare. Republikanët, nga ana tjetër, kanë mbrojtur Gabbard dhe e kanë cilësuar çështjen si të motivuar politikisht.
Ankesa pretendon se Gabbard kufizoi shpërndarjen e informacionit pas një takimi me shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles. Zyra e saj i ka hedhur poshtë akuzat si “të pabaza dhe me motive politike”, duke theksuar se ato janë vlerësuar si jo të besueshme nga ish-inspektori i përgjithshëm në detyrë.
Një akuzë e dytë në dokument pretendon se zyra ligjore e NSA-së nuk referoi në Departamentin e Drejtësisë një çështje të mundshme penale që lidhej me përmbajtjen e bisedës së përgjuar. Sipas një zyrtari të administratës, një funksionar karriere vlerësoi se nuk kishte bazë për referim.
Materiali u paraqit javën e kaluar para një grupi të kufizuar ligjvënësish në Kongres në kushte të rrepta sigurie, pa mundësi mbajtjeje shënimesh. Kryetari republikan i Komitetit të Inteligjencës në Senat, Tom Cotton, e quajti ankesën jo të besueshme. Ndërsa senatori demokrat Mark Warner deklaroi se versioni i redaktuar nuk lejon një vlerësim të plotë dhe kërkoi qasje në dokumentacionin e plotë.
Lini një Përgjigje