TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Maj 2026, 22:32

Havana shpërthen në protesta kundër SHBA pas akuzave ndaj Raul Kastros

Shkruar nga Pamfleti
Havana shpërthen në protesta kundër SHBA pas akuzave ndaj Raul
Protesta ne Kube

Autoritetet kubane i quajnë “të rreme” akuzat amerikane ndaj ish-presidentit për rrëzimin e dy avionëve civilë para 30 vitesh

Mijëra kubanë u mblodhën të premten para Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Havana për të protestuar kundër vendimit të Uashingtonit për të ngritur aktakuzë ndaj ish-presidentit Raul Kastro lidhur me rrëzimin e dy avionëve civilë para tre dekadash, raportoi Reuters.

Demonstrata proqeveritare nisi menjëherë pas lindjes së diellit në bregdetin e Havanës, disa ditë pasi zyrtarët kubanë dolën publikisht në mbrojtje të figurës historike të revolucionit kuban.

Raul Kastro, 94 vjeç, nuk mori pjesë në tubim.

Deputeti kuban Herardo Hernandez, i njohur në Kubë si hero kombëtar dhe ish-agjent i inteligjencës, përcolli një mesazh falënderimi për popullin kuban dhe mbështetësit ndërkombëtarë për solidaritetin e treguar.

Gjatë protestës, pjesëmarrësit valëvitën flamuj dhe brohoritën slogane si “Rroftë Raul!” dhe “Atdheu ose vdekja!”.

Në tubim morën pjesë edhe presidenti Miguel Diaz-Canel dhe kryeministri Manuel Marrero, si dhe disa anëtarë të familjes Kastro, përfshirë vajzën e Raul Kastros, Mariela Kastro, djalin Alejandro Kastro dhe nipin Raul Rodriguez Kastro.

Rodriguez Kastro, i njohur në Kubë me nofkat “Raulito” dhe “El Cangrejo” (“Gaforrja”), shërben shpesh si truprojë e gjyshit të tij. Javën e kaluar ai u takua me drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, gjatë një vizite të rrallë të një kreu të shërbimit amerikan të inteligjencës në Havana.

Në një deklaratë për mediat shtetërore kubane pas protestës, Mariela Kastro tha se babai i saj është në gjendje të mirë.

“Rauli është shumë mirë, shumë i qetë, si një guerilas i vjetër; vëzhgon dhe buzëqesh. Ai gjithmonë ka thënë: ‘Askush nuk do të më kapë të gjallë; do të më kapin duke luftuar’”, deklaroi ajo.

Qeveria kubane pretendon se aktakuza për vrasje, e ngritur të mërkurën ndaj Raul Kastros, bazohet në akuza “të fabrikuara” dhe synon të krijojë një justifikim për ndërhyrje kundër ishullit, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump kërkon të ushtrojë presion ndaj pushtetit në Kubë.

kuba protesta shba

Lini një Përgjigje