Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei ka deklaruar sot se bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të arrijnë një marrëveshje, nëse Uashingtoni vazhdon të insistojë për diskutime të detajuara mbi rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar dhe programin bërthamor të vendit.
Në një prononcim për agjencinë shtetërore iraniane IRNA, Baghaei tha se fokusi aktual i negociatave mbetet përfundimi i konfliktit dhe ulja e tensioneve, ndërsa çështjet teknike që lidhen me aktivitetet bërthamore të Iranit nuk janë pjesë e diskutimeve të kësaj faze.
“Negociatat janë përqendruar në përfundimin e luftës dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor nuk do të diskutohen në detaje tani. Nëse përpiqemi të hyjmë në këto detaje në këtë moment, nuk do të arrijmë në një rezultat.”-tha ai.
Baghaei i cilësoi kërkesat amerikane për kufizimin e ambicieve bërthamore të Iranit si “të paarsyeshme” dhe “të tepërta”, duke argumentuar se qasja e SHBA-së ka kontribuar në dështimin e raundeve të mëparshme të negociatave.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon dhe ndërsa përpjekjet diplomatike për një armëpushim dhe rifillim të dialogut mes palëve vazhdojnë. Çështja e programit bërthamor iranian mbetet një nga pikat më të ndjeshme në marrëdhëniet mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Lini një Përgjigje