Në skenarin e dytë, demokratët mund t’i fitojnë zgjedhjet me një diferencë të ngushtë. Kjo mund të ndikojë jo pak në certifikimin e zgjedhjeve, gjë që nga ana tjetër mund të ndikojë në transferimin e pushtetit më 21 janar të vitit të ardhshëm.
Dy lajme të rëndësishme të ditëve të fundit, e kanë bërë të qartë faktin se zgjedhjet presidenciale në SHBA janë larg nga të qënit të paracaktuara në verdiktin e tyre, pavarësisht avantazhit që duket se ka fituar Kamala Harris pas Konventës së Partisë Demokratike në Çikago.
Nate Silver, një nga anketuesit më të rëndësishëm në SHBA, thotë se pavarësisht nga momenti i favorshëm, Harris është ende pak pas Trumpit në Pensilvani, një shtet që mund të vendosë edhe fatin e garës për Shtëpinë e Bardhë.
Lajmi tjetër vjen nga një koment i bërë nga Ketanji Brown Jackson, gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila tha se zgjedhjet mund të përfundojnë edhe para gjykatës, duke shtuar se shpreson që Gjykata e Lartë të jetë gati për t’u përballur me një sfidë të tillë kaq delikate.
Kur kanë mbetur 60 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, të dyja këto zhvillime nuk bëjnë gjë tjetër veçse e nxjerrin në pah natyrën e pasigurt të garës presidenciale. Në këto kushte, mund të hipotetizohen 3 rezultate të mundshme, të cilat mund të na çojnë në drejtime shumë të ndryshme. Sipas skenarit të parë, në orët e para të 6 nëntorit, demokratët mund rezultojnë fitues të zgjedhjeve me një diferencë bindëse. Në këtë rast, Donald Trump mund të pretendojë sërish për një komplot ndaj tij. Por ai nuk do të kishte baza të forta, nëse fitorja e demokratëve do të ishte e thellë. Tek e fundit, duke pasur parasysh faktin se republikanët kontrollojnë 28 nga 50 shtete dhe Kongresin, është e vështirë të mendohet se ata mund të lejojnë që mashtrime në shkallë të madhe të ndodhin nën hundën e tyre.
Trump mund ta pranojë humbjen ose ta kundërshtojë atë:diferenca në vota do të ketë shumë rëndësi. Ai mund të zhdukë veten nga qarkullimi dhe të tërhiqet në vilën e tij Mar-a-Lago. Ose mund të marshojë drejt Uashingtonit për një rebelim të ri si ai i 6 janarit 2021. Një gjë është pothuajse e sigurt:në rast se do të humbasë sërish, do ta shndërrojë humbjen në një sipërmarrje për mbledhjen e fondeve.
Në skenarin e dytë, demokratët mund t’i fitojnë zgjedhjet me një diferencë të ngushtë. Kjo mund të ndikojë jo pak në certifikimin e zgjedhjeve, gjë që nga ana tjetër mund të ndikojë në transferimin e pushtetit më 21 janar të vitit të ardhshëm.
Çdo vonesë e madhe, mund ta dëmtojë procesin zgjedhor:qoftë edhe një për shkak të një sulmi kibernetik, ndoshta i drejtuar ndaj sistemeve që përdor çdo zonë zgjedhore për të identifikuar votuesit, veçanërisht ato në shtete veçanërisht të rëndësishme sikurse është Pensilvania.
Vonesa të tjera, mund të ndodhin edhe nëse do të ketë incidente të dhunshme në qendrat e votimit. Shumë shtete do të mbajnë në gatishmëri të lartë policinë dhe shërbimet e sigurisë. Por në Shtetet e Bashkuara qarkullojnë shumë armë, dhe asgjë nuk përfaqëson një përzierje potencialisht më shpërthyese sesa armët, fletët e votimit dhe tensioni i lartë politik.
Dhe pastaj vijnë veprimet ligjore, të cilët mund të ngrihen në nivel lokal ose federal derisa të ndërhyjë Gjykata e Lartë. Njëlloj siç ndodhi gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, kur ishte Gjykata e Lartë, ajo që i dha fitoren republikanit George W.Bush në garën përballë demokratit Al Gore.
Ndaj anëtarët e kësaj gjykate, janë të përgatitur për një skenar të tillë. Gjykatësja Ketanji Brown Jackson, e pranoi në një intervistë për moderatorin e CBS News, Norah O’Donnell, se ky proces politik mund të prodhojë shumë ankimime dhe padi.
Në një gjykatë të dominuar nga konservatorët, është thelbësore që gjyqtarët të japin një sinjal të qartë, se nuk do të lejojnë që ligji të keqpërdoret për të prishur procesin kushtetues të zgjedhjeve, dhe të sigurojnë publikun se do ta ushtrojnë rolin e tyre pa paragjykuar asnjërën palë.
Dhe kështu vijmë tek skenari i tretë:një fitore e Donald Trump. Një ngjarje që do të mirëpritet nga mbështetësit e tij. Por mos prisni që amerikanët të bien dakord me të, pa parë një fitore të qartë. Sondazhet kanë treguar se të dyja palët, kanë frikë se një fitore e palës tjetër mund të çojë në akte dhune.
Në një sondazh të Deseret News/HarrisX, kryer në fillim të muajit gusht, gati gjysma (46 për qind) e votuesve republikanë, u shprehën se kishin frikë nga dhuna nga republikanët e tjerë nëse zgjedhjet fitohen nga Kamala Harris. Ndërkohë 38 për qind e demokratëve, thanë se i frikësohen dhunës brenda radhëve të tyre nëse president zgjidhet Donald Trump…/ Përshtati "Pamfleti" nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje