TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Shtator 2024, 11:10

Si do të ndryshojë BE-ja pa motorin franko-gjerman?

Shkruar nga Pamfleti

Si do të ndryshojë BE-ja pa motorin franko-gjerman?

Zgjedhjet rajonale të së dielës në landet lindore të Gjermanisë, sollën rezultatin që e kishin parashikuan edhe sondazhet.

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), doli e para në Turingi dhe e dyta në Saksoni, duke shënuar një përparim të mëtejshëm. Ky rezultat e destabilizon më tej koalicionin qeverisës federal tashmë të brishtë të udhëhequr nga Olaf Scholz, dhe kjo ndodh vetëm një vit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare.

Çfarë po ndodh në Francë?

Presidenti francez, Emmanuel Macron, priti në fundjavë në Elysee në një takim socialistin Bernard Cazeneuve dhe konservatorin Xavier Bertrand, në një përpjekje për të gjetur një kryeministër të ri, dhe bashkë më të një rrugëdalje nga kriza politike dhe institucionale në

të cilën e ka futur vendin me refuzimin e propozimit të parë. Kur kanë kaluar 2 muaj nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, “fryma e shenjtë” e kulturës së koalicioneve nuk ka zbritur ende mbi udhëheqësit e partive politike në vend.

Çfarë po ndodh në Bashkimin Evropian?

Në një kohë kur Bashkimi Evropian po përgatitet të nisë një legjislaturë të re dhe të përballet

me sfida të mëdha si lufta në Ukrainë, në prag të ndryshimit të administratës në Shtetet e Bashkuara dhe të agresivitetit të ndjeshëm politiko-ekonomik që po shfaq Kina, është bllokuar i ashtuquajturi motori franko-gjerman. Në këto kushte, kush do ta çojë përpara BE-në?

Dy kriza regjimesh

Ato që po zhvillohen në Gjermani dhe Francë, mund të përshkruhen fare mirë edhe si dy kriza të regjimit. Themelet ku janë mbështetur që të dyja vendet për 70 vite me radhë, janë dëmtuar aq shumë nga dinamikat politike, saqë sot duken të vjetruara, duke i bërë të paqeverisshme të dyja vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet gjermane

Votuesit gjermanë e thyen fundjavën që shkoi tabunë e së djathtës ekstreme, të cilën establishmenti i tyre politik ia kishte dalë ta ruante që nga periudha e pasluftës e deri më sot. Në një sistem federal dhe konsensual, si ai i shkruar në Kushtetutën gjermane, kombinimi i fragmentimit politik me populizmin po e çon regjimin institucional drejt shpërbërjes.

Ç’do të ndodhë tani në Gjermani?

Koalicionet me dy parti nuk mjaftojnë më për të qeverisur në Berlin. Pas një viti, edhe nëse i fiton zgjedhjet me 30 për qind të votave siç po e parashikojnë sondazhet, CDU sot partia më e madhe opozitare, nuk do të jetë në gjendje të krijojë një Koalicion të ri të Madh me socialdemokratët e SPD.

Ndaj konservatorët do të kenë nevojë për një partner të tretë, duke rrezikuar që të rikthehen tek telashet që po përjeton aktualisht koalicioni qeveritar i Olaf Scholz. Një proces zgjedhor në një vend ndikon tek politika kombëtare. Në Turingi dhe Saksoni, e majta ekstreme e kushtëzon hyrjen e saj në një koalicion me CDU-në me ndryshimin e qasjes së konservatorëve në lidhje me mbështetjen për Ukrainën.

Ku po e çon Francën kriza politike

Në Francë, kriza e shkaktuar nga Emmanuel Macron me shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare, shënon fundin e regjimit të Republikës së Pestë. Sistemi i tij institucional i centralizuar, i cili e bën presidentin një monark pothuajse absolut, nuk funksionon më.

Korrigjimi i “bashkëjetesës” midis një presidenti të një partie politike dhe një qeverie të një partie tjetër, nuk është më i rëndësishëm, kjo për shkak të copëzimit të madh midis tre-katër blloqeve të papajtueshme midis tyre. Për shkak të sistemit zgjedhor mazhoritar, mungon kultura e kompromisit dhe e koalicionit.

Skenarët që pritet të ndodhin në Francë

Rezultati do të shihet nga të gjithë. Nëse Franca do të ketë më në fund një qeveri të re, ajo do të jetë me siguri më e dobët se e fundit dhe ndoshta teknokratike. Jetëgjatësia e saj do jetë e pasigurt, e lidhur me 12 muajt që duhet të kalojnë përpara se të mund të shpallen zgjedhje të reja parlamentare.

Në çdo rast, e djathta ekstreme e Tubimit Kombëtar National mund të shpresojë të përfitojë jo pak në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Nëse Marine Le Pen hyn në Elysee, me institucionet ekzistuese të Republikës së Pestë, ajo nuk do të ketë asnjë kundër-fuqi të aftë për të balancuar sjelljet e saj të tepruara.

Heshtja e dyshimtë e Von Der Leyen

Ursula von der Leyen refuzoi të dielën të komentonte rezultatet e zgjedhjeve në 2 landet e Gjermanisë Lindore. Nga ana tjetër, ajo ka refuzuar të komentojë edhe mbi ssituatën e nderë politike në Francë. Megjithatë, ajo që ndodh në Berlin dhe Paris, do të ketë një ndikim shumë të rëndësishëm në Bashkimin Evropian.

Andrallat e Scholz

Duke qenë në pozita delikate brenda vendit, Scholz do të jetë edhe më i kujdesshëm në lidhje me vendimet që do të duhet të marrë BE-ja përpara zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 2025 në Gjermani. Për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme brenda koalicionit midis socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, Gjermania ka disa muaj që e ka të vështirë të paraqesë qëndrime të qarta dhe koherente në Bruksel. Ndërkohë sa i përket Macron, për 2 muaj BE-ja huajse është zhdukur nga fusha e tij e veprimit dhe e fjalimeve. Nëse nuk do që t’ia lërë hapur fushën Le Pen në vitin 2027, në 2 vjet e gjysmë ai të duhet të fokusohet më shumë tek Franca si dhe tek idetë mbi të ardhmen e BE-së, të shpalosura fillimisht në fjalimet e Sorbonës.

Skenarët për BE-në

Më pak ndikim franko-gjerman në BE nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe. Në korrik, komisioneri evropian Paolo Gentiloni, vuri në dukje se “motori i famshëm franko-gjerman nuk ka qenë kurrë kaq i dobët”. “Prandaj, unë them se mbështetja tek Brukseli është gjëja më e arsyeshme”- theksoi ai.

BE-ja mund të sigurojë një udhëheqje më gjithëpërfshirëse. Ato që janë konsideruar si sukseset kryesore të mandatit të parë të zonjës Von der Leyen në krye të Komisionit Evropian - blerjet e përbashkëta të vaksinave kundër Covid-19 dhe plani i rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë - ishin fryt i një impulsi franko-gjerman. Edhe Marrëveshja e Gjelbër, ishte gjithashtu rezultat i një përafrimi të interesave dhe prioriteteve midis Parisit dhe Berlinit./ Marrë nga “Start Magazine”, përshtati "Pamfleti"

Lini një Përgjigje