
Një grua residente në Firence është vendosur tashmë në karantinë...
Katër persona që ndodheshin në fluturimin e kompanisë KLM, ku udhëtonte edhe një grua që më pas humbi jetën nga hantavirusi në Afrikën e Jugut, kanë kaluar përmes Romës. Lajmi u bë i ditur nga Ministria italiane e Shëndetësisë përmes një njoftimi zyrtar, ku theksohet gjithashtu se në Evropë rreziku i përhapjes së virusit mbetet shumë i ulët.
Ministria e Shëndetësisë në Itali ka aktivizuar procedurat e parashikuara për vlerësimin e rrezikut, mbikëqyrjen dhe koordinimin shëndetësor, në përputhje me protokollet kombëtare dhe ndërkombëtare, thuhej në deklaratë.
Sipas saj, vlerësimet e përbashkëta në nivel ndërkombëtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC-ja) tregojnë aktualisht një rrezik të ulët për popullsinë e përgjithshme në nivel global dhe shumë të ulët në Evropë.
“Në Itali kanë mbërritur katër persona me fluturimin e KLM-së në tranzit drejt Romës, në të cilin kishte hipur për disa minuta gruaja e shtruar në Johannesburg, e cila më pas ndërroi jetë atje. Të dhënat e kontaktit të katër pasagjerëve janë siguruar”, njoftoi Ministria italiane e Shëndetësisë.
Ministria italiane e Shëndetësisë ua ka përcjellë informacionin rajoneve përkatëse, Kalabria, Kampania, Toskana dhe Veneto, për aktivizimin e procedurave të mbikëqyrjes aktive, në përputhje me parimin e kujdesit maksimal.
Një grua residente në Firence është vendosur tashmë në karantinë. E njëjta masë parandaluese është marrë edhe për një pacient në Kalabri, por ai është asimptomatik, sipas autoritetet lokale.
“Jemi në pritje të analizave për të verifikuar praninë e virusit,” deklaroi presidenti i Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani.
Ndërkohë, kompania Oceanwide Expeditions ka përditësuar situatën lidhur me pasagjerët e anijes MV Hondius. Në bord të anijes ndodhet që prej 6 majit edhe një mjek italian nga stafi shëndetësor i ECDC-së, i cili është ngjitur në anije për të mbështetur aktivitetet e asistencës lidhur me emergjencën.
Autoritetet spanjolle kanë bërë gjithashtu një përditësim mbi situatën në anijen turistike ku janë konstatuar rastet e infektimit. Anija Hondius do të mbërrijë në Tenerife dhe fillimisht do të zbarkojë pasagjerët me shtetësi spanjolle, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi karantine.
Mes 151 turistëve nga 23 kombësi të ndryshme që ndodhen ende në bord, nuk janë regjistruar raste të reja të hantavirusit.
Më pas, Hondius do të vazhdojë udhëtimin drejt Holandës. Edhe Britania e Madhe do të marrë masa parandaluese për qytetarët e saj që ndodheshin në bord të anijes: ata do të transferohen në një spital në veriperëndim të vendit dhe do të vendosen në izolim.
Lini një Përgjigje