Péter Magyar i Hungarisë bëri betimin ditën e sotme dhe mori detyrën si kryeministri i ri i vendit, duke i dhënë fund 16 viteve të sundimit autokratik të Viktor Orbánit.
Partia e qendrës së djathtë Tisza e Magyarit mundi muajin e kaluar partinë nacionaliste-populiste Fidesz të Orbánit në një rezultat tronditës, duke siguruar më shumë vota dhe vende në Parlament se çdo parti tjetër në historinë postkomuniste të Hungarisë.
Fitorja, që i dha Tisza-s një shumicë prej dy të tretash në Parlament, do t’i mundësojë asaj të zhbëjë shumë prej politikave që i krijuan Orbánit reputacionin e një autoritari të ekstremit të djathtë në sytë e kritikëve të tij.
Në një fjalim para ligjvënësve në Parlamentin e Hungarisë, pas ceremonisë së betimit, Magyar tha se nuk do ta përdorte postin e tij për të “sunduar” Hungarinë, por për t’i shërbyer atdheut tim.
“Nuk qëndroj këtu sepse jam ndryshe nga kushdo tjetër në këtë vend. Jam këtu sepse miliona hungarezë vendosën se duan ndryshim. Dhe ky besim që kemi marrë është njëkohësisht një barrë nderi dhe një detyrim moral, por edhe një ndjesi e mrekullueshme”, tha Magyar.
Magyar është zotuar të rikthejë institucionet demokratike dhe mekanizmat e kontrollit dhe balancës qeveritare, të cilat u dobësuan ndjeshëm gjatë sundimit të Orbánit, si edhe të godasë korrupsionin e pretenduar.
Qeveria e tij pritet të ndryshojë dinamikat politike brenda Bashkimit Evropian, ku ish-kryeministri kishte trazuar shpesh bllokun duke vendosur veto ndaj vendimeve kyçe, së fundmi edhe për mbështetjen ndaj Ukrainës fqinje.
Tisza kontrollon tashmë 141 vende në Parlamentin hungarez me 199 ulëse. Koalicioni Fidesz-KDNP i Orbánit ka 52 vende, nga 135 që kishte më parë, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Mi Hazánk (“Atdheu Ynë”) ka gjashtë vende.
199 deputetët bënë betimin rreth orës 11:00 sipas kohës lokale. Orbán nuk ishte mes tyre për herë të parë që nga krijimi i Parlamentit të parë postkomunist të Hungarisë në vitin 1990.
Më herët, Magyar u kishte bërë thirrje hungarezëve të merrnin pjesë në një festë gjithëditore të “ndryshimit të regjimit” në sheshin Kossuth, përballë Parlamentit, për të shënuar inaugurimin e tij dhe fundin e epokës Orbán.
Lini një Përgjigje