TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Tetor 2024, 19:29

Hakmarrje ndaj Nasrallahut, por duke treguar kujdes: Sulmi i çuditshëm i Iranit ndaj Izraelit!

Shkruar nga Pamfleti

Hakmarrje ndaj Nasrallahut, por duke treguar kujdes: Sulmi i

Objektivat dhe qëllimet nuk korrespondojnë me metodat e veprimit nga Irani...

Sulmi që Irani kreu kundër Izraelit duke përdorur të paktën 200 raketa balistike, sipas të gjitha gjasave është i destinuar të bëhet një nga misteret e shumta të historisë së Lindjes së Mesme. Sipas analizave fillestare, objektiv ishin tre baza të forcave ajrore izraelite dhe një seli e inteligjencës në veri të Tel Avivit. Dhe qëllimi, të paktën siç u tha nga zëdhënësit e Gardës Revolucionare, ishte të hakmerreshin "për vrasjen e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe një komandanti të lartë të Forcës Quds, Abbas Nilforoushan".

Megjithatë, objektivat dhe qëllimet nuk korrespondojnë me metodat e veprimit. Dymbëdhjetë orë përpara se raketat iraniane të fluturonin, New York Times lajmëroi sulmin, duke e konsideruar atë si të pashmangshëm. Autoritetet izraelite më pas konfirmuan se ishin paralajmëruar shumë më herët nga SHBA se Irani po përgatitej të sulmonte. Aq herët sa Benjamin Netanyahu pati kohë të telefononte Vladimir Putin për t'i kërkuar që të përpiqej të ndalonte iranianët. Iranianë të cilët nga ana e tyre, sipas burimeve të ndryshme, paralajmëruan qëllimet e tyre. E mbyllim duke vënë në dukje njëkohshmërinë e çuditshme mes valës së raketave dhe sulmit në Jaffa, ku 6 persona u vranë në rrugë nga dy terroristë të armatosur me automatikë.

Jo më pak e çuditshme është sjellja e autoriteteve iraniane. Presidenti i ri, reformisti Masoud Pezeshkian  u kishte shprehur ndërkombëtarëve (rusit Shoigu, kryeministrit britanik Starmer, sekretarit të shtetit të Vatikanit Parolin, presidentit francez Macron) një prirje të caktuar pajtuese, pavarësisht nga akuzat e zakonshme kundër Izraelit. As nuk është e mundur të harrohen thirrjet e përsëritura për "durim strategjik" nga Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit.

Sigurisht, fjalët vlejnë aq sa vlejnë. Dhe në Teheran ata e kuptuan shumë mirë se goditjet që Izraeli solli kundër Hezbollahut, deri në eliminimin e liderit Nasrallah, ishin të gjitha goditje që synonin të ndikonin në rajonin që Irani ka ndërtuar gjatë shumë viteve dhe me kosto të konsiderueshme, përfshirë ato njerëzore. Megjithatë, është e mundur që, pikërisht për këto arsye, në fund të fundit, presioni për të vepruar që gjeneralët dhe milicët ushtronin prej kohësh mbi pushtetin më të kujdesshëm politiko-fetar, të ketë arritur qëllimin e tij. Ndoshta zbutur nga ato "paralajmërime" që kufizuan dëmin e sulmit iranian ndaj Izraelit.

Do të shohim zhvillimet në javët në vijim. Dhe ne do të shohim nëse do të ketë ndonjë ndryshim në Teheran. Por ende duket e pamundur që Irani ta konsiderojë veten të aftë për një përplasje kokë më kokë me Izraelin, i cili ka pas vetes SHBA dhe disa shtet ë tjera perëndimore. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje