Çfarë ndryshimi mund të sjellin 12 muaj! Në shkurtin e vitit 2023, Wall Street Journal shpjegoi në detaje sesi lufta Rusi-Ukrainë e fuqizoi NATO-n. Megjithatë një vit më vonë, brenda aleancës po nisin të shfaqen një numër gjithnjë e më i madh të çarash...
Disa nga këto krisje kanë ekzistuar prej njëfarë kohe, sidomos debatet e vazhdueshme se kush po plotëson dhe kush jo kërkesën e arritjes së pragut 2 për qind të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes. Vetëm 11 nga 31 vende anëtare e kanë bërë këtë, ndërsa ato që janë ende prapa përfshijnë shtete të fuqishme si Franca dhe Gjermania.
Këto të dyja po u shkaktojnë jo pak telashe anëtarëve të tjerë, pasi nuk janë në gjendje të formulojnë një strategji përballë Rusisë që të mbështetet nga të dy skajet e boshtit tradicional Berlin-Paris. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, është bërë udhëheqësi i fundit që ka i nxjerr në pah këto ndarje.
Ai shprehu rezerva për dërgimin e raketave gjermane “Taurus” në Ukrainë, për shkak të frikës nga rreziku i përfshirjes në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë. Pasojat e një deklarate të tillë erdhën pikërisht në momentin që kancelari po përballet me sikletin e një rrjedhjeje të të dhënave të inteligjencës ushtarake gjermane, e cila zbuloi se Britania mund të ketë dërguar tashmë trupat e saj në Ukrainë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri bujë ditët e fundit me propozimin e tij për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë. Po ashtu, ai u tall publikisht me Scholz për dërgimin e “çantave të gjumit dhe helmetave” në vend të armëve.
Një pretendim jo plotësisht i drejtë, duke pasur parasysh se sipas Institutit Ekonomik të Kielit Gjermania ka kontribuar rreth 17.7 miliardë euro në ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare (vetëm SHBA ka dhënë më shumë), krahasuar vetëm 635 milionë euro deri më sot nga Franca.
Nuk është e habitshme që sugjerimi i Macron u refuzua nga thuajse të gjitha shtetet e tjera të NATO-s, por dëmi u bë. Udhëheqja morale dhe politike e Francës dhe Gjermanisë, po vihet në pikëpyetje seriozisht në Evropën Lindore, ku ka një rebelim të hapur ndaj atij që mendohet se do të jetë Sekretarit i ri i Përgjithshëm i NATO-s, ish-kryeministri holandez Mark Rutte.
Sipas ish-presidentit të Estonisë, Toomas Hendrik Ilves, pyetja është “Çfarë besueshmërie morale ka ky njeri?”, sidomos duke pasur parasysh faktin se gjatë mandatit të Rutte, Holanda nuk ka shpenzuar asnjë vit më shumë se 2 për qind të PBB-së për mbrojtje.
Këto përçarje janë në favor të Moskës, duke ringjallur strategjinë origjinale të Vladimir Putinit: të detyrojë evropianët dhe veçanërisht Gjermaninë të pranojë një status’quo të re në mënyrë që të ruhet furnizimi me energjinë ruse. Edhe tani Berlini po planifikon zgjerimin më të madh në Evropë të termocentraleve me gaz, dhe ky gaz duhet të vijë nga diku.
Gazi natyror i lëngshëm (LNG) që vjen nga Katari dhe SHBA-ja po ndihmon në përballimin e emergjencës. Por siç kanë treguar ngjarjet e fundit në Detin e Kuq apo kundërshtimi i presidentit Biden ndaj projekteve të eksportit të LNG-së amerikane, diversifikimi i rreziqeve të rrugëve energjetike, ka shumë të ngjarë të përfshijë një marrëdhënie të vazhdueshme tregtare me Rusinë si një nga partnerët e shumtë.
Gazsjellësi “Nord Stream 2” mund të jetë dëmtuar rëndë, por një linjë e tij është ende funksionale dhe pjesa tjetër mund të riparohet. Tani kjo mund të duket e pamundur, por çdo vlerësim i një rendi të mundshëm të pasluftës duhet ta përfshijë këtë skenar të mundshëm.
Në atë kohë Macron nuk e kishte plotësisht gabim kur kritikoi hezitimit gjerman në fillim të luftës, dhe u desh shumë punë bindëse ndaj Berlinit për të marrë prej tij një mbështetje më të fuqishme për Ukrainën. Megjithatë, sjellja aktuale e presidentit francez është edhe në dobi të Putinit gjithashtu.
Ideja e tij për dërgimin e trupave perëndimore në një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë vetëm sa e përforcon narrativën e Kremlinit, se Ukraina është thjesht një luftë me prokurë e zhvilluar nga NATO për të “shkatërruar” Rusinë. Biseda e zbuluar javën e kaluar midis oficerëve të Forcave Ajrore Gjermane, vetëm sa e ka forcuar këtë narrativë.
Shuma e këtyre ngjarjeve, zbulojnë se NATO nuk ka një plan veprimi koherent, gjë që shpjegon edhe arsyen pse Putin nuk po nxiton të fillojë negociatat e sinqerta për dhënien fund të luftës. Rusia nuk do të ishte e barabartë me një NATO të gjallëruar dhe të bashkuar, por ndoshta mund të përballet me aleancën veri-atlantike në gjendjen e saj aktuale./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”
Lini një Përgjigje