
Sa vjeç do të jeni kur të përfundojë mandati i ardhshëm presidencial i Vladimir Putin në vitin 2030? Cili nga udhëheqësit e sotëm botërorë do të jetë ende në detyrë? Në atë kohë Putin do të ketë qenë në pushtet për 29 vjet, dhe pak më pak se gjysma e popullsisë së Tokës në atë kohë do të ketë lindur pikërisht gjatë mbretërimit të tij.
Tani për tani, Putin është i vendosur të shohë në pushtet të paktën dy presidentë të tjerë të SHBA-së apo edhe më shumë, nëse ai zgjedh të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036. Kur nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë ndaj Ukrainës në vitin 2022, shumë njerëz guxuan të shpresonin se disfata në fushën e betejës, do t’i detyronte rusët të pranonin më në fund se nuk janë më një superfuqi e madhe globale.
Dy vjet më vonë, as ushtria ruse dhe as ekonomia e saj nuk po tregojnë ndonjë shenjë kolapsi të afërt. Përkundrazi, Putin shfaqet i sigurt, i gëzuar dhe madje kryelartë. Teksa Rusia përgatitet për zgjedhjet presidenciale javën e ardhshme, që me siguri do t’i japin një mandat të ri 6-vjeçar, realiteti dëshpërues: Putini do të jetë mes nesh për shumë kohë, madje edhe Rusia që ai krijoi.
Por ndërsa përgatitet për mandatin e tij të pestë, e vërteta është se ai është një Car i pafuqishëm. Ai e pushtoi Ukrainën për të pohuar madhështinë e Rusisë para vendeve fqinje por edhe për gjithë skenën ndërkombëtare. Në fakt, lufta tregoi se ushtria aq shumë e lavdëruar e Putinit, është e paaftë të mposhtë një forcë ukrainase shumë më të vogël.
Në vend se ta ndalte zgjerimin e NATO-s, ai e ka zgjeruar shumë atë me Suedinë dhe Finlandën, vende dikur neutrale. Pushtimi ka dërrmuar sektorët kryesorë të ekonomisë ruse (veçanërisht eksportet e gazit dhe të makinave), ka ndaluar investimet e huaja dhe e ka bërë Rusinë një vasale ekonomike të Kinës.
Lufta ka detyruar largimin e 1 milionë rusëve nga më të arsimuarit dhe më të zgjuarit, dhe e ka shkelur kontratën e nënkuptuar të Kremlinit me elitat ruse, sipas së cilës ata do të ishin në gjendje të pasuroheshin dhe të gëzonin të ardhurat e tyre të papenguar, në këmbim të nënshtrimit politik.
Rusia e sotme putiniste është më e ngjashme me Bashkimin Sovjetik të mesit shekullit të XX-të sesa me një shtet të fuqishëm të shekullit XXI-të. Putin e ndërtoi pushtetin e tij mbi një vizion perandorak të Rusisë që është shembur plotësisht në vitin 1991.
Dhe ashtu si diktatorët e mëdhenj të shekullit të kaluar, Putin e ka kultivuar bindjen e masave, i ka ushqyer këto të fundit me fantazitë e militarizmit dhe vdekjes heroike, krijoi një kult të liderit që e njehsoi atë me vetë shtetin rus, zhduku çdo figurë që mund të sfidonte në mënyrë legjitime pushtetin i tij, dhe e barazoi kundërshtimin politik me tradhtinë.
Në të njëjtën kohë dhe paradoksalisht, sekreti i suksesit të tij si udhëheqës ka qenë se ai nuk është një diktator që e ruan pushtetin e tij vetëm me shtypje dhe propagandë. Përkundrazi, ai është si Recep Tayyip Erdogan i Turqisë, një nga populistët më të suksesshëm në botë.
Sundimi i Putinit, ka qenë shumë më tepër i bazuar tek pëlqimi se sa tek imponimi. Në mungesë të ndonjë alternative reale, të dhënat e sondazheve në Rusi nuk janë shumë domethënëse. Por është e qartë se pavarësisht izolimit të Rusisë, sanksioneve dhe më shumë se 80.000 rusëve të vrarë në Ukrainë, Putin gëzon ende një mbështetje të madhe të popullit të tij, me të cilin ai ndan vizionin e një Rusie si një komb i fortë dhe i fuqishëm, të cilin Perëndimi është i vendosur ta shkatërrojë.
Si mund të pajtohen këto realitete të kundërta, pra të një Rusie të paaftë për të mposhtur një fqinj shumë më të vogël dhe më të dobët dhe qëndrueshmërisë së jashtëzakonshme politike të Putinit dhe popullaritetit të tij të vazhdueshëm? Nga ana materiale, përgjigja e thjeshtë për mbijetesën e Putinit është nafta.
Eksportet e gazit natyror të Gazprom-it, të cilat para shkatërrimit të gazsjellësit “Nord Stream” në shtator 2022, përbënin 35 për qind të furnizimeve me gaz të Evropës dhe gati 25 për qind të buxhetit të Kremlinit, ranë ndjeshëm. Por ndërkohë janë rritur eksportet e naftës drejt vendeve që janë të gatshme të shpërfillin sanksionet perëndimore dhe kufizimet ndaj çmimeve, veçanërisht India dhe Kina.
Përgjigja politike, është se Putin ka bërë një punë bindëse për ta bindur popullin e tij se ai po e mbron vendin nga një sulm i bashkërenduar nga perëndimi kolektiv, dhe se pushtimi i Ukrainës është një luftë për mbijetesë kombëtare.
Në fjalimin e tij mbi gjendjen e kombit drejtuar elitës politike ruse, ai denoncoi “praktikat koloniale të të ashtuquajturit Perëndim, që synojnë të pengojë përparimin tonë dhe dëshiron ta shohë Rusinë të ndërvarur nga të tjerët, në rënie dhe në kolaps, pra një hapësirë ku ata mund të bëjnë si të duan”.
Por pjesa më domethënëse e fjalimit të Putinit, nuk ishte ajo që tha për luftën në Ukrainë, por koha e paktë që i kushtoi asaj, vetëm 15 minuta nga 2 orë fjalim. Pjesa tjetër u përqendrua në programin e tij të brendshëm, duke trajtuar gjithçka, nga adresimi i një krize demografike të thelluar deri tek zëvendësimi i infrastrukturës së shkatërruar, përmirësimi i shëndetit publik, arsimit dhe sigurimi i fondeve më të mëdha për shkencën dhe kërkimin.
Pra mesazhi i tij kryesor nuk synonte elitat e pasura ruse, por drejtpërsëdrejti ndaj budzhetnik-ëve: dhjetëra milionë punonjësve të shtetit, ushtarakëve dhe personelit të sigurisë, pensionistëve dhe burokratëve që mbështeten tek Kremlini për të ardhurat e tyre dhe që përbëjnë bazën kryesore të mbështetësve të Putin.
Por pyetja kryesore për mbijetesën e tij politike, është se edhe për sa kohë do të jetë në gjendje të paguajë për të ruajtur mbështetjen e këtyre njerëzve. Vitin e kaluar PBB-ja ruse u rrit nominalisht më shumë se sa çdo vend i G7-ës. Familja mesatare ruse e mbylli vitin 2023 me rreth 18 për qind më shumë para në bankë se një vit më parë.
Sberbank, banka më e madhe ruse e kontrolluar nga shteti, raportoi për një rritje me 5 herë e gjysmë të fitimit, në nivelin rekord 1.5 trilion rubla (16.3 miliardë dollarë). Industria e mbrojtjes punëson 3.5 milionë njerëz, dhe që nga fillimi i luftës shumë fabrika e kanë dyfishuar fuqinë e tyre punëtore.
Por ky bum i dukshëm ekonomik, vjen për shkak të rritjes së madhe të shpenzimeve shtetërore për luftën. Pra nga një formë e kejnsianizmit ushtarak që po gëlltit 40 për qind të buxhetit të shtetit dhe afro 10 për qind të PBB-së së Rusisë. Vetë Banka Qendrore e Rusisë, pretendon se bumi është për shkak të “rritjes së aktivitetit ekonomik dhe rritjes së pagave reale”.
Por nëse shihni më nga afër statistikat mbi rritjen e bilanceve bankare të rusëve, siç ka bërë instituti finlandez i kërkimit BOFIT, dhe del se rajonet me rritjen më të madhe të depozitave bankare janë ndër më të varfrat në Rusi. Pra vende si Tuva, Buryatia dhe Republika e Altait, ku rreth 20 dhe 33 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë.
Janë këto rajone në krizë që ofrojnë pjesën më të madhe të ushtarëve rusë që po luftojnë në Ukrainë me kontrata të majme dhe që marrin kompensim prej 5 milionë rubla (68.800 dollarë) për çdo ushtar të vrarë në front. Njëkohësisht, për herë të parë ndër vite, qeveria ruse ka një deficit buxhetor që ka ulur rezervat likuide të Fondit Kombëtar të Pasurisë së Rusisë nga 143 miliardë dollarë në korrik 2022, në 56 miliardë dollarë (të mbajtura në ar dhe juanin kinez) në fund të 2023-shit.
Me normën aktuale të shpenzimit të 4.4 miliardë dollarëve në muaj, këto rezerva do të zhduken brenda pak më shumë se një viti. Se si do të përfundojë lufta në Ukrainë dhe me çfarë kushtesh, kjo mbetet e paqartë. Por në parashikimin e saj buxhetor, Ministria ruse e Financave supozon se shpenzimet ushtarake do të bien ndjeshëm në vitin 2025.
Kjo do të nënkuptonte arritjen e një paqeje - ose të paktën një ngërçi - një skenar që duhet të lirojë më shumë para për të përmbushur premtimet e Putinit ndaj elektoratit të tij. Por me rënien drastike të investimeve të huaja, rrëzimin e sektorëve të tërë të ekonomisë dhe sanksionet perëndimore që nuk ka gjasa të hiqen për ca kohë, mbetet një mister se si Kremlini pret që ekonomia ruse të kthehet në formën e saj të paraluftës./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje