TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Mars 2025, 21:40

‘Ferri do të bjerë mbi ju”, Trump urdhëron sulme ushtarake kundër Houthis; paralajmëron edhe Iranin

Shkruar nga Pamfleti

‘Ferri do të bjerë mbi ju”, Trump urdhëron sulme

Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën se kishte urdhëruar ushtrinë amerikane të ndërmarrë veprime "vendimtare dhe të fuqishme" kundër Houthis në Jemen.

Presidenti njoftoi në një postim në Truth Social se ai urdhëroi sulme ajrore kundër "bazave, liderëve dhe sistemeve të mbrojtjes raketore" si një mjet për të mbrojtur asetet amerikane dhe për të rivendosur "lirinë e lundrimit".

“Asnjë forcë terroriste nuk do të pengojë anijet tregtare dhe detare amerikane të lundrojnë lirshëm në rrugët ujore të botës”, shkroi Trump.

“Për të gjithë terroristët Houthi, koha juaj ka mbaruar dhe sulmet tuaja duhet të ndalen duke filluar nga sot. Nëse jo, ferri do të bjerë mbi Ju në një mënyrë që nuk e keni parë kurrë më parë!", shtoi ai.

Trump përfshiu gjithashtu një mesazh për Iranin, duke paralajmëruar Teheranin që të mos ofrojë mbështetje për forcat Houthi. "Nëse e bëni këtë, kujdes, sepse Amerika do t'ju mbajë plotësisht përgjegjës dhe ne nuk do ta trajtojmë me mirësi!"

Më herët, rrjeti televiziv Houthi Al Masirah raportoi se një sulm ishte kryer në kryeqytetin Sanaa, pa detaje të mëtejshme.

Më vonë, sipas Houthis, 18 njerëz u vranë dhe shumë u plagosën si rezultat i sulmeve ajrore të SHBA dhe Britanisë së Madhe në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa.

Sipas raporteve amerikane, sulmet u kryen kundër arsenalit të madh të Houthi-ve, pjesë të të cilit janë varrosur nën Detin e Kuq, "mund të vazhdojnë për disa ditë dhe të përshkallëzohen në varësi të përgjigjes së militantëve".

New York Times vëren se ka edhe këshilltarë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, të cilët po bëjnë presion për sulme edhe më agresive kundër Houthis për t'i detyruar ata të humbin një pjesë të madhe të territorit që kanë marrë në pjesën veriore të vendit.

Lini një Përgjigje