
Punonjësit e VOA dhe mediave të tjera dërgohen në shtëpi...
Administrata e Presidentit Donald Trump ditën e sotme ka filluar të bëjë shkurtime të thella në Zërin e Amerikës dhe disa agjenci mediatike të drejtuara nga qeveria amerikane.
Burime të shumta konfirmuan për CBS News se të gjithë punonjësit me kohë të plotë në Zërin e Amerikës u informuan të shtunën se duhet të mos shkonin më në punë, pasi ishin me leje të paguar.
Të premten mbrëma, pak pasi Kongresi miratoi projektligjin e fundit të financimit, Trump udhëzoi administratën e tij që të reduktojë funksionet e disa agjencive në minimumin e kërkuar nga ligji. Kjo përfshinte Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM), e cila përfshin Zërin e Amerikës, Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë dhe Radio Marti, e cila transmeton lajme në gjuhën spanjolle në Kubë.
Të shtunën në mëngjes, Kari Lake, kandidatja për Senatin Amerikan, të cilin Trump e emëroi këshilltar të lartë të agjencisë USAGM, postoi në X se punonjësit duhet të kontrollojnë emailin e tyre. Kjo përkoi me njoftimet që dilnin se stafi i Zërit të Amerikës ishte vendosur në leje administrative me pagesë.
Bëhet e ditur se emailet e dërguara, i udhëzonin ata që të mos hynin në ambientet e tyre të punës dhe të mos hynin në sistemet e brendshme.
Agjencia e SHBA-së për Media Globale është agjenci e pavarur qeveritare e SHBA-së që mbikëqyr media që transmetojnë në pothuajse 50 gjuhë dhe shtrihen te 361 milionë njerëz në baza javore.
Buxheti që ka kërkuar kjo agjenci për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.
Aty përfshihen mediat sikurse Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.
Përgjatë mandatit të parë, Trump - i cili ka marrë një mori vendimesh për t’i zvogëluar shpenzimet qeveritare prej kur ka nisur mandatin e dytë në janar - e ka kritikuar USAGM-in lidhur me pavarësinë editoriale dhe drejtimin që u është dhënë programeve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje