
Protesta në Beograd është shoqëruar edhe me incidente e tensione. Siç ka shkruar Radio Evropa e Lirë, në gjuhën serbe, incident ka pasur nga grupi “i studentëve që duan të mësojnë”.
Ky është grupi që po konsiderohet si mburojë për presidentin Aleksandar Vuçiç.
Nga ky grup ka pasur hedhje të objekteve e mjeteve piroteknike. Megjithatë raportohet se gjithçka ndodhi brenda zonës së mbrojtur nga Policia.
Rojet e studentëve menjëherë qetësuan situatën dhe krijuan distancë.
Edhe N1 ka raportuar për tension te Parlamenti. “Nova.rs” ka raportuar që xhandarmëria u nis në drejtim të godinës së Kuvendit.

Ndërkohë nuk munguan as mesazhet kundër regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por edhe kundër Milorad Dodik, presidentit të entitetit Republika Srpska të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Në një nga pankartat shkruhej “Dodik nuk është Republika Srpska, Vuçiç nuk është Serbia”.
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet në juridiksionin e tyre për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të këtyre incidenteve, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e sigurisë, thuhet në njoftim e autoriteteve.
Policia jep paralajmërimin përfundimtar për të ndalur menjëherë të gjitha sulmet dhe provokimet ndaj punonjësve të policisë, në të kundërtën, theksohet në deklaratë, policia do të duhet të ndërhyjë dhe të mbrojë efektivët e saj në përputhje me ligjin.
Lini një Përgjigje